EKSKLUZIVE/ “Me Xhixhën e Seferin do jemi një treshe e fortë”, Hasani flet si bardheblu: Me Tiranën kap Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2022 | 8:08

EKSKLUZIVE/ “Me Xhixhën e Seferin do jemi një treshe e fortë”, Hasani flet si bardheblu: Me Tiranën kap Europën

Florent Hasani flet si bardheblu. Në një in tervistë për “Panorama Sport”, sqaron përse zgjodhi bardheblutë dhe çfarë pret nga kjo aventurë e re. Hasani është blerja më e re e Tiranës. Afrimi i sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës ka përforcuar repartin e avancuar në prag të ndeshjeve të Champions-it, por edhe për sezonin e ardhshëm. Pozicioni i tij natyral është sulmues i djathtë, por përshtatet mjaft mirë edhe si sulmues i dytë pas “pykës” ose edhe si sulmues i parë. 25-vjeçari mund të jetë kosovari i radhës që shkëlqen pas Bekajt. Sulmuesi sezonin e fundit luajti me hungarezët e Gyirmot FC Gyor, ku në 32 ndeshje shënoi 3 gola.

florent hasani

Florent, urime për firmën. Përse vendosët të vishnit fanellën e Tiranës?

Për mua ka qenë e rëndësishme që ditët e para të bisedave të vij këtu, për shkak se për mendimin tim, Tirana është ekipi më i madh në shqiptari. Ajo është skuadra kampione që tani merr pjesë edhe në Champions League. Të gjitha kushtet rreth ekipit më kanë bërë të ndihem mirë dhe më kanë shtyrë që të pranoj ofertën. E kam firmosur kontratën me shumë kënaqësi.

Cili ishte shkaku që ju të ishit pjesë e Tiranës nga tani e në vazhdim?

Shkak nuk u bë kurrkush. Normale është që të kem pasur biseda me presidentin dhe stafin e tij. Më kanë bindur që të vij këtu. Kanë qenë shumë korrektë dhe i falënderoj shumë. Falënderoj edhe trajnerët dhe lojtarët që më kanë pritur shumë mirë. Tashmë duhet të nis punën maksimalisht që të vazhdojmë në Europë.

Ju folët përse u afruat te Tirana. I shihni bardheblutë si një trampolinë për të ardhmen dhe Europën?

Normalisht që po. Nga këtu mund të ikësh lehtë në një skuadër më të mirë. Unë kisha një ofertë nga kampionati hungarez dhe një ofertë nga Qiproja. U ula dhe i analizova ekipet. Në fund dola në konkluzion se Tirana ka qenë më lart se skuadrat e tjera. Është ekip kampion dhe kur vjen te një ekip kampion, është më ndryshe se skuadrat e tjera. Rol të madh kanë edhe Kupat e Europës.

Cilin nga lojtarët e Tiranës keni njohur më parë?

Nga shokët e skuadrës njoh Visar Bekajn, me të cilin jemi pjesë e Kosovës. Njoh edhe Hotin e Limajn me të cilët kemi luajtur te përfaqësuesja U-21 e Kosovës. Të tre i njoh mirë, të tjerët më pak, por më kanë pritur shumë mirë.

Ju thatë se erdhët te Tirana sepse luan në Europë. Kjo skuadër ka shanse për grupet?

Me aq sa kam parë ndeshjet e Tiranës këto kohë, duke llogaritur trajnerin dhe lojtarët, mundësitë janë reale për të shkuar në grupet e Konferencë Ligës. E kemi këtë mundësi. Të gjithë së bashku do të mundohemi që ta kapim këtë mundësi.

Albi Doka ju ka referuar te Tirana…

Po, kemi luajtur në një kampionat si kundërshtarë. Më vjen mirë për ato fjalë. Faleminderit prej tij. Unë kam ardhur të ndihmoj Tiranën dhe Tirana mua. Unë do të jap maksimumin. Këtë ua premtoj të gjithëve, tifozëve, klubit. Tirana hyn në kampionat vetëm për vendin e parë. Do të luftojmë për titull dhe që të materializojmë mundësinë që kemi për të shkuar në fazën e grupeve.

Seferi, Xhixha dhe Hasani. Po projektohet triada e artë e sulmit?

Besoj se do të jetë kështu. Kam parë në ndeshjet e Tiranës Seferin dhe Xhixhën. Do të jemi një treshe e fortë. Do të bashkëpunojmë sa më shumë në fushë. Do të ndihmojmë njëritjetrin me gola dhe asiste. Kjo është në të mirë të klubit.

Kosova dhe Shqipëria?

Kosova pritej të fitonte edhe pse ishte një ndeshje e vështirë. Rrezikuan në fund me golin që pësuan, por ka ekip cilësor. Deri në fund do të luftojnë në grup për vendin e parë. Shqipëria fiton me Izraelin, ka një grup shumë të mirë me lojtarë shumë cilësorë. Jam i bindur që do të jenë të parët në grup.

Një polemikë juaja përse nuk thirreni në përfaqësuesen e Kosovës…

Është e vërtetë që nuk e di përse nuk thirrem. Sezonin e fundit, sidomos nga janari, kam pasur minutazhin maksimal. Kam treguar vlera edhe individualisht. Kam ardhur te Tirana dhe jam i fokusuar vetëm për të qenë sa më mirë në ndeshjet e Europës. Nëse luaj ndeshje të mira dhe shënoj gola, mendoj se ftesa do të vijë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"