EKSKLUZIVE/ Mesfushori i Partizanit pritet në Shkodër, kontrata me “demat” drejt prishjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 14:39


EKSKLUZIVE/ Mesfushori i Partizanit pritet në Shkodër, kontrata me “demat” drejt prishjes

Vllaznia insiston për shërbimet e mesfushorit Herald Marku, i cili është edhe një vit nën kontratë me Partizanin.

HERALD MARKU

Lojtari po vijon fazën përgatitore në Slloveni me të kuqtë, por sot mund të jetë një ditë vendimtare për një marrëveshje të mundshme mes palëve, që e rikthen Markun në Shkodër pas vetëm një sezoni larg kuqebluve.

“Panorama Sport” zbulon nga burime pranë lojtarit, por edhe dy klubeve, se ka pasur biseda intensive në orët e fundit për të gjetur një marrëveshje.

Gjithsesi, në fund ata që do të vendosin janë pikërisht drejtuesit e kuq, duke qenë se Marku është nën kontratë dhe zgjidhja e saj kërkon mirëkuptim të plotë mes palëve.

Nga ana tjetër, zor se Vllaznia do të kërkojë të paguajë një dëmshpërblim për Markun, prandaj dhe po shikohet mundësia e një marrëveshjeje në mirëkuptim të plotë të të gjitha palëve.

Trajneri Dritan Mehmeti e ka në plane lojtarin, madje e ka preferuar titullar në të dyja miqësoret e zhvilluara deri më tani në fazën përgatitore në Slloveni.

Mirëpo, duket parë konkurrencën e madhe në repartin e mesfushës, por edhe precedentin e sezonit të kaluar, ku më së shumti qëndroi në stol, lojtari me origjinë nga Shkodra ka shfaqur hapur dëshirën për t’u rikthyer.

Marku luajti dy sezone radhazi me Vllazninë dhe pasi fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 2021, u transferua te Partizani si lojtar i lirë bashkë me qendërmbrojtësin Dajan Shehu.

Ky i fundit është rikthyer në Shkodër, ndërsa në klubin kuqeblu presin tashmë të bëjë të njëjtën gjë edhe Marku.

Sot mund të vendoset gjithçka, për më tepër që edhe trajneri Mirel Josa kërkon ta ketë grupin e plotë në prag të nisjes së ekipit drejt Austrisë, aty ku për 14 ditë do të kryejë një minifazë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL