EKSKLUZIVE/ “Meritonim fitoren kundër Partizanit”, Aleksi i bindur: Tirana nuk e lëshon kreun (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 20:24

EKSKLUZIVE/ “Meritonim fitoren kundër Partizanit”, Aleksi i bindur: Tirana nuk e lëshon kreun (E PLOTË)

Albano Aleksi është me këmbë në tokë. Titullin nuk e përmend si të fituar, ndërsa nga ana tjetër thotë se në derbi mund të merrnin tri pikët, por qe fati i Partizanit që sfida të mbyllej në barazim. Aleksi pranoi në një intervistë për “Panorama Sport” se takimi në Laç është shumë i vështirë, por Tirana do të bëjë më të mirën që të shpallet kampione këtë sezon.

ALBANO ALEKSI 1

Aleksi, a i mori maksimumin Tirana ndeshjes derbi me Partizanin?

Normalisht ishte një ndeshje e vështirë. Ishte një ndeshje derbi dhe kjo sfidë gjithmonë është e komplikuar. Së pari, dua të falënderoj tifozët, ishin një forcë shumë e madhe për ne. Na kanë mbështetur në maksimum. Në këtë sfidë ishin një plus shumë i madh për ne dhe për mbështetjen që na kanë dhënë në këtë sfidë, por edhe në çdo takim tjetër të kampionatit.

Tani mund të themi se Tirana është shumë pranë titullit të dytë rresht kampion?

Në do të vazhdojmë të luftojmë për titullin kampion. Asgjë nuk ka mbaruar.

Cilat ishte tabloja e vërtetë e derbit për Aleksin dhe mund të merrnit më shumë?

Duke parë ecurinë e garës ne mund edhe ta fitonim ndeshjen. Siç vajti kjo sfidë ishte e çuditshme. Edhe mund ta humbitnim, por ne treguam se kishim dinjitet, pasi edhe kur ishte loja në disavantazh për ne, vazhduam të luanim futboll. Kundërshtari po luante me topa të gjatë. Ne besuam. Mund ta fitonim sfidën në fund të takimit, por për fat të mirë të kundërshtarit, loja doli në barazim.

Gara për titullin kampion është e hapur apo pas këtij barazimi gjërat janë mbyllur?

Gara është e hapur. Ne shohim ndeshjen e radhës. Derbi ishte ndeshja e radhës dhe Laçi do të jetë sfida e radhës. Në Laç kemi një ndeshje të vështirë. Do të vazhdojmë të luajmë me maksimumin tonë. Shpresojmë që ta fitojmë takimin e radhës dhe të vazhdojmë në krye dhe të qëndrojmë sa më larg Partizanit.

Në aspektin personal, keni zhvilluar një ndeshje të mirë, pasi luftuat në çdo repart. Një takim sipër për ju?

Kur të jep trajneri detyra, mundohesh t’i zbatosh 100 për qind. Shpresoj ta kem bërë punën sa më mirë. Unë bëj një punë siç bën çdo lojtar tjetër në skuadër. Në fund të fundit mendoj se të gjitha bashkë. Të gjithë bëjmë gjëra të mira. Shpresojmë që nga kjo anë të dalim fitues.

Në Laç ju kthehen edhe dy lojtarë të rëndësishëm. Tani skuadra është pak më e plotë?

Normalisht që të dy janë lojtarë shumë të rëndësishëm për ekipin. Këtu flas për Hilën dhe Hasanin. Janë lojtarë që nga ta presim shumë. Për më tepër që Regi është i dëmtuar dhe rikuperohet një tjetër. Ne kemi frymën e grupit dhe jo një lojtar individ. Transfera e Laçit është e vështirë. Ama kur na është dashur trepikëshi ne ia kemi dalë gjithmonë.

Festuat si të çmendur edhe pse nuk fituat…

Duke qenë se ne kemi qenë shumë pikë përpara, shumë gabime kanë qenë tonat. Ruajtëm distancën dhe kjo ishte kënaqësi më vete.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"