EKSKLUZIVE/ “Mos e kryqëzoni Uzunin”, Bogdani: “Tradhtoi” mesfusha, Gjimshiti në pesë mbrojtësit më të mirë të Serisë A (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2021 | 21:23

EKSKLUZIVE/ “Mos e kryqëzoni Uzunin”, Bogdani: “Tradhtoi” mesfusha, Gjimshiti në pesë mbrojtësit më të mirë të Serisë A (E PLOTË)

“Ky grup lojtarësh të imponon objektiva të mëdhenj. Me Anglinë prisja më tepër guxim dhe lojë”, kësh tu shprehet Erjon Bogdani, bomberi rekordmen i Kombëtares, me 18 gola me fanellën kuqezi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi vlerëson maksimalisht lojtarët tanë, edhe për vetë paraqitjen ndaj “Tre Luanëve”, por shton se e ka të vështirë të vendosë një notë.

BOGU

Ndër të tjera, ai pranon arsyetimin e Rejës për kundërshtarë të fortë, por shprehet se priste atë lojë të pasminutës së 75-të edhe më gjatë.

Bogdani, si e patë Kombëtaren ndaj Anglisë?

Unë dua ta nis përgjigjen duke thënë atë që e dimë të gjithë, por ndonjëherë në analiza apo komente nuk e përmendim. Anglia është një superskuadër në arenën europiane. Ka lojtarë të jashtëzakonshëm, pjesa më e madhe e të cilëve është në Premier Ligë, një nga kampionatet më të forta në Europë për momentin. Ndaj, nuk ishte kurrsesi një ndeshje e lehtë për Shqipërinë.

Po thoni një humbje e justifikueshme, për të mos thënë e pranueshme?

Jo. Unë personalisht do të doja një Shqipëri pak më të guximshme në lojë. Faktikisht, mund të kishte zhvilluar një lojë edhe pak më të mirë sesa ajo e të dielës ndaj Anglisë.

Si mund të bëhej kjo kur pamë që për sulmuesit tanë bëhej e pamundur zotërimi i topit, nisur nga forca e kundërshtarit?

Forca e kundërshtarit është shumja e vërtetë, nuk kam çfarë të them. Unë personalisht nuk dua të ndalem as tek emrat, te Cikalleshi apo te Broja, meqë u referoheni me të drejtë ndoshta sulmuesve si pika e referimit që mund të nxjerrin skuadrën përpara. Sulmuesit i pashë në vështirësi, por kjo krejt e kuptueshme, pavarësisht se ndonjëherë Broja e Cikalleshi ndërruan rolet.

Po ju pyes ndryshe, cilin repart patë më tepër në vështirësi?

Atë të mesit të fushës. E them këtë sepse mesfusha e Kombëtares nuk ishte në ditën e vet më të mirë, nuk lidhi siç duhet repartet.

Bogdani, do të pranonit pjesën e deklaratës së Rejës që tha: “Kemi bërë ndeshje të madhe”, apo tjetrën: “Kundërshtari nuk na la të bënim asgjë sepse ka në përbërje lojtarë si ‘male me muskuj'”?

Kjo e dyta është e vërtetë. Askush nuk duhet ta diskutojë që Anglia është skuadër shumë e mirë. Megjithatë, për krahasim, unë kam parë edhe ndeshje të tjera veçmas Shqipërisë, si për shembull Italinë ndaj Irlandës apo kundër Bullgarisë. Të them të drejtën, të dyja këto, e vunë në vështirësi Italinë. Patën disa aksione dhe dolën disa herë para portierit. Unë mendoj se si ndeshje, nuk duhet vënë në diskutim forca dhe madhështia e Anglisë, ama them se prisja pak më shumë forcë nga Kombëtarja jonë. Ndoshta, ndoshta, mund të pritej edhe ndonjë surprizë në rezultat nga të gjithë ne.

Çfarë doni të thoni?

Me lojtarët që kemi aktualisht, prisja më shumë.

Si mund të bënim më shumë, po pyes Bogdanin trajner tani, jo vetëm si ish-bomber i Kombëtares apo në futbollin italian?

Nuk është se mund të flitet me emra apo të ndryshonim skemë. Ajo që them unë është që do të më pëlqente gjithë kohës një Shqipëri si ajo pas minutës së 75-të që luajti futboll, pak më përpara. Këtë e them, në bazë të kontingjentit të lojtarëve që kemi. Gjimshiti, Hysaj, Ismajli, Veseli apo edhe Kumbulla që mungoi në këtë ndeshje, janë futbollistë që po bëjnë shumë mirë në Itali edhe kur përballë kanë lojtarë apo ekipe të mëdha italiane. I kemi parë në Itali që mbrojnë më përpara në fushë, jo aq mbrapa në zonën tonë. Faktikisht, me këto lojtarë, ne mund ta kemi mundësinë që të rrezikojmë të qëndrojmë edhe në sulmet e Anglisë në duele një kundër një. Pasi është diçka që e kanë dhënë me provë se mund ta bëjnë. Gjimshiti tek Atalanta luan gjithmonë me mbrojtjen lart dhe ia del pasi luan edhe një  kundër një. Edhe Kumbulla po të ishte, njësoj. Edhe Veselin që e kam parë mirë te Salernitana apo edhe Ismajlin te Specia. Mua më pëlqyen ato dhjetë minuta në fund, e mu duk sikur Shqipëria doli, guxoi pak më shumë.

erion bogdani

A mendoni se kjo ndodhi edhe për faktin se rezultati ishte tashmë i vendosur dhe sikur ra presioni për të?

Normalisht që mund të jetë edhe kjo, por sidoqoftë mund të pësonim gola më shumë. Gjë që nuk ndodhi. Duhet të themi edhe që Shqipëria për asnjë moment nuk e ka pasur presionin për të marrë rezultat ndaj Anglisë. Në ato minuta të fundit, u bajt më tepër topi si dhe pashë edhe që Hysaj apo Lenjani luajtën pak më sipër (afër mesfushës), jo në linjë me treshen e mbrojtjes. Një nga aspektet që ndikon në mbrojtjen e topit, janë pikërisht edhe lojtarët anësorë në skemën me 5 mbrojtës, të cilët duhet të spostohen sa më shumë të jetë e mundur në pjesën e sipërme të fushës. Në minutat e fundit, kjo ndodhi më shumë. Të gjithë më të drejtë themi që mund të guxonim më shumë, edhe me këtë mënyrë loje, por ne nuk kemi përgjegjësi rezultati apo paraqitjeje. Ndërsa trajneri, po dhe për këtë i jap të drejtë Rejës kur tha se përballë kishte lojtarë shumë të fortë fizikisht, të shpejtë dhe shumë teknikë.

A duhej një tjetër skemë për të bërë të gjithë këtë që thoni ju?

Reja ka qenë standard me skemën që kur ka ardhur. Megjithatë, shikoni, përballë Anglisë nuk mund të themi se me një skemë tjetër ne do e shmangnim humbjen apo ne do të fitonim. Thjesht mendimi apo dëshira ime është që prisja disa aksione më shumë drejt sulmit. Pak më tepër siguri në mesfushë që të mbanin topin. Thjesht duhej pak më tepër guxim që t’i krijonim ndonjë vështirësi më tepër Anglisë. Kaq.

Në gjykimin tuaj, Shqipëria merr notë kaluese apo jokaluese me atë paraqitje që bëri ndaj Anglisë?

Në total është shumë e vështirë që t’i japësh një notë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, me një kundërshtar shumë të mirë. Sidoqoftë, të paktën personalisht, shpresoja që të ishte një Shqipëri me më tepër zotërim topi. E theksoj, që e them këtë sepse i kemi lojtarët dhe mundësitë për ta bërë.

Çfarë menduat te rasti i Uzunit?

Ndodh. Futbolli njeh edhe raste më flagrante të humbura. Kurrsesi nuk duhet kryqëzuar Uzuni, sepse është një lojtar me shumë perspektivë. Dy rastet e tjera në pjesën e parë ishin goli dhe traversa e Anglisë. Vetëm kaq. Diferencën e bëri cilësia e sulmuesit anglez.

Goli i parë i Anglisë, cilësi dhe zgjuarsi e Kejnit apo gjen vend për kritika në vendosjen e mbrojtjes sonë?

Ishte gol prej aftësive të një lojtari të madh, të një kampioni. Krosi i Sterlingut ishte i bukur, por mbi të gjitha veprimi i Kejnit në atë moment, i dha vërtet bukuri atij goli për nga realizimi. Pengu për Shqipërinë është se në rast se do të përfundonte të paktën 0-0 pjesa e parë, mund të shpresonim për disi më tepër hapësira në pjesën e dytë. Mbrojtja jonë, përtej dy episodeve të golave, u soll shumë mirë kundër një artilerie të rëndë siç është sulmi i Anglisë.

Sa larg mund të shkojë Shqipëria me këtë grup lojtarësh dhe këtë skemë?

Kam dëgjuar shumë edhe për skemën, por realisht mua më pëlqeu formacioni. Ajo që mendoj unë është se edhe në momentet kur një ekip luan me 3 sulmues, siç bëri Shqipëria, sulmuesit nuk duhet të lihen aq të vetmuar. Jo vetëm kaq, por sulmuesit duhen ndihmuar më tepër me topa në sasi, por edhe me topa cilësor. Mirëpo, forca e Anglisë i zhvendosi në çdo moment sulmuesit tanë, i bëri të ishin gjithmonë pas topit dhe në shumicën e kohës në gjysmëfushën tonë. Duke minimizuar në maksimum mundësinë që të niseshin në ndonjë aksion të rrezikshëm.

Bogdani me Kombetaren

Si e kujtoni San Marinon dhe çfarë e pret Shqipërinë në këtë ndeshje që konsiderohet si “detyrë shtëpie”?

Jo, nuk jam dakord sepse për mua nuk ekzistojnë këto ndeshje. Nuk ka ndeshje të lehta, as kur luan përballë San Marinos. Nëse Shqipëria kërkon që të bëjë vërtet diçka të rëndësishme këtë edicion kualifikues, duhet që në fushë ta demonstrojë këtë. Jo vetëm në plan apo në letër siç e thatë edhe ju. Në fushë duhet demonstruar me lojë që të marrim patjetër pikët e plota. Në të shkuarën nuk ka ndodhur gjithmonë kjo me vendet e fundit. Nëse Shqipëria do një vend sa më shumë afër Anglisë, atëherë duhet t’i shmangë gabimet e së shkuarës.

Çfarë duhet të synojë Kombëtarja sipas jush?

Nëse do të lëmë pas Hungarinë, mendoj se konsiderohet një objektiv i mirë i arritur. Vendi i katërt me këta lojtarë që ne kemi, nuk shkon. E them këtë, sepse objektivat më të lartë na i vendos pikërisht ky grup aktual lojtarësh. Kemi lojtarë nga mbrojtja në sulm që mund të na japin garanci për të pretenduar.

Mbrojtësit i kemi titullarë në ekipe të forta në Itali. Gjimshiti, pavarësisht atij gabimi në golin e dytë, është një nga pesë mbrojtësit më të mirë në Serinë A për momentin me çfarë ka demonstruar me Atalantën së fundmi. E ka demonstruar edhe kundër sulmuesve shumë të fortë, madje ka përballuar edhe lojën me situatat një kundër një, siç është tipi i lojës së Atalantës. Ka dalë përherë i suksesshëm.

Ismajli po shfaqet shumë mirë te Specia. Trajneri i saj, Italiano, të cilin e kam shok, më ka folur fjalët më të mira për Ardianin. Po bën mirë tani që është ambientuar si duhet. Hysaj, gjithashtu, me eksperiencë. Bare po kalon formë të mirë. Uzuni, Manaj apo Cikalleshi etj., që po kalojnë formë të mirë, na bëjnë të kemi objektiva më të mëdhenj dhe të dalin përpara Hungarisë.

OLSI TUJANI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"