EKSKLUZIVE/ “Me Ngonë ndihem komod, Kukësi më i fortë ”, Kale: Tirana fiton titullin, ja çfarë na kërkon Halili (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 21:28

EKSKLUZIVE/ “Me Ngonë ndihem komod, Kukësi më i fortë ”, Kale: Tirana fiton titullin, ja çfarë na kërkon Halili (E PLOTË)

Elton Kale mund t’i kishte dhënë avantazhin Tiranës me Skënderbeun, në rast se nuk do të bëhej pengesë prekja e topit me dorë nga mbrojtësi i korçarëve (para Ngosë) dhe t’i anulohej. Mirëpo, ai që realizoi, krijoi, shmangu humbjen e kryeqytetasve dhe krijoi jo pak dyshime për moviolë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, braziliani i bardhebluve shpjegon se çfarë mendoi në atë momentin e shpejtë që vuri topin në lojë, ndeshjen përballë korçarëve dhe ecurinë e tij këtë sezon.

KALE

Kale shpjegon raportin me tre presidentët në Shqipëri, ndjesinë për përballjen me ish-ekipin, Kukësin dhe sfidën me ta për titullin kampion. “Kam luajtur në qytetin e Ronaldos në Portugali dhe nuk ka të krahasuar me Mesin. Për titullin? Kukësi është në krye, por do luajmë, që ta mundim”, shprehet ndër të tjera braziliani i Tiranës.

Kale, shënuat ndaj Skënderbeut, por nuk mjaftoi për fitoren…

Jam i lumtur për golin, por jo për faktin që nuk i dha mundësinë ekipit të merrte tri pikë. Jam gati ta ndërroj golin për 3 pikët, sikur të ishte e mundur. Për çdo futbollist, në momentin që arrin të shënojë, është diçka e bukur dhe e rëndësishme, por më shumë vlerë ka fitorja e skuadrës. Gjithsesi, një pikë dhe fakti që nuk u mundëm, janë gjithsesi diçka e mirë.

Tre gola këtë sezon, është më e mira apo keni pritur më shumë?

Jo, kam menduar dhe dëshiroj që të kem më shumë gola, por kur jam në fushë, më shumë se për golin, mendoj më parë si të fitojë ekipi. Madje nuk e kam aspak problem nëse unë nuk shënoj asnjë gol, vetëm të fitojë skuadra të gjitha ndeshjet. E pranoj me kënaqësi.

Barazimi ndaj Skënderbeut, si u përjetua?

E kemi përgatitur mirë këtë ndeshje. Kemi bërë ndeshje të mirë besoj, madje kemi pasur shumë raste për shënim. Ata na kanë shënuar edhe pa krijuar asnjë rast te ne. Ne sulmuam, krijuam por për fat të keq nuk shënuam. Me çfarë dhamë në fushë, duhet të kishim shënuar ne të parët dhe më pas do ta kishim mundësinë që të kontrollonim rezultatin. Por, i tillë është futbolli…

Çfarë menduat në momentin kur shënuat…

Gjënë më të thjeshtë. Arbitri dha faull dhe aty mendova të bëj direkt ekzekutimin dhe të jap pasimin. Më tej, ndoqa aksionin për të pritur sërish topin, më erdhi dhe shënova. Një gol krejtësisht korrekt.
KALE GRIPSHI

E keni parë në video që…

Po, po. E ka parë mbi dhjetë herë. Madje edhe me ndalesë atë moment. Sikur ta kishim shënuar këtë gol më shpejt, do ta kishim fituar ndeshjen me 100%. Nuk ka shumë kohë për të “qarë” për një ndeshje. Secila ka episodet e veta. Duhet të nxjerrim mësimet që duhet dhe të mendojmë ndeshjen e radhës. Gjithmonë.

Thatë që e keni parë videon, por duket sikur ka qenë topi në lëvizje…

Jo. Nuk ka shanse. E kam parë edhe videon dhe e kam ndaluar topin. Nëse ka ndonjë gjë për të dyshuar, është që mbase kam lëvizur maksimumi një metër nga vendi ku u bë faulli. Vetëm kaq, jo më shumë. Por ndodhi aq shpejt dhe nuk mendova të afrohem apo jo. Vetëm të ekzekutoj direkt goditjen.

Manovër interesante për të shfrytëzuar pakujdesinë e kundërshtarit…

Jo, është vetëm rregullorja e re e FIFA-s. Asgjë më shumë. E kujtoj shumë mirë këtë rregull për rastin në fjalë, pasi na e ka thënë një zyrtar i federatës në fillim të sezonit, që na tregoi ndryshimet e rregullores dhe e kujtoj mirë që na tha se “nëse arbitri vërshëllen faullin, mund ta nisni menjëherë nëse doni”. M’u kujtua fjala e tij, që kur keni mundësinë për të luajtur shpejt, luajeni. Vetëm kaq.

Si ndiheni kur luani pranë Ngosë, shpesh lëvizni pas tij si një sulmues i dytë…

Po, më jep më shumë hapësira. Ngo më thotë shpesh që “Kale, ti i di cilësitë që ke, ndaj shfrytëzoji dhe shijoje ndeshjen”. Ndihem mirë me ekipin, me shokët, skemat dhe gjithçka.

Nga pjesa e parë, Tirana me Egbonë ndryshoi plotësisht për mirë. Çfarë e solli këtë transformim sipas jush?

Sipas meje, tani kemi një përqendrim shumë të madh. Egbo është, si të them, një trajner i thjeshtë, një njeri i thjeshtë. Ai na ka treguar Tiranën. Na e ka thënë që “nuk ka nevojë të sulmojmë si Barcelona, si Real Madrid. Ne jemi Tirana, një skuadër shumë e madhe në Shqipëri dhe me më shumë tituj”.

elton kale

Çfarë ju kërkon Egbo?

T’i bëjmë gjërat siç duhet. Pa tension, pa presion. Nuk na kërkon të mendojmë si të shënojmë dhjetë gola, por si të fitojmë ndeshjen. Është njësoj për ne, si të fitojmë 1 me zero, si të fitojmë 3 me zero, rëndësi ka që ne të mendojmë për 3 pikët.

Po juve personalisht, si një nga lojtarët e rëndësishëm të ekipit, çfarë detyrash ose këshillash ju jep?

Egbo më ka thënë që “Kale, ti e di që je teknik. Ke cilësi. Madje, nëse ke dëshirë mund edhe të tentosh të driblosh të gjithë kundërshtarët, por nuk është nevoja që ta bësh këtë. Mjafton të driblosh një futbollist dhe të pasosh”. Kaq e thjeshtë është. Na e thotë gjithmonë. Ai na kërkon thjeshtësi në lojë dhe jo të bëjmë magji dhe spektakël.

Do të përballeni me ish-ekipin tuaj. Çfarë kujtoni nga Kukësi?

Kam mendime të mira, pasi atje jam shpallur kampion me Kukësin. Kam kaluar mirë, por unë tani jam në një ekip të ri dhe mendoj për skuadrën time. Edhe atje tani ka shumë lojtarë të rinj. Nëse jam korrekt dhe nuk harroj ndonjë, kanë mbetur vetëm Ethemi dhe Musolli. Ndaj kujtimet i kam për atë skuadrën e dikurshme, jo për këtë. Tani mendoj vetëm për një vend sa më të mirë me skuadrën ku jam. Besoj që do të jetë një ndeshje e bukur. Besoj që do të na vijnë shumë tifozë dhe sigurisht që do të provojmë të fitojmë.kale

Sipas jush, është më e fortë Tirana apo Kukësi?

Është pyetje e vështirë, por do të jetë një ndeshje e fortë. Mbase Kukësi, meqenëse është e para në renditje. Ata janë në vend të parë dhe ne do të provojmë që të bëjmë sa më mirë të jetë e mundur.

Kujt i frikësohet më shumë Tirana, Kukësit në krye apo Partizanit? 

Kanë mbetur edhe shumë ndeshje për ta thënë këtë. Kukësi në vend të parë është vetëm një pikë larg dhe Partizani gjithashtu është afër. Nuk e di ekzaktësisht si të përgjigjem, por duket që do të jenë tri skuadra në garë për titullin kampion.

Si ju duket Tirana si qytet?

Super. Kam qenë edhe më parë kur isha me Kukësin, por atëherë isha te “21”-shi dhe tani jetoj te “Komuna e Parisit”. Tirana është super.

 Po ushqimet? 

Më pëlqejnë shumë prodhimet e detit, peshku. Në Tiranë ka shumë restorante që gatuajnë shumë mirë.

 Këtë vit është 100-vjetori i Tiranës, çfarë dhurate mund t’i bëni?

Sigurisht që një klub si Tirana meriton dhuratën më të mirë. Unë shpresoj dhe uroj shumë që ne t’i japim titullin. Unë, dhe të gjithë, do të përpiqemi që t’ia japim këtë gjë.

 Çfarë ju ka thënë presidenti apo klubi kur keni ardhur te Tirana?

Kur kam ardhur te Tirana, presidenti më tha se “është viti i 100 vjetorit. Duhet të bëni diçka të bukur për tifozët. Ata kanë vite që presin diçka nga ekipi”. Janë afruar shumë lojtarë cilësorë këtë vit. Uroj vërtetë t’ju japim tifozëve dhe klubit atë që meritojnë.

Keni punuar me Gjicin, Idrizin dhe tani me Halilin. Cili është më shumë kërkues dhe cili më miqësor me lojtarët?

Safeti e thoshte gjithmonë në media presionin për titullin. Kërkon të fitojë çdo ndeshje. Idrizi është shumë i qetë. Të gjithë e duan atë, sepse nuk u thotë asgjë lojtarëve. Edhe me Halilin marrëdhëniet janë shumë korrekte dhe nuk kam pse të them fjalë të këqija. Por kam përshtypjen që edhe për mua nuk kanë fjalë të këqija për të thënë, sepse përpiqem që të jem korrekt dhe ta bëj sa më mirë detyrën time.

Cili është idhulli juaj? 

Vetëm babai im.

Mesi apo Ronaldo, kë preferoni? 

I pëlqej të dy. Kam jetuar edhe në Portugali, atje ku ka origjinën Ronaldo. Mesi është magjik, ndërsa Ronaldo është lojtari më i kompletuar. Nëse e shikon historinë e tij, ai punon shumë, ushtrohet shumë, punon shumë në fushë, palestër e kudo.

Si shembull për futbollistët është Ronaldo, pasi Mesi është si t’i ketë thënë Zoti “Urdhëro magjinë dhe ik shijoje futbollin, jetën gjithçka”. Askush nuk mund të thotë dua të jem si Mesi, sepse atij ia ka dhënë Zoti magjinë, ndërsa mund të thuash dua të bëhem si Ronaldo, i cili ka punuar shumë për t’u bërë ashtu siç është. Kam luajtur në Madeira dhe e di mirë se sa ka punuar ai për të arritur cilësitë që ka sot.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"