EKSKLUZIVE/ “Mos më quani të vjetër”, rrëfehet Cikalleshi: Elozhet e Rejës më gëzojnë, ju tregoj sekretin me trajnerin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 21:30

EKSKLUZIVE/ “Mos më quani të vjetër”, rrëfehet Cikalleshi: Elozhet e Rejës më gëzojnë, ju tregoj sekretin me trajnerin (E PLOTË)

Sokol Cikalleshi është futur në grupin e bomberëve të Kombëtares që kanë gola me dy shifra. Bomberi kuqezi, me tetë gola në po kaq ndeshjet e fundit, ka rigjetur formën ideale. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai tregon edhe efektin e skemës 3-5-2 në këtë ecuri, sikurse komenton edhe deklaratën e trajnerit Reja: “Cikalleshi është sulmuesi më i mirë që më zgjidh hallet në sulm”. Ndër të tjera, “Cika” ka një mesazh për të gjithë ata që e lakojnë mes grupit të lojtarëve të vjetër porse ka edhe një këshillë vëllazërore për dy vëllezër të vegjël, për të cilët thotë se kanë potencial për t’u bërë të mëdhenj.

Cikalleshi goli

Vendi i parë në Ligën e Kombeve, si ishte ky edicion për Shqipërinë?

Ishim në një grup ku kundërshtarët kishin një nivel më të ulët sesa ne, duke e përjashtuar deridiku Bjellorusinë. Mendoj se ne kemi bërë detyrën, duke arritur objektivin që kishim vendosur, vendin e parë. Edhe për nga mënyra si u arrit, duke qenë se fituam në dy ndeshjet e fundit, kishte emocionin e vet të shtuar. Besoj se bëmë punë të mirë.

Tetë gola në 8 ndeshjet e fundit, duket se me trajnerin Reja keni rigjetur formën ideale. Si ka ardhur ky shpërthim?

Nuk mund të them se ka ndonjë sekret të veçantë. Thjesht fakti që tashmë jam me më tepër eksperiencë. U bë kohë që jam pjesë e Kombëtares dhe ka shërbyer. Duke i shtuar edhe punën e përditshme, them vetëm që ndihem mirë, jam në formë dhe uroj të vazhdoj kështu.

Ai ka thënë se jeni sulmuesi më i mirë dhe që i zgjidh problemet…

Trajneri ka folur, mendoj, për situatën ku ndodhemi tani dhe për mënyrën si kanë shkuar gjërat së fundmi. Kam qenë unë ai lojtari që e ka dërguar topin në rrjetë më shpesh, por qëndroj me këmbë në tokë duke e pranuar situatën sepse në futboll uljet dhe ngritjet janë më se normale. Në këtë moment jam në ngritje, në moment të mirë dhe sigurisht që më kënaq kur dëgjoj trajnerin të shprehet në këtë mënyrë. Mirëpo, le të qëndrojmë te momenti…

Dhjetë gola me fanellën e Kombëtares, sa synon Cikalleshi në total?

Për të synuar vendin e parë është akoma larg dhe ka shumë punë për të bërë. Mirëpo, unë do t’i marr ndeshjet një nga një dhe sigurisht që primare është që Kombëtarja t’i arrijë objektivat që ka, fitoret dhe sukseset. Sigurisht, që nëse do të jem unë autori i golave, kënaqësia do të jetë e dyfishtë. Të shikojmë se deri ku mund të arrij, nuk dua të jap një shifër fikse.

Cikalleshi gol kombetarja shqiperia

Shpesh është kritikuar dhe diskutuar skema 3-5-2 se Shqipëria nuk i ka lojtarët e duhur për të pasur sukses me të. Duke qenë se keni shënuar rregullisht, sa ju ka ndihmuar ky rreshtim për të gjetur golin?

Personalisht, kjo skemë më ka ndihmuar shumë. Jo se e them unë, por statistikat e tregojnë se kemi arritur që të shënojmë. Duke qenë se jemi dy sulmues në fushë, jam gjithmonë i mbështetur nga shokët. Në zonë jemi më të shumtë në numër dhe duket se na ka dhënë rezultat. Është një sistem për të cilin trajneri, jam i sigurt që i ka menduar të gjitha gjërat, përpara se të vendosë të vijojë që ne të luajmë me këtë mënyrë. Sigurisht, duke e ditur fare mirë edhe të gjithë organikën në dispozicion që ne kemi.

Objektivi i Shqipërisë është “Euro 2024”. Shpesh është bërë diskutimi duke veçuar “lojtarët e rinj që po vijnë” dhe “lojtarët e vjetër që janë”. A e ndieni veten të vjetër dhe a keni objektiv?

Mendoj se nuk është e nevojshme që të bëhet ky krahasim, këto janë të rinj apo këto janë të vjetër. Apo të jenë lojtarët e rinj ose të vijnë lojtarët e vjetër. Nuk ka pse… E them këtë, sepse Kombëtarja është e të gjithëve. Kush mund të ketë formën më të mirë, ai do të luajë. Kemi një trajner mbi krye, i cili mendon më të mirën e ekipit. Kombëtarja do të jetë gjithmonë aty për të gjithë. Ajo çka është më e rëndësishmja, është fakti se secili lojtar, i ri në moshë apo i vjetër, të bëjë më të mirën në klubin ku luan dhe të jetë i gatshëm në momentin që Kombëtarja ka nevojë që ta thërrasë atë dhe cilindo. Personalisht, po ju them. Cikalleshi do të jetë gati gjithmonë.

Jo se sulmi është pronë e imja apo e dikujt tjetër, por them që do të jem i gatshëm sa herë që Kombëtarja të ketë nevojë dhe sa herë të nevojitet që Cikalleshi të thirret. Absolutisht, çdo njeri e ka vendin hapur, të vijë dhe të marrë vendin, të kontribuojë për Kombëtaren. Qoftë i ri, apo qoftë i vjetër. Le të mos i vendosim këto terma i ri, i vjetër. Unë personalisht, besoj te vetja dhe do të bëj maksimumin që të jem në Euro 2024.

Absolutisht, futbolli ka uljengritje, të papritura, por unë duke parë aktualisht formën që kam, jam shumë i bindur që do të bëj shumë mirë në futboll edhe për shumë vite. Pastaj, është dikush atje që do të mendojë, nëse është apo jo i aftë Cikalleshi për të ndihmuar Kombëtaren. Do ta shohim…

Cilin shihni nga lojtarët e afruar rishtas, me më shumë potencial?

Patjetër që konkurrenca është ajo që e ndihmon një ekip për të ecuri përpara. Sa më shumë prurje të reja apo volum të ketë një ekip, aq më mirë është. Po veçoj dy emra. Nuk më pëlqen që të flas për të tjerët, por për t’iu përgjigjur pyetjes suaj po veçoj Brojën dhe Kallakun, duke bërë batë rolin e vëllait të madh që u flet vëllezërve të vegjël. Zoti u ka falur shumë talent dhe tashmë u mbetet atyre në dorë për ta marrë këtë talent dhe për ta vënë në punë.

Pse e thoni këtë?

Të kenë kujdes sepse mosha 18-20 vjeçare është periudhë shumë delikate për çdo futbollist. Ata duhet të kalojnë një urë që është mjaft delikate në këtë moshë sepse ka shumë lojtarë të rinj që vijnë me potencial shumë të madh, që kanë mundësi të bëhen lojtarë të mëdhenj, por ndodh që nuk e kalojnë dot këtë urë. Prandaj duhet të jenë me durim, me këmbë në tokë gjithmonë. E them këtë sepse nuk të bën futbollist të bësh dy ndeshje të mira apo dy gola, me Kombëtaren apo me ekipin. Futbollist të bën vazhdueshmëria dhe puna e përditshme.

Çfarë keni parë tek ata të dy që i veçuat?

I veçova sepse kanë vërtet shumë talent. Duhet të jenë shumë më të kujdesshëm për ta kaluar këtë urën dhe për t’u bërë lojtarë siç ne po flasim, për lojtarë të afirmuar dhe të mëdhenj. Sigurisht, që rol për këtë duhet të luajnë edhe familjet e tyre.

Uroj që të vijnë shumë të fuqishëm, shumë shpejt, në Kombëtaren por edhe për veten e tyre, për karrierën e tyre dhe të bëjnë më të mirën në mënyrë që ata të bëhen emrat për të cilët të gjithë presin të ndodhë. Është gjynah që lojtarë me potencial kaq të madh, të mos ia marrin frytet. Unë u uroj shumë suksese. Lart e më lart në karrierën e tyre.

Sa keq ju vjen që dënimi në Kombëtare ju hoqi dy ndeshje në tetor?

Prapë… Edhe pasi dalim të parët në grup, shënojmë, funksionojmë si duhet, shënojmë dhe gjithçka, prapë kthehemi te pyetjet si këto… Janë disa gjëra që ndodhin brenda familjes dhe duhet të mbeten aty. Për të mirën e ekipit, Kombëtarja apo federata, solli ato prurje të reja për t’i bërë pjesë të ekipit duke u dhënë mundësinë ta tregojnë veten.

Cika666

Duke u thënë që Kombëtarja është e hapur, nëse do të bëjnë maksimumin. Sigurisht që do të doja që të isha në fushë, ta ndihmoja ekipin dhe sigurisht të shënoja. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që duhet të jem me patjetër. Nuk është e thënë që nuk isha vetëm unë, pasi kishte edhe të tjerë që munguan.

Unë mendoj se prurjet e reja bënë atë çka donte federata që ta arrinte. Atë që donte edhe opinioni sportiv, prurje të reja pati në ekip. Jemi mirë, por nuk kemi bërë asgjë për të thënë ‘UAU’. Kemi bërë vetëm detyrën. U ngjitëm pak më lart dhe tani ta tregojmë veten edhe atje, në Ligën B dhe me kundërshtarë më të fortë. Kemi bërë hap përpara, modest. Rëndësi ka që jemi duke përparuar. Të jemi pozitiv, të ndihmojmë njeritjetrin dhe të vazhdojmë. Vetëm kështu do të ecim përpara.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"