EKSKLUZIVE/ Mesi pret të përjetojë emocionet e derbeve, Besir Demiri: Për Dinamon, sukses edhe Kupat e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2021 | 23:00

EKSKLUZIVE/ Mesi pret të përjetojë emocionet e derbeve, Besir Demiri: Për Dinamon, sukses edhe Kupat e Europës

Besir Demiri është një nga lojtarët që për bëjnë boshtin e Dinamos. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, i grumbulluar më parë edhe nga Kombëtarja kuqezi, do të luajë në qendër të mesfushës dhe do të organizojë lojën e bluve.

besir demiri

Pas një viti aktivizim me Kukësin, ai e njeh mirë Superioren, që e konsideron një kampionat të vështirë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari deklaron se për një ekip që i mungon elitës prej 10 vitesh do të ishte sukses, nëse do të zinte një vend që do ta çonte në Kupat e Europës.

Besir, a është gati Dinamoja për startin e kampionatit të Superiores, që ju e njihni tashmë?

Së pari, do të thosha se kampionati shqiptar nuk është i lehtë. Mund të duket ashtu, por në të vërtetë nuk është aq i lehtë. Dinamo ka afruar shumë lojtarë, por mendoj që jemi më se gati për fillimin e sezonit të ri. E presim me pozitivitet dhe shpresojmë ta nisim sa më mirë.

Te ndeshja e fundit me Kukësin, edhe pse miqësore, sikur pati disa probleme. Çfarë nuk funksionoi?

Po, mund të them se ishte ndeshja më e dobët e Dinamos në këtë fazë përgatitore, por e mira është që ndodhi në një miqësore dhe duhet të marrim një mësim, të korrigjojmë gabimet. Nuk duhet ta përsërisim kurrsesi atë ndeshje.

E nisni kampionatin ndaj Kastriotit. Si e konsideroni këtë ndeshje dhe kundërshtarin?

Ne e dimë shumë mirë që ndeshjet në transfertë nuk janë asnjëherë të lehta, pavarësisht se ndaj kujt luan. Kastrioti luan futboll të fortë, ka bërë ndryshime në skuadër, por sido që të jetë, ne kemi si objektiv ta fillojmë sezonin mbarë. Të marrim tri pikët, ajo është e rëndësishme, pastaj të shohim.

A i keni ndjekur skuadrat shqiptare që luajtën në Kupat e Europës, pasi presupozohet që janë rivalët tuaj në garë?

Po, i kemi ndjekur, por secila nga ato skuadra që ishin në Kupat e Europës ka bërë ndryshime. Kemi Teutën që ka bërë shumë ndryshime pas Europës, kemi Laçin që ka ndryshuar edhe trajnerin, Shpëtim Duron. Partizani po ashtu pas ndeshjeve të Europës ka ndryshuar shumë lojtarë, kanë ikur Bardhi dhe disa të tjerë. Të gjitha ekipet kanë ndryshuar dhe nuk i njohim aq mirë.

Ky është edhe një avantazh për ju, apo jo?

Kur ka ndryshime të shumta, duhet pak kohë, por them se Dinamo, si ekip i ri, është aty. Nuk mund të justifikohemi në asnjë moment më faktin që jemi ekip i ri.

Këtë sezon do të përjetoni edhe emocionet e ndeshjeve derbi, që nuk janë pak…

Nuk e di deri tani, sepse nuk kam qenë futbollist i Partizanit apo Tiranës, por di nga sezoni i kaluar se kur luanin Partizani dhe Tirana, gjithë java ishte e zjarrtë, pavarësisht se luhej pa tifozë. Mezi e pres që të përjetoj emocionet e derbit edhe me tifozë. E kam provuar në Maqedoni me Shkupin, por edhe në kohët “e arta” të Vardarit.

Rikthehemi te merkatoja e Dinamos. Duke lënë mënjanë sasinë e blerjeve, a e ka realisht skuadra kualitetin për të pretenduar titullin apo Kupat e Europës?

Duke parë emrat që ka marrë Dinamo dhe përgatitjet që ka bërë, unë mendoj se i ka të gjitha cilësitë për kreun e tabelës. Kur them kreun e tabelës, nuk kam parasysh vetëm titullin kampion, por edhe Kupat e Europës, sepse për Dinamon, duke parë si kanë rrjedhur gjërat, që kthehet në Superiore pas 10 vjetësh, mendoj se është sukses edhe pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Nuk do të jetë e lehtë, po të kemi parasysh rivalitetin?

Jo, nuk do të jetë e lehtë. Çdo skuadër ka pretendimet e veta dhe uroj t’i arrijmë. Them se cila do të marrë më shumë pikë në sfidat direkte me rivalët, ajo do të kalojë.

FATJON RUPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"