EKSKLUZIVE/ “Mezi pres të punoj me një trajner të madh si Josa”, Herald Marku: Ja pse u largova nga Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2022 | 22:10

EKSKLUZIVE/ “Mezi pres të punoj me një trajner të madh si Josa”, Herald Marku: Ja pse u largova nga Partizani

Herald Marku firmos më në fund me Vllazninë dhe këtë e bëri vetëm dy orë para nisjes së ekipit dje drejt Austrisë. “KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e akordit me futbollistin Herald Marku. Mesfushori shkodran rikthehet në skuadrën tonë, duke firmosur një kontratë 1- vjeçare, me të drejtë zgjatjeje edhe për një vit tjetër. KF Vllaznia i uron Heraldit një përfaqësim sa më dinjitoz të fanellës kuqeblu dhe të gjithë së bashku të përjetojmë të tjera emocione suksesesh. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde!”, citohej në njoftimin e klubit shkodran për afrimin e 26-vjeçarit.

HERALD MARKU

“Panorama Sport” kontaktoi me mesfushorin dhe ky i fundit tregoi arsyet pse bëri këtë zgjedhje, në një kohë që kreu thuajse gjithë fazën përgatitore me Partizanin dhe tashmë do të bëjë të njëjtën gjë me kuqeblutë. Gazeta zbulon se Marku do të marrë 4 mijë euro në muaj nga kontrata që firmosi me Vllazninë. Për rikthimin e tij në Shkodër insistoi edhe trajneri Mirel Josa.

Herald, së pari cila ishte arsyeja më e madhe që ju bëri të ktheheshit në Shkodër?

Kam kaluar shumë mirë në Shkodër. Kam ndjesi shumë të mirë për ekipin, qytetin dhe çdo gjë tjetër, kështu që dua të përjetoj sërish emocionet fantastike të viteve më parë.

Këtë herë do të punoni me Josën, i cili deklaroi se ka insistuar në klub që ju të afroheni…?

Mezi pres të punoj, sepse është trajner shumë i mirë dhe shpresoj të rritem akoma më tepër në drejtimin e tij.

Të flasim pak për Partizanin, përse vendosët të largoheshit?

Pas një sezoni me ulje-ngritje, për shumë arsye mendova se më e mira është të largohem nga Partizani.

Ju kishit edhe një vit kontratë me klubin e kuq, si i bindët drejtuesit t’ju linin të lirë para Europës?

Pata një takim me drejtuesit dhe diskutuam mbi situatën time. Ramë dakord të dyja palët që kjo ishte zgjidhja më e mirë. Sigurisht që çdo futbollist kërkon që t’i shkojë sa më mirë kudo, por jo gjithmonë ndodh ashtu.

Thatë që patët sezon me ulje-ngritje, po ndonjë moment të mirë çfarë mund të kujtoni?

Mendoj se ndeshjet e fundit të sezonin e kaluar, që bënë të mundur edhe sigurimin e Europës, kanë qenë momente të mira për mua.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"