EKSKLUZIVE/ “Më qan zemra për Flamurtarin”, Memushi i kthehet Idrizit: I kam dhënë lekët e mia (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 22:28

EKSKLUZIVE/ “Më qan zemra për Flamurtarin”, Memushi i kthehet Idrizit: I kam dhënë lekët e mia (E PLOTË)

Eqerem Memushit i jep pak shpresë ky Flamurtar. Ish-trajneri beson te ringjallja, por që kjo të ndodhë, duhet të ndryshojë gjithçka. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon ecurinë e kuqezinjve pas 7 javësh dhe rrezikun që i kanoset për të rënë nga kategoria.

eqerem memushi

Nuk kishte si të mos i kthehej Sinan Idrizit për historinë “1 miliard lekëve”. Ai i kujton administratorit se paratë e veta i ka dhënë duke luajtur për këtë fanellë, madje në tri Kupat e Europës. Duke komentuar kampionatin, deklaron se e priste një paraqitje të tillë të Bylisit, por Kukësin e quan kampion përtej oshilacioneve.

A e quan Memushi një pikë kthese barazimin ndaj Tiranës?

Dihet ajo, është detyrë shtëpie. Ndeshjet në shtëpi janë për çdo skuadër detyrim dhe jo vetëm për Flamurtarin. Gjithsesi, një pikë e një pikë nuk bëjnë dot shumë pikë në fund. Për Flamurtarin ndeshjet brenda duhet të kenë vlerë trepikëshe, nuk mund të themi ndryshe. Shpresojmë. Zoti na ndihmoftë!

Ju bindi paraqitja në atë takim?

E ndoqa ndeshjen. Po të shikojmë e të flasim nga ana teknike, nuk treguan diçka që të na japin atë shpresën e madhe. Ishin dy episode, dy goditjet më konkretisht, një standarde që gaboi edhe Tirana. Në pjesën më të madhe pastaj, u munduan që të menaxhonin rezultatin, por nuk ia arritën.

Nuk i falet as Tiranës që është një skuadër me eksperiencë, që duhet ta administronte më mirë atë rezultat. Kjo tregon që nuk po shthuremi. Shenjë e mirë është që skuadra tregon karakter. Reagon si me Laçin edhe brenda, pas rezultateve të disavantazhit reagon

Çfarë duhet të ndryshojë te ky Flamurtar që të kthehet?

Duhet t’i ndryshojë të gjitha

memushi idrizi

Çfarë nënkuptoni me të gjitha…?

Kur them të gjitha, nënkuptoj nga të gjitha anët.

Financat, në fakt, mbeten ende të pazgjidhura, duhet ndryshuar edhe kjo?

Problemi financiar është i pari dhe kjo dihet. Jo vetëm në sport, por në çdo vend apo moment, ato janë të rëndësishme. Qytetarët venë në punë për të marrë atë rrogë. Por edhe ju vetë gazetarët që bëni këtë pyetje, nuk punoni dot po nuk morët pagën në fund të muajit. Megjithatë le të shpresojmë te zgjidhja, duke lexuar edhe sot (dje) artikullin në gazetë… Ishallah qoftë e vërtetë ajo, pasi është mirë për të gjithë këtë qytet.

E shikoni të rrezikuar këtë Flamurtar për të rënë nga kategoria?

Kjo është një pyetje që e shikon edhe ti që po ma bën mua këtë pyetje. Në klasifikim e shikoni si janë ngjeshur skuadrat dhe ne jemi të rrezikuar. Përderisa jemi në vend të fundit, jemi më të rrezikuarit

Pak ditë më parë, me batutë administratori Idrizi është shprehur se as Memushi nuk i solli 1 miliard lekët për Flamurtarin. Keni ndonjë reagim?

Unë vendos zemrën për qytetin tim dhe kudo ku kam punuar, kështu kam bërë gjithmonë. Kam punuar me përkushtim. Le të pyesë Idrizi presidentët me të cilët kam punuar unë. Lekët e mia janë zemra që më qan për Flamurtarin. Aq shumë lekë kam dhënë unë, sa kam luajtur në tri Kupat e Europës. I kam dhënë lekët e mia unë. Janë të rrallë lojtarët në botë që kanë luajtur në tri Kupat e Europës, si ka luajtur Eqerem Memushi. Të tjerët e kanë ëndërr një herë që luajnë në Serinë A, Bundesligë dhe Premier Ligë…

Cili është komenti juaj për ekipe si Bylisi apo Vllanzia që vijnë nga Kategoria e Parë dhe janë në krye të renditjes aktualisht?

Nga Bylisi e prisnim që do ta realizonte dhe do të rivalizojë deri në fund. Edhe për të folur për verdikte, është shumë shpejt të flasim. Edhe për Flamurtarin është shpejt, pasi janë edhe shumë ndeshje dhe shumë pikë në lojë. Vetë matematika nuk të lejon. Duke parë se si po shprehemi në fushë edhe vetë klasifikimi që kemi, po themi për Flamurtarin që rrezikon për momentin. Kurse Bylisi po tregon se është një skuadër e fortë dhe që e meriton të jetë me ato pikë që ka.

Cilin nga ekipet shikoni pretendent për titull këtë sezon?

Unë pretendent për titull shikoj Kukësin. Pavarësisht rezultateve dhe oshilacioneve që kanë, me të vërtetë kanë një skuadër që di të luajë futboll. Ka kualitetet në çdo repart. Janë të realizuar mirë, që nga presidenca, nga të gjitha anët. Në futboll do edhe pak fat, por po ta shikosh kanë një skuadër të mirë dhe është fatkeqësi që ka pasur këto rezultate së fundmi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"