Ekskluzive/ Misteri 1 milion euro, si dështoi shitja e Elbasanit te anglezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2018 | 22:45

Ekskluzive/ Misteri 1 milion euro, si dështoi shitja e Elbasanit te anglezët

Në gushtin e 2016- ës, shitja e klubit të Elbasanit te një kompani e huaj angleze, ishte një prej lajmeve më të bujshme të asaj vere. Një operacion prej 1 milion eurosh, që do të përfitonin Bashkia e Elbasanit dhe Arben Laze si dy aksionerë në klubin verdheblu. Një projekt serioz, premtime të mëdha dhe deklarata për rikthimin e skuadrës në nivelet më të larta. Por, me kalimin e muajve, gjithçka u zbeh dhe nisën të shfaqen problemet e para.

Prodani-Eduard

Pas rreth 2 vitesh, shitja e Elbasanit tek anglezët është drejt dështimit. Ish-presidenti Laze lëshoi alarmin disa ditë më parë në intervistën e tij për “Panorama Sport”, ndërsa përmendi në këtë histori edhe ishSekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Eduard Prodani. Në një intervistë ekskluzive për gazetën, Prodani rrëfen të gjithë historinë e marrëveshjes mes kompanisë angleze dhe Elbasanit, duke treguar detaje. Ai i përgjigjet Lazes, ndërsa e këshillon që të gjejë një kompromis me kompaninë “Manchester Group”.

Zoti Prodani, emri juaj është përfshirë shpesh në historinë e shitjes së Elbasanit. Kush ishin dhe për çfarë qëllimesh erdhën në Shqipëri biznesmenët, që u tha se do të blinin klubin verdheblu?

Grupi i biznesmenëve nga Britania e Madhe përbëhej nga një investitor, një ekspert financimi projektesh dhe një specialist futbolli, ish-lojtar profesionist në Angli. Strategjia e shprehur e tyre ishte të krijonin një rrjet prej së paku tri klubesh futbolli në rajonin e Ballkanit, nëpërmjet menaxhimit cilë- sor të të cilëve të bënin të mundur identifikimin dhe zhvillimin e talenteve vendëse me destinacion kryesor klubet e Premier Ligës.

Për veprimet në Shqipëri, grupi do kishte pa dyshim edhe një partner biznesi vendës. Synimi i tyre fillestar në Shqipëri ishte që të blinin ndonjë nga klubet më popullore të futbollit tonë. Por, kur një gjë e tillë rezultoi e pamundur në buxhetet dhe afatet kohore që ata kishin në dispozicion, ndërruan strategji dhe përzgjodhën Elbasanin. Pavarë- sisht se luante në Kategorinë e Parë, për vetë traditën dhe rrethanat demografike, Elbasani përbënte një alternativë të përshtatshme për objektivat e biznesit të tyre.

6-19

Çfarë ndodhi më pas? Përse gjërat nuk shkuan siç u reklamua në media, si është situata sot?

Propozimi për blerjen 100% të aksioneve të KF Elbasani u bë pa vonesë në muajin gusht 2016. Qëllimi ishte që klubi të merrej në administrim brenda sezonit 2016-17 dhe të mbështetej me mjete financiare, lojtarë dhe menaxhim për t’u promovuar menjëherë në Kategorinë Superiore. Negociatat ishin shumë konstruktive, falë vizionit të qartë të Bashkisë, që zotëronte shumicën e aksioneve. Edhe aksioneri privat ra shpejt dakord me termat e shitjes, kështu që kontratat u nënshkruan pa vonesa të mëtejshme. Por, duhet thënë se klubi nuk paraqiti vlerësim të saktë mbi detyrimet që kishte krijuar në vite ndaj palëve të treta. Kjo krijoi një shqetësim të madh te blerësit kur filluan të përballen me kërkesa për shlyerje detyrimesh.

Edhe nga pikëpamja juridike, gjërat nuk shkuan si u planifikua dhe u tha në fillim. Fillimisht lindën vonesa për shkak të disa saktësimeve që u desh të bëhen në dokumentacionin dhe regjistrimin e subjektit blerës, “Manchester Group”. Më pas doli se aksionet e partnerit privat nuk ishin të lira për shitje si u parashtrua fillimisht në kontratë, gjë së solli shtyrje dhe vonesa të theksuara. Megjithatë, palët u mirëkuptuan dhe bashkëpunuan për përfundimin e procesit të transferimit të aksioneve sipas kontratës së shitjes.

Në dijeninë time, “Manchester Group” aktualisht u ka paguar këste të caktuara palëve shitëse, por nuk është shlyer me to sipas kontratës. Gjithsesi, nuk di të flas me kompetencë, pasi nuk jam njohur as me kontratën dhe as me balancën e detyrimeve të palëve. Ajo që mund të them është se zvarritja e procesit u bë shkak për mosmbarëvajtjen e klubit dhe zhgënjimin e publikut elbasanas.

Por, aspekti më problematik i vonesës rezultoi të ishte humbja e interesit për këtë projekt nga klubet partnere, pra, edhe humbja e momentit të biznesit nga ana e “Manchester Group”. Në këto rrethana, u largua edhe personi përgjegjës për menaxhimin sportiv, kështu që për “Manchester Group” blerja e KF Elbasani tashmë rezulton më shumë një operacion financiar sesa një projekt futbolli.

14389953_2114787348746711_1327892526_n-490x368

Përse skuadra u lëshua të bjerë nga kategoria? Kush e ka menaxhuar klubin në këtë periudhë?

Për të ndihmuar klubin të mos humbasë terren, partneri shqiptar i grupit blerës financoi individualisht një sasi mjetesh monetare për paga dhe pjesëmarrje. Megjithatë, kjo përpjekje nuk arriti të krijojë moment pozitiv në skuadrën e parë. Lojtarët dhe stafi humbën besimin dhe pas disa humbjeve që kulmuan me atë të ndeshjes Play-Out në fund të sezonit 2016-2017, skuadra ra nga kategoria. Ndërkohë, pavarësisht procedurave, menaxhimi i klubit “de fakto” është kryer gjithë kohën nga zoti Arben Laze. Pala e huaj ka mbikëqyrur ecurinë dhe është përpjekur të ndihmojë në aspekte të caktuara, por asnjëherë nuk ka marrë në dorë menaxhimin e klubit në praktikë.

Ndërkohë, zoti Laze, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” disa ditë më parë, është shprehur se pala e huaj nuk është më prezente dhe se për klubin janë shfaqur blerës të tjerë. Keni dijeni për këtë?

Mosprezenca e palës blerëse shpjegohet me faktin se partneri shqiptar prej një kohe të caktuar ka pasur probleme serioze me shëndetin, duke e pasur krejt të pamundur të merret me problemet e klubit. Ndërkohë, shqetësimi i zotit Laze është i drejtë. Por, ai duhet që nëpërmjet komunikimit me “Manchester Group” të gjejë kompromisin e përshtatshëm juridiko-financiar për situatën ose t’i drejtohet gjykatës. Natyrisht, që e para është më e këshillueshme. Zoti Laze ka deklaruar se ndërmjetës në këtë histori ishit ju dhe lë të kuptohet se edhe ju jeni përgjegjës në një farë mënyre.

A ndieni përgjegjësi në rast se e gjithë kjo histori dështon? Gjatë gjithë karrierës sime të futbollit, kam bërë vazhdimisht përpjekje që futbollin shqiptar ta bëj sa më tërheqës për investitorë të mundshëm nga jashtë. Kjo, sepse jam i ndërgjegjshëm se përveç financimeve, për progres të shpejtë, futbollit shqiptar i duhet të importojë edhe mentalitetet e mënyrat e përparuara të menaxhimit. Biznesmenët në fjalë, përmes njohjeve personale, më kontaktuan për t’u këshilluar në lidhje me idenë e tyre për t’u bërë pjesë e futbollit shqiptar.

Natyrisht që brenda kufirit të përgjegjshmërisë profesionale, unë u paraqita atyre një tablo në perspektivë pozitive, gjë që pak a shumë i bindi të tërhiqen në ndërmarrjen shqiptare. Isha po unë, që i këshillova për të marrë në konsideratë blerjen e klubit të Elbasanit, pasi përveç aspektit të vlerave dhe avantazheve që paraqet futbolli elbasanas, isha i informuar për interesin e pronarëve për shitjen e aksioneve të klubit.

Po cili ka qenë roli juaj konkret në këtë histori?

Në të gjithë këtë proces, unë kam pasur vetëm rolin e këshilltarit të palës së huaj. Po ashtu, pa pasur asnjë detyrim kontraktual, kam kontribuar kohë dhe përpjekje të shumta për më se një vit për të ndihmuar proceset, duke përfshirë këtu edhe atë të zhbllokimit të aksioneve të zotit Laze. Teksa pagesat e para janë kryer dhe pala e huaj tashmë ka shpenzuar për këtë operacion, një shumë jo edhe aq të papërfillshme, unë ndihem i çliruar edhe nga ndonjë ngërç moral që do të kisha kur pala e huaj do kishte rezultuar falsitet, siç ka ndodhur jo në pak raste në futbollin tonë.

Siç e shpreha edhe më lart, nëse ka mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale, tani e ka fjalën marrëveshja midis palëve ose gjykata. Së fundi, me zotin Laze kam qenë në kontakt të vazhdueshëm që nga fillimi i procesit, ku në shumë raste kam mbajtur anën e tij në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me palën e huaj. Nuk e di sesi e ka perceptuar zoti Laze këtë, por në vendin e tij, unë do të isha së paku falënderues.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"