EKSKLUZIVE/ “Moment historik, duhen vendime të kujdesshme”, Pontreli: 5 ekipe në një fushë, ja si po e menaxhojmë Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2020 | 14:17

EKSKLUZIVE/ “Moment historik, duhen vendime të kujdesshme”, Pontreli: 5 ekipe në një fushë, ja si po e menaxhojmë Dinamon

Një italian në Shqipëri, në për pjekje të rilindë Dinamon në një situatë mjaft të vështirë. Marko Pontreli është biznesmeni italian që ka marrë përsipër të ngrejë Dinamon në lartësinë e emrit. Këtë periudhë të vështirë, veçanërisht për vendin e tij, Italinë, ndër më të prekurit nga “COVID-19”, ai e ka përcjellë nga kryeqyteti shqiptar. Përveçse ndjek me shqetësim zhvillimet në Itali, duke u interesuar për familjarët dhe të afërmit, duhet të menaxhojë edhe situatën e vështirë të Dinamos. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti i bluve trajton të gjithë problematikën aktuale:Dinamo Pontreli

Z.Pontreli, pas gati dy muajsh izolim, si është situata te Dinamo, si janë lojtarët, stafi dhe drejtuesit?

Përshëndetje dhe ju uroj për rikthimin në këto ditë të vështira. Izolimi? Pas shumë vitesh po bëj pushime në natyrën e gjelbër të Malit të Dajtit. Një pjesë e lojtarëve dhe stafit kanë qëndruar me mua. Dua të them se kemi shumë probleme të vogla esenciale, logjistike dhe teknike për të qenë në kohë gati. Aq më tepër, qeveria shqiptare, si të gjithë qeveritë në botë, duhet të aplikojë rregulla strikte për karantinën. Si çdo gjë, edhe sporti si strukturë ekonomike po vuan pasojat. Në rastin e Dinamos, problemi është se në skuadër janë 10 të huaj. Për të tjerët, një pjesë jetojnë në hotel në Malin e Dajtit. Më mirë nuk ka!

Me lojtarët e huaj çfarë ka ndodhur në këtë periudhë?

Kemi 10 lojtarë të huaj në ekip, ku 7 prej tyre janë nisur dhe për fatin e tyre po e bëjnë karantinën në Itali dhe Greqi. Pjesa tjetër është këtu me mua.

Keni pasur komunikim me Federatën Shqiptare të Futbollit, i keni ndjekur deklaratat e tyre publike?

Po, jemi në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Mendoj se edhe ata po jetojnë me vështirësi, si edhe klubet. Dua të them se po kalojmë një pandemi të vështirë, ku nuk kemi qartësi për të ardhmen. E kam parë në “Panorama Sport” deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të federatës, Ilir Shulku, i cili ka një ide për të rifilluar më 31 maj kampionatin, për ta mbyllur në gusht. Më duhet të them se është normale për t’u impenjuar dhe për të mbyllur një sezon. Por për sa më përket, nuk e di a është e mundur apo jo.

A është e drejtë që kampionati të rifillojë në fund të majit?

Shiko, mund të jap një përgjigje të gabuar, por duke parë kohën e përgatitjes së futbollit italian, problemi i vërtetë është se ka kaluar shumë kohë, më shumë koha e pushimeve në fund të sezonit. Duke shpejtuar me përgatitjet, por që natyrshëm koha mungon, mund të nisin ndryshimet në performancën e skuadrave.

94652521_10163524003240416_3186988380718104576_n

Federata i ka kërkuar ndihmë ekonomike qeverisë në këtë moment të vështirë…

Po, kjo është normale. Çdo federatë sot po i drejtohet qeverisë së saj për financime në kushte emergjence për klubet e saj, për të evituar falimentimet. Falënderoj në fakt federatën që po merret ajo me këtë pjesë. Por njëkohësisht kuptoj qeverinë, ku impenjimet që ka janë përtej sportit. Ajo u jep prioritet sektorëve më të domosdoshëm të shoqërisë.

Dinamo ka probleme financiare aktualisht?

Dinamo, falënderoj Zotin, jeton në shëndet të mirë, nuk ka probleme financiare. Kjo skuadër ka bërë ndryshime pak kohë më parë dhe nuk ka pasur as kohë për të krijuar debite. Sinqerisht, këto ditë, në thonjëza pushime të detyruara, po mendoj më shumë për programe dhe për të ardhmen e Dinamos në mënyrën më ekselente.

Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja më e mirë për mbylljen e këtij sezoni?

Në fakt, nuk më takon mua ta vendos, kam shumë miq në futbollin italian nga presidentë dhe drejtues. Kam pasur klube futbolli në Itali dhe flas me miqtë e mi, por aktualisht futbolli kalon në plan të dytë atje, sepse nuk mund të fshijë me bukurinë dhe interesat e tij 25000 të vdekur. Ky është një moment historik, ku duhet të merret një vendim i kujdesshëm në avantazh të shëndetit të shoqërisë. Dhe mbi të gjitha futbolli pa tifozë është si një pranverë pa lule.DINAMO

Ka edhe një rrezik për të mos u kthyer më në fushë në këtë sezon. Ju si mendoni?

Është një pyetje e vështirë për mua, sepse jam në konflikt interesi. Kam një skuadër që po përpiqet të shpëtojë dhe interesi im do të ishte të ndalonte kampionati. Por kjo nuk do të ishte më e mira. Problemi im më i madh është që kam të huaj në ekip dhe me hapjen e kufijve midis Shqipërisë dhe Italisë, stafi dhe lojtarët duhet të përshtaten me dekretet e qeverisë shqiptare. Përveç problemit të transportit të mbyllur, është edhe karantina në territorin shqiptar pranë kufirit. Më kuptoni çfarë kaosi? Duke parë që Dinamo është një nga klubet që nuk ka qendër sportive, jemi të obliguar për t’u stërvitur në një qendër ku zbresin 5 skuadra. Më thoni si mund të menaxhohet situata, kur duhet të dezinfektohet çdo dy orë.

Si do të jetë e ardhmja e Dinamos?

Investimi im duhet të jetë në një gjë të vetme: një akademi për të rritur kampionë që të qëndrojnë gjatë në një klub historik si Dinamo. Por nuk dua t’i shpreh projektet e mia në një moment, ku është më i rëndësishëm shëndeti i njerëzve. Shpresoj që ky moment të mbarojë dhe uroj popullin shqiptar të kthehet në normalitet.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"