EKSKLUZIVE/ “Meritojmë titullin”, Hoxhallari: Gati për çdo opsion, ju tregoj si stërvitem në këtë periudhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2020 | 10:32

EKSKLUZIVE/ “Meritojmë titullin”, Hoxhallari: Gati për çdo opsion, ju tregoj si stërvitem në këtë periudhë

Erjon Hoxhallari është nga lojtarët më të rëndësishëm të Tiranës dhe një nga ata me më shumë ndeshje te bardheblutë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë flet për situatën te bardheblutë. Sipas tij, situata është e vështirë, por shpresohet që gjendja të përmirësohet.

hoxhallari

Si është të qëndrosh i izoluar në shtëpi?

Ishte pak e vështirë në fillim, por me kalimin e kohës po përshtatem me këtë situatën e izolimit, sepse eshte dicka që vlen për mirë.

Është e vështirë për një futbollist që të qëndrojë i mbyllur pas mureve?

Besoj se për të gjithë futbollistët është e vështirë të rrinë pa futboll, por në këtë situatë që ndodhemi duhet të mendojmë për shëndetin tonë dhe familjes të hedhim këtë situatë pas krave dhe pastaj të vazhdojmë pjesën e futbollit.

Me stërvitjen si ja bëni?

Po mundohem të përshtatem me oraret e lira që lejohet levizja dhe duke bërë stërvitje individuale, vrapime dhe pasdite duke bërë ushtrime izometrie e muskuj barku në kushte shtepie.

Do të luani në kohë pushimesh?

Shpresojmë që të mbarojë kjo situatë sa më shpejt që të fillojë dhe kampionati sa me shpejt. Por nëse zgjat, besoj se dhe ne qershor dhe korrik kushtet janë të përshtatshme, duke parë që dhe ndeshjet e Europës vitet e kaluara në këtë periudhë janë luajtur.

Titulli po diskutohet mes vendimit në tavolinë, play off dhe rinisjes së kampionatit? Ju keni një mendim për këtë çështje?

Ky vendim i përket organeve kopetente për rinisje apo për jo të kampionatit apo për mendimin e “play off”-it. Mendoj se ne e kemi treguar që deri tani jemi me meritë 9 pikë larg dhe e meritojmë aty ku jemi. Dhe për çdo opsion për rinisjen e kampionatit si play off dhe vazhdim normal, ndeshjet janë njëlloj të veshtira, gjë, e cila ne duhet ta shohim si finale çdo ndeshje, sepse veshtirësia do jetë akoma më e madhe.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"