EKSKLUZIVE/ Mesfushori pret vizën e punës, Skënderbeu do shumën e majme për 21-vjeçarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 14:37

EKSKLUZIVE/ Mesfushori pret vizën e punës, Skënderbeu do shumën e majme për 21-vjeçarin

Randi Dumfur stërvitet me Skënderbeun, por zyrtarisht nuk mund të luajë dot.

dumfur

Ai nuk është federuar nga klubi, ndonëse u bënë javë që po punon me pjesën tjetër të grupit.

Mesfushori nuk mund të aktivizohet tek asnjë ekip për momentin, pasi është duke pritur një përgjigje nga Greqia.

Ganezi ka arritur një marrëveshje me Episkopin, ekip që militon në Kategorinë e Dytë helene.

E megjithatë, as atje nuk po shkon dot. Situata duket disi e komplikuar për 21-vjeçarin, që prej tri sezonesh ka dhënë mjaft te korçarët.

ÇËSHTJA

Randi u largua si lojtar i lirë nga Skënderbeu, direkt sa u mbyll sezoni.

Destinacioni për të do të ishte Greqia, atje ku do të vijonte karrierën e vet me një kontratë dy-vjeçare.

Nga kjo lëvizje, bardhekuqtë nuk do të mbeteshin “thatë”.

Edhe pse nuk kishte asnjë marrëveshje që e mbante lidhur me korçarët, Skënderbeu do të përfitonte rreth 30 mijë euro.

Kjo për rritjen e lojtarit në Korçë, që u transferua në moshën 18 vjeçare.

Por pas pak javësh u rishfaq në Shqipëri, duke u vënë nën urdhrat e Migen Memellit.

Burime te sigurta bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se kjo është situata e lojtarit.

Randi ka një akord paraprak me ekipin grek të Episkopit dhe duket se dëshira e tij është që të ndërrojë ambient dhe të zhvendoset në Greqi.

Gjë që edhe vet lojtari e ka shprehur hapur disa herë.

VIZA

Por i gjithë problemi qëndron te viza e punës për në shtetin helen. Dokumentacioni përkatës prej kohësh po vonohet dhe nuk dihet se deri në çfarë pike është procedura.

Kjo situatë detyroi lojtarin që të rikthehej në Korçë dhe të paktën të stërvitej.

Palët ranë dakord dhe mendohet se kanë arritur në një konkluzion të përbashkët gjatë procesit të fazës përgatitore.

Klubi i ka ofruar lojtarit që nëse dështon transferimi tek Episkopi, të qëndrojë te Skënderbeu.

Dyert janë të hapura për të. Duke qenë se Randi ka dalë si lojtar i lirë, tashmë në merkato mund të federohet në çdo moment.

Pritet që në fund të javës së ardhshme çështja e lojtarit të marrë një rrugëzgjidhje përfundimtare.

Nëse dokumentacioni përkatës nuk vjen deri në mes të muajit shtator, palët do të diskutojnë për qëndrimin definitiv të afrikanit te Skënderbeut.

Dhe nëse ndodh kjo, ai duhet të rinovojë kontratën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"