EKSKLUZIVE/ “Mungesa e futbollit dhe e gazetës na ka mpirë”, batuta e Dajës: Po bëhem… çiklist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2020 | 14:28

EKSKLUZIVE/ “Mungesa e futbollit dhe e gazetës na ka mpirë”, batuta e Dajës: Po bëhem… çiklist

Situata e pazakontë ka shpërndarë që prej datës 13 mars skuadrën e Skënderbeut, teksa të gjithë lojtarët kanë shkuar në shtëpitë e tyre pranë familjeve. Mesfushori Asion Daja është një prej tyre, duke u rikthyer në Tiranë në këtë periudhë karantine. 30-vjeçari nuk qëndron në një vend, edhe pse këshillat e autoriteteve janë që të gjithë të izolohen në shtëpi dhe mos dalin jashtë pa pasur diçka emergjente. Daja është mësuar gjithmonë të vrapojë dhe të shkelë gjithë fushën, por duket se është dorëzuar përballë shtetrrethimit si masë ndaj përhapjes së Covid–19.asion daja

Mesfushori i është përkushtuar biçikletës, gjithmonë duke respektuar orarin e lëvizjes. Në një prononcim enkas për ”Panorama Sport”, Daja konfirmon se është e vështirë përshtatja për të, pasi nuk ishte mësuar të qëndronte në një vend, por pak nga pak po ambjentohet me këtë situatë. Ai vijon me mbajtjen e kondicionit fizik tashmë, duke u ushtruar me biçikletë në një zonë të kryeqytetit.

DEKLARATA

“Sot dola pak me biçikletë për të mbajtur kondicionin fizik. Është një situatë disi e vështirë, por që po mundohem ta shfrytëzojë në maksimum orarin e lëvizjeve për të mbajtur formën fizike, sado pak që të lejon ky moment. Të them të drejtën për mua është paksa e vështirë, pasi nuk jam mësuar të qëndroj kaq gjatë i mbyllur në një vend. Po mundohemi të mësohemi me këtë situatë. Kryesorja në këtë kohë është që qëndrojmë sa më të sigurtë për veten dhe familjarët. Por nga ana tjetër edhe mungesa e futbollit na ka mpirë”, ka thënë fillimisht Daja.

Mesfushori i Skënderbeut, Asjon Daja dhe biçikleta në... sfond

Mesfushori i Skënderbeut, Asjon Daja dhe biçikleta në… sfond

Më tej, mesfushori kryeqytetas u ndal edhe te koha e gjatë pa kampionat, ndërsa për të më shumë problem është edhe mungesa e shtypit sportiv. “Ishim në një moment të mire si ekip dhe me një formë të lartë në kohët e fundit. Por, kjo pandemi nuk pyet për asgjë. Mundohemi të mbushim ditën dhe të shtyjmë orët e izolimit. Për fat të keq, edhe gazeta juaj, ‘Panorama Sport’, nuk po botohet. Të them të drejtën na mungon mjaft, edhe pse jeni ‘online’. Megjithatë, respekt për ju gazetarët, pasi në këtë kohë punoni dhe me të vërtetë jeni heronj”, përfundoi prononcimin e tij Asjon Daja për “panoramasport.al”.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"