EKSKLUZIVE/ “Moment i vështirë, sepse nuk patëm rezultatet e pritura në Europë”, portieri Bekaj zbulon të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2022 | 21:46


EKSKLUZIVE/ “Moment i vështirë, sepse nuk patëm rezultatet e pritura në Europë”, portieri Bekaj zbulon të ardhmen

Visar Bekaj është bin dur që Tirana del sërish kampione e Shqipërisë. Në një intervistë për “Panorama Sport” flet për Europën, zërat e merkatos dhe çfarë pritet nga bardheblutë në të ardhmen. Visar Bekaj është lideri i kësaj Tirane. Në shumë takime ai ka qenë vendimtar për bardheblutë, duke shpëtuar portën.

bekaj

Jo vetëm kaq, por Visari është portieri që ka pësuar më pak gola, ndërsa nga ana tjetër një nga të pazëvendësueshmit e kampionëve të Shqipërisë. Gardiani nga Kosova që ka dy sezone te bardheblutë është përfolur se do të marrë udhën drejt një kampionati më të fortë. Lojtari u bashkua me bardheblutë shtatorin e 2020-ës, teksa u ble nga Tirana për 100 mijë euro prej Prishtinës. Nga ana tjetër, nëse shitet portieri skuadra kosovare do të mbajë një pjesë të shumës, sepse Prishtina ka një pjesë të kartonit të Visar Bekajt.

Visar, gjërat nuk shkuan siç mendoheshin. Si e keni parë sezonin e Tiranës në Europë?

Në këtë moment që jemi është pak vështirë, sepse nuk patëm rezultate të mira në Europë, por besoj se me kalimin e kohës do të rimarrim veten dhe do të kthehemi siç kemi qenë në kampionat.

Çfarë nuk shkoi në katër ndeshjet europiane, ku Tirana nuk ia doli të kualifikohej?

Të them të vërtetën ndikuan shumë gjëra. Ndikuan mungesat që kishim në fushë. Ata që u larguan nga skuadra kishin rëndësinë e tyre në ekip. Flas këtu për Hoxhallarin, Tolin. Të dy kanë qenë mungesa të mëdha. Shto këtu edhe mungesën e përvojës së ekipit në garat europiane. Duke i bërë bashkë këto janë arsyet që ne nuk kemi pasur sukses.

Nga Europa nuk morët gjë. Ama, a mund ta mbrojë titullin ekipi i Tiranës në këtë kampionat?

Patjetër. Atë synim kemi ne. Tirana asnjëherë nuk ka synim të dalë në Kupat e Europës apo të paraqitet mirë dhe për të mbijetuar në Superiore. Qëllimi i Tiranës është të fitojë titullin kampion dhe kupën e Shqipërisë.

Ju e prekët më sipër për ndikimin që kanë lojtarët e larguar. Skuadra nuk ka në ekip Totren, Tolin, Ngonë, Hoxhallarin dhe ndoshta ikën edhe Seferi. Skuadra kampione nuk është më?

Çdo lojtar ka rëndësinë e vet. Në fillim dua të them se boshti i ekipit ka mbetur dhe kjo është gjë e mirë. Me ardhjet që do të plotësojnë skuadrën them se gjërat rregullohen. Do të plotësohemi dhe do të rimobilizohemi për të qenë kampionë të Shqipërisë.

Tani e keni ndarë mendjen. Qëndroni apo largoheni nga Tirana këtë sezon?

Do të jem edhe një vit këtu te Tirana. Më pas flasim… por ka shumë kohë deri atëherë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL