EKSKLUZIVE/ “Me mua, tjetër Kukës”, rrëfimi i Vasil Shkurtajt: Dua një skuadër që të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2022 | 22:41

EKSKLUZIVE/ “Me mua, tjetër Kukës”, rrëfimi i Vasil Shkurtajt: Dua një skuadër që të…

Vasil Shkurtaj është një lojtar i lirë, që ka mbyllur aventurën me Kukësin dhe tani është në pritje të një aventure të re. Një nga sulmuesit më cilësorë të viteve të fundit në Shqipëri, për fat të keq u dëmtua në momentin më delikat të sezonit të fundit.

Shkurtaj5

Rikthimi i tij te Kukësi pas eksperiencës në Kinë, nuk ishte ai që të gjithë prisnin. 30-vjeçari, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, lakonik dhe i prerë, pohon se ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer sulmuesi që të gjithë njohin.

Rënia e tij vjen pas largimit në Kinë, por gjithsesi nuk e konsideron si një gabim, ndërsa garanton se me të në fushë do të ishte një tjetër Kukës, pasi i di mirë aftësitë e tij. Shkurtaj luajti 9 ndeshje në kampionatin e fundit (vetëm tri prej tyre si titullar), duke shënuar një gol në fitoren 1-0 ndaj Skënderbeut.

Vasil, me mbylljen e sezonit dolët një lojtar i lirë. Çfarë jeni duke bërë aktualisht?

Aktualisht po kaloj kohë me familjen time. Mundohem të kombinoj pushimet dhe stërvitjen.

E mbyllët me Kukësin, ju vjen keq që nuk shkoi si duhet ky rikthim?

Ishte një fillim perfekt, por nuk pati të njëjtën vazhdimësi për shkak të dëmtimit tim. Me vjen shumë keq.

Nëse nuk do të kishte ndodhur dëmtimi, besoni se mund të ishit një pikë e rëndësishme për skuadrën e Kukësit?

Sigurisht që do ta ndihmoja shumë ekipin nëse do të isha në gjendje të mirë fizike. Të gjithë e dinë se çfarë mund të ofroj.

A ka qenë ky një nga sezonet më të dobëta tuajat, teksa e mbyllët me vetëm një gol kampionatin?

Sezoni 2021-2022 ishte një sezon i pafat për mua, sepse më ndoqi i njëjti dëmtim për një kohë të gjatë. Por, më në fund e hodha pas krahëve dhe jam gati për kampionatin e ri.

Jeni rikuperuar plotësisht nga dëmtimi?

Po, po, jam rikuperuar plotësisht. Tri ndeshjet e fundit i luajta normal, por edhe tani vazhdoj stërvitjen individualisht.

Çfarë nuk shkoi si duhet te Kukësi që në fund nuk siguroi dot as pjesëmarrjen në Europë?

Mendoj se është një përzierje arsyesh të ndryshme që nuk do të doja t’i përmendja ose t’i analizoja, sepse nuk është puna ime.

Cilat janë synimet për të ardhmen, të luani në Shqipëri apo të provoni sërish një aventurë jashtë vendit?

Nuk e di nëse do të jetë një ekip jashtë apo në Shqipëri. Unë patjetër do të zgjedh një klub që do të më dojë dhe do të besojë vërtet tek unë dhe potenciali që kam.

Keni pasur ndonjë ofertë konkrete apo është ende herët?

Jam në kontakte me disa ekipe, por për momentin nuk kam arritur asnjë marrëveshje.

E konsideroni si një gabim faktin që në kulmin e karrierës suaj u larguat në Kinë, sa ju penalizoi kjo gjë?

Nuk mendoj se kam gabuar. Kur të vjen një propozim i tillë, nuk mund ta refuzosh. Momenti ndoshta nuk ka qenë i mirë për shkak të pandemisë, por niveli, kushtet dhe financat ishin shumë lart në Kinë.

Kur do të rikthehet Shkurtaj që presin të gjithë?

Shkurtaj është gati dhe i rikthyer. Më mjafton vetëm të gjej vazhdimësinë dhe minutat, sepse i di mjaft mirë cilësitë e mia, siç dhe e kam treguar në fushën e lojës për tri sezone në Superligë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"