EKSKLUZIVE/ Memelli blindon mesfushën, Skënderbeu transferon dy lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2022 | 14:43

EKSKLUZIVE/ Memelli blindon mesfushën, Skënderbeu transferon dy lojtarë

Edhe pse me merkato të bllokuar nga FIFA, Skënderbeu nuk heziton të bëjë përforcimet e nevojshme për të përballuar pjesën e dytë të sezonit.

KLODIAN GJINO

“Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht se krahas lojtarit të krahut, Erlis Frashëri, me ekipin korçar janë bashkuar së fundmi edhe dy mesfushorë.

Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Klodian Gjino, si dhe 20-vjeçarin Skerdilajd Levendi.

I pari është një mesfushor shkatërrues që prej 8 vitesh luan në Greqi, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Kombëtares U-21.

Gjino është prodhim i akademisë së Olimpiakosit, ndërsa ka luajtur në Greqi edhe për skuadra si Aris Selanik, Fostiras, Kalamata, Panargiakos, Panahaiqi, Apollon Smirnis, Ionikos, Hania dhe së fundmi Prodheftiqi në Ligën e Dytë.

Mesfushori është aktivizuar me fanellën kuqezi të Shpresave në 10 ndeshje. Ai u bë protagonist edhe një vit më parë në merkato, teksa ra dakord të firmoste për Vllazninë, por në momentet e fundit ndryshoi mendje dhe u largua nga Shkodra.

Duke parë cilësitë e tij, klubi korçar beson se ka bërë një goditje të zgjuar, për më tepër që mesfushori beratas ka shumë eksperiencë.

Ndërkohë, afrimi tjetër, Levendi, është një mesfushor me tipare sulmuese, që mund të luajë në të dy krahët. Ai debutoi me Apoloninë në Kategorinë Superiore gjatë sezonit të kaluar, ndërsa korçarët kishin kohë që e ndiqnin.

LEVENDI

Gazeta mëson se drejtuesit ishin futur në bisedime me klubin fierak për të marrë shërbimet e të riut, por vetëm në këtë periudhë merkatoje do të bëhet realitet transferimi.

Ashtu si Gjino, edhe Levendi është vënë tashmë nën urdhrat e trajnerit Memelli. Ky i fundit e sheh fierakun si një lojtar “xhol”, pasi mund të luajë fare mirë si në pozicionin e sulmuesit të krahut, ashtu edhe mesfushor qendre.

Në total Skënderbeu ka kryer tri afrime deri tani, ndërsa ka nisur grumbullimin që më 3 janar në rezidencën e zakonshme në Durrës.

BLLOKIMI

Klubi i Skënderbeut nuk ka zyrtarizuar ende asnjë afrim dhe kjo e ka një shkak. Ashtu si në vitin e kaluar, për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj ish-lojtarëve që kanë fituar gjyqe me vendim të formës së prerë, FIFA ia ka bllokuar për momentin merkaton klubit korçar.

Megjithatë, në klub janë të bindur se deri në 31 janar do të bëjnë federimet që dëshirojnë, ashtu siç vepruan edhe në sesionin e kaluar të transferimeve.

Mbetet për t’u parë nëse afrime si Frashëri, Gjino dhe Levendi do të jenë gati për ndeshjen e radhës ndaj Laçit.

gjino levendi

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"