EKSKLUZIVE/ “Më pëlqejnë Nojer e Alison”, Kastrati: Memushaj si vëlla dhe lider, ja pse portierët shkëlqejnë në Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 17:16

EKSKLUZIVE/ “Më pëlqejnë Nojer e Alison”, Kastrati: Memushaj si vëlla dhe lider, ja pse portierët shkëlqejnë në Itali

Shqipëria e ka të sigurt portën për të paktën dhjetë vite. Paraqitjet mjaft të mira të Etrit Berishës dhe Thomas Strakoshës nuk janë garancia e vetme që kanë kuqezinjtë për të paktën dekadën në vazhdim. Ka gjithashtu edhe dy portierë që ofrojnë garanci për të ardhmen.

Elhan Kastrati

Gentian Selmani në Turqi dhe Elhan Kastrati në Itali janë dy gardianët e ekipeve kombëtare të moshave që gjithashtu “bëjnë presion” me vetë formën që kanë treguar në vazhdimësi. Ky i fundit ka fituar edhe postin e titullarit në Itali te skuadra e Peskarës në Serinë B.

Dy javë më parë, ishportieri i Teutës u bë protagonist edhe me pritjen e një penalltie, duke treguar se besimi ndaj tij është jo rastësor. Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri i “Delfinëve” tregon kushtet që gjejnë në Itali nga shkolla e portierëve, marrëdhëniet me Memushajn dhe gardianin e preferuar.

Elhan është viti i 4-t në Itali për ju, si ndiheni tani që po luani titullar?

Më është dhënë një mundësi shumë e mirë për karrierën time që të luaj titullar me një ekip si Peskara dhe po bëj të pamundurën ta shfrytëzoj sa më mirë.

Dy javë më parë u bëtë protagonist me pritjen e një penalltie… 

Po, është e vërtetë, por asgjë e jashtëzakonshme. Portieri për të pritur është (qesh…). Si ishte ajo ndeshje për ju, pasi zëvendësuat portierin titullar? Unë jam një tip i ftohtë dhe nuk i ndiej presionet. Kam punuar shumë për të qenë gati në mundësinë e parë që mund të më jepet. Më erdhi mirë në atë moment, por për fat të keq nuk mjaftoi për fitoren e skuadrës.

Çfarë ju tha Memushaj ose shokët e tjerë? 

Fatmirësisht, më kanë mbështetur të gjithë që nga momenti i parë dhe kanë besim tek unë. Kjo është thelbësore dhe një ndihmesë e madhe për mua që të tregoj aftësitë e mia në çdo moment.

Si është futbolli në Itali në Serinë B? 

Është një nivel i lartë dhe shumë i luftuar. Një kampionat i balancuar nga të gjitha ekipet, si në luftën për t’u ngjitur, edhe për mbijetesën.

Çfarë objektivash personalë keni këtë edicion?

Kam nevojë për sa më shumë minuta dhe të paraqitem në mënyrën më të mirë. Nëse do të arrij ta realizoj këtë, çdo gjë e bukur vjen vetë.

Jeni në ekip me Memushajn, mesfushorin e Kombëtares. Si është ai? 

Lediani është lider në grup dhe personalisht një ndihmë e jashtëzakonshme. Është si një vëlla i madh që e kam në skuadër.

Çfarë ju thonë të tjerët që jeni dy shqiptarë, a ju ngacmojnë qoftë edhe me shaka?

Realisht, më shumë ne ngacmohemi me njëri-tjetrin (qesh…). Jemi një grup mjaft harmonik.

Çfarë batutash bëni mes jush? 

Unë dhe Lediani, më së shumt bëjmë sfida me njëri-tjetrin gjatë stërvitjeve. Këto janë ngacmimet mes nesh që na shoqërojnë gjithmonë.

Cilat janë objektivat e tua me fanellën e Kombëtares? 

Ajo që përmenda më lart ka lidhje edhe me Kombëtaren. Nëse unë vazhdoj të punoj fort dhe nëse do të arrij të bëj paraqitje pozitive në vazhdimësi, atëherë kam besim se edhe ftesa e Kombëtares së madhe nuk do të mungojë dhe do të më vijë.

Ju, Berisha, Strakosha. Shumë portierë në Itali, çfarë ju ofron Italia që shqiptarët bëhen të suksesshëm? 

Shkolla e portierëve këtu në Itali është ndër më të mirat dhe të ndihmon shumë të rritesh. Kjo është një nga arsyet kryesore besoj, sepse këtu punohet shumë me portierët që nga ekipet e moshave deri në skuadrat elitare të Serisë A.

Kush është portieri juaj i preferuar?

Kam dy në fakt, për çfarë kanë bërë dhe për çfarë po tregojnë në futbollin botëror. Do të zgjedh Manuel Nojer si dhe Alison.

Keni qenë pjesë edhe e Teutës, si e keni parë këtë sezon? 

Teuta është rritur shumë këto dy vitet e fundit, por me sa kam ndjekur kur e kam mundësinë, është një nga skuadrat që i mungon vazhdimësia.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"