Memushi: Ky Flamurtar pa vlonjatë, i turpshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2016 | 15:10

Memushi: Ky Flamurtar pa vlonjatë, i turpshëm

Traineri i Flamurtarit Eqerem Memushi, gjate ndeshjes se futbollit, Tirana-Flamurtari i Vlores, 1-0, e vlefshme per Super Kupen e Shqiperise, e luajtur ne stadiumin Qemal Stafa.Eqerem Memushi shpërthen për situatën te Flamurtari. Ish-trajneri vlonjat, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” akuzon administratorin Sinan Idrizi dhe ish-kryebashkiakun Shpëtim Gjika. “Klubi po menaxhohet keq, madje nga njerëz që e kanë shkatërruar vazhdimisht Flamurtarin dhe e rrëzuan nga kategoria disa vite më parë”, thotë ndër të tjera ish-trajneri i kuqezinjve.

Zoti Memushi, si i keni parë zhvillimet e fundit te Flamurtari?

Kam parë reklamën që i është bërë skuadrës, por që nuk po tregon asgjë. Nuk dua që t’i paragjykoj lojtarët e afruar së fundmi, por të them të drejtën ekipi nuk shfaqi ndonjë vlerë në ndeshjen me Tiranën. Gjithsesi, janë edhe 90 minuta lojë, kështu që nuk ka mbaruar ende.

Ju keni fituar Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin si trajner dhe për koincidencë, edhe në atë periudhë skuadra ka luftuar për mbijetesë në kampionat?

Po, por e kemi fituar në një moment kur mosha mesatare e lojtarëve ishte 21 vjeç. Pra, nuk jemi në të njëjtat pozita. Vërtet rrezikonim të binim nga kategoria, por e lamë ekipin në vendin e pestë në renditje. Unë pajtohem me mikun tim, Sokol Kushta, kur shprehet se ky Flamurtar nuk është i Vlorës.

Jeni kundër ndryshimeve të fundit në ekip?

Flamurtari rrezikon seriozisht të dalë nga kategoria. Klubi po largon lojtarët vlonjatë, kjo është fatkeqësi. Drejtuesit duhet të bëjnë atë që po bën Vllaznia, që i është kushtuar akademisë. Flamurtari ka dy vjet që po administrohet nga kompanitë turke e Sinan Idrizi dhe ka ndryshuar tre trajnerë dhe 4 skuadra. Ky Flamurtar nuk na jep garanci. Shikoni Skënderbeun, edhe kjo skuadër ishte për të dalë nga kategoria vite më parë, por ja ku është me një pamje tjetër.

Po thoni se administrimi i klubit nuk është në drejtimin e duhur…?

Me ardhjen e administratorit të ri, mendova se klubi do të kishte pamje tjetër, por kjo nuk ndodhi. Madje Idrizi nuk po bën dot as biznes. Të jemi realistë, problemet e presidentit janë të mëdha. Nuk e di ku çalon puna, por është turp i madh që Flamurtari është në këtë situatë. Kjo është skandaloze, pasi kompanitë turke janë serioze dhe me reputacion në Europë e nuk mendoj se problemi qëndron tek ato. Kemi dy vjet që shikojmë projekte, por nuk dimë koston e kolltukut që duam të marrim. Nuk po prekim gjë dhe ky është turp me plot gojën.

Atëherë, cila është zgjidhja sipas jush?

Zgjidhja janë pagat e lojtarëve dhe të mos lexojmë më në media që ka probleme financiare. Një skuadër matet me trofe dhe unë i uroj suksese Idrizit me sinqeritet, por i them që të jetë më i kujdesshëm me deklaratat.

Për cilën deklaratë e keni më konkretisht fjalën?

Idrizi ta ketë për nder që Sokol Kushta t’i japë opinione dhe mendime dhe jo t’i thotë që do t’i thahet pena. Nuk i thahet pena Sokolit, pasi ai na ka bërë krenar të gjithëve. Nuk duhet që Idrizi të shikojë Sokolin dhe shumë të tjerë me syrin e atyre servilëve që i rrinë nga pas dhe që, edhe pse e rrëzuan nga kategoria Flamurtarin vite më parë, qëndrojnë akoma aty.

Po akuzoni, por nuk po flisni me emra?

E dinë të gjithë, s’ka nevojë që t’i përmend. Aty janë ata që kanë shitur dinjitetin e Vlorës, kanë nxjerrë Flamurtarin nga kategoria dhe nuk duhet të afroheshin te shatërvani dhe jo të qëndronin brenda në stadium.

Nëse ju bënin një ofertë, do ta kishit pranuar?

As kam ndër mend të afrohem aty, nuk do të shkel më në atë ambient, pasi nuk të vlerëson njeri. Shprehem kështu, pasi shikoj mënyrën sesi Idrizi e ka organizuar punën. Në postet drejtuese ka njerëz që nuk kanë lidhje me sportin. Drejtori i terreneve nuk është i sportit, në një kohë që ka shumë sportistë të mirë në Vlorë, si atletë, basketbollistë dhe volejbollistë. Ky është një ngërç dhe i bëj thirrje administratorit ta shikojë veten në pasqyrë, pasi nuk i ka dhënë asgjë Vlorës.

Jeni shumë kritik me Idrizin zoti Memushi. Ai e ka pranuar vetëm dështimin…

Jam kritik, pasi po merr disa vlera pa i pasur. Ai nuk duhet të jetë prepotent, sepse nuk ka bërë asgjë. Do t’i përuleshim nëse do të ishte e kundërta. T’i bëjë realitet të gjitha ato që ka premtuar dhe jo t’i bëjë presion publikut me kryeministrin dhe pushtetarët e tjerë. Idrizi ka kontratë të rregullt, por administrimi është zero. Janë shkrirë katër skuadra me probleme nën drejtimin e tij. Nuk mendoj se kompanitë turke s’kanë 500 mijë euro për një qytet si Vlora.

Klubi po penalizohet për shkak të borxheve. Cili është komenti juaj për këtë çështje, në një kohë që bashkia aktuale nuk i merr përsipër?

Idrizi bëri kompromis me Gjikën dhe tani e godet. Nga ana tjetër, Gjika thotë se është në krah të Idrizit, mos po bëjnë ndonjë lojë të dy këta?! Pse nuk thotë të vërtetën Gjika? Atëherë kur thotë se e ka aleat Idrizin, t’i paguajë Gjika të gjitha borxhet dhe të qetësohet opinioni. Pse nuk thonë që edhe Shkëlqim Selami është pronar i klubit. Unë kam qenë futbollist atëherë kur Selami ishte president dhe kishte aksione së bashku me firmën “Kamberi”. Pse nuk thonë këta që Selami ka 38% të aksioneve te Flamurtari dhe kjo është me letra, me firmë dhe me vulë. Edhe pse ka aksione dhe shumë të tjera mundësi, edhe si deputet, ai nuk prononcohet, por mbetet sportdashës dhe dashamirës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"