Ekskluzive/ Mema: Arbitrin Pregja e rrahën me qytë pistolete në Berat, por Tirana e meritoi titullin e vitit 2000. Kaluam lumin në këmbë se nuk kishte urë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2020 | 0:13

Ekskluzive/ Mema: Arbitrin Pregja e rrahën me qytë pistolete në Berat, por Tirana e meritoi titullin e vitit 2000. Kaluam lumin në këmbë se nuk kishte urë

 

Sulejman Mema është një nga ata që me Tiranën ka bërë histori. Si lojtar, trajner dhe drejtues. Në vitin 2000 kur bardheblutë morën titullin e radhës, Mema ishte shef klubi. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, Sulejman Mema hedh poshtë idenë e favorizimit të Tiranës dhe dëmtimit të Tomorit si dhe rrëfen çfarë ndodhi në disa episode të veçanta sidomos javët e fundit të kampionatit.  sulejman mema

Mund të kthehemi pas 20 vite te titulli i vitit 2000. Drejtuesit e skuadrës së Tomorit akuzojnë federatën që ndryshoi rregulloren për të favorizuar Tiranën?

Nuk mund të flas për ndryshim rregulloresh. Mesa mbaj mend unë. Për vitin 2000 mbaj mend që ne dhe Tomori dolëm me pikë të barabarta dhe në fund me penallti fituam ne. Mbaj mend që ndeshja shkoi 1-0 për ne dhe më pas barazoi Tomori në fund. Nuk mund të ndryshohej rregullorja në fund të kampionatit. Nuk e di përse nga personazhet e asaj kohe ka pretendime. Gjyqtarët në atë ndeshje u zgjodhën me konsensus. Sa për rregulloren e përsëris, nuk mbaj mend të jetë ndryshuar.

Thjesht sepse ata mendojnë se rregullorja u ndryshua për të favorizuar Tiranën nga ana e federatës?

Nuk bëhet fjalë. Besoj se të gjithë e mbajnë mend atë histori dhe cilët e drejtonin asokohe ekipin e Tomorit. Po të tregoj një fragment. Në Berat, në kampionatin e rregullt, Tomori fitoi me një gol, që nuk ishte gol, por që e dha Bujar Pregja si të rregullt. Në minutën e fundit të lojës, Blend Nallbani e kapi topin jashtë vijës së portës, por u dha gol. Bujar Pregjën e kanë goditur me pistoletë pas koke(qytën e pistoletës), madje këtë ngjarje e kam denoncuar edhe në TV atë kohë. Flasim për ndeshjen e kampionatit të rregullt. Edhe policia nuk bëri dot gjë edhe pse shefat e policisë ishin oficerë karriere. Problemi është se për atë takim nuk ka pamje filmike.

Sulejman Mema

Sipas jush, Tirana e meritonte titullin atë vit?

Të dyja skuadrat kanë qenë shumë të mira dhe mund ta meritonin titullin. Tomori ishte një skuadër fortë, e egër në fushë. Luante mirë futboll. Edhe Tirana kishte vlera dhe nuk është ndihmuar nga federata. Po kujtoj diçka tjetër. Nëse nuk gabohem në javën e fundit ishim pothuajse kampionë, por barazuam 1-1 me Luftëtarin në Gjirokastër dhe kjo na prishi punë. Ishte një ndeshje e çmendur, sepse shënuam të parët dhe Luftëtari na barazoi vetëm në sekondat e fundit. Ishim dy pikë përpara Tomorit, por pas ndeshjes në Gjirokastër u barazuam me pikë dhe më pas u vendos që titulli të luhej me një ndeshje shtesë.

Si ka qenë historia e gjyqtarit që është kontestuar nga beratasit, pas vendimit që mori federata për t’u luajtur në Elbasan?

Nuk e mbaj mend se cili ka qenë gjyqtari i ndeshjes. Di që kanë ardhur tre treshe arbitrash dhe është vendosur para ndeshjes. Mund të kujtoj diçka tjetër. Në atë ndeshje kanë qenë dy kupa në stadium. Njëra ishte ajo e prodhuar nga federata dhe tjetra është sjellë nga Ben Stërmasi dhe Gëzim Mema. Tifozët mendonin se atë kupë meritonte Tirana. Ishte një kupë e madhe, gjigande që ende do të jetë në klub. Nëse fitonte Tirana do të merrej ajo kupë dhe ashtu u bë në fund. Tirana mori dhe ngriti kupën e tifozëve.Pregja

Është folur edhe për një “hile” që ndeshja të luhej në Elbasan dhe jo në një qytet tjetër dhe ju ndikuat te federata për fushën ku do të luhej ndeshja shtesë?

U vendos që të luhej në Elbasan nga ana federatës. Mbaj mend që drejtor policie ka qenë Edmond Koseni. Beratasit kanë qenë të shumtë në numër. Me ne është sjellë shumë mirë dhe ndeshja shkoi mirë. Këto ndërhyrjet në federatë nuk janë të vërteta. Federata kërkonte një ndeshje dhe vend me qetësi. Do të them diçka tjetër për ato ditë. Tirana ka pasur një hall shumë të madh për të shkuar në Elbasan.

Kishte rënë Ura e Peshkatarit dhe policia nuk lejonte mjetet që të kalonin nga Krraba. Duhet të udhëtonim nga Rrogozhina. Si tani e kujtoj futëm autobuzin në lumë, së bashku me lojtarët dhe doli në krahun përtej derisa u kthye në rrugë. E paimagjinueshme.Muxhaj3

President ishte El Saedi?

Po është e vërtetë. Ka qenë edhe ai në Elbasan. Pasi fituam titullin, ishim së bashku me El Saedin dhe kemi ardhur drejt Tiranës. Shumë kilometra nga Tirana, zbritëm nga makina diku nga maloret e Krrabës dhe ecëm në këmbë për një copë rrugë dhe jo pak. Ishte shumë vonë, të frikësuar se ishte errësuar, derisa mbërriti makina nga krahu tjetër dhe na mori. Ishin kohë të tjera ato…

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"