EKSKLUZIVE/ “Me Memën u përplasa para derbit, por kam raporte të shkëlqyera”, Imami: Largimi më dha të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2020 | 23:54

EKSKLUZIVE/ “Me Memën u përplasa para derbit, por kam raporte të shkëlqyera”, Imami: Largimi më dha të drejtë

Eni Imami i përgjigjet presidentit të Tiranës, Refik Halili. Një ditë pasi kreu i klubit bardheblu zbuloi një prapaskenë të pjesës së parë të sezonit ku mbrojtësi i majtë luajti me Tiranën, vjen edhe përgjigjja e vetë futbollistit enkas për “Panorama Sport”. Titullari i Skënderbeut tregon atë që, sipas tij, është e vërteta e përplasjes me ish-trajnerin e bardhebluve, pikërisht para një ndeshjeje derbi. Ai sqaron se ka një raport special me Memën, ndërsa është i bindur se largimi nga Tirana i ka dhënë të drejtë. Imami flet edhe për momentin e mirë që po kalon te korçarët, si dhe sekretin e fitoreve radhazi.mema imami

Eni, presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka thënë dy ditë më parë se trajneri Ardian Mema ankohej për ju, por në vend që t’ju dënonte, prapë ishit në formacion. Si është e vërteta?

E lexova intervistën e presidentit Halili dhe për të thënë të drejtën nuk e dija këtë gjë. Mund të them se nuk kam pasur probleme te Tirana, sidomos me profesor Memën, që është një person që unë e dua shumë si njeri në radhë të parë dhe pastaj si trajner. Përveçse asaj pjesës para derbit të parë që isha nervoz, sepse po rrija jashtë formacionit, nuk kam pasur asnjë problem. Në fund të fundit, mua m’u dha e drejta nga ajo lëvizje që u bë. Besoj se e pamë të gjithë!

Cilat kanë qenë raportet tuaja me Memën?

Po e përkufizoj shumë shkurt, kam pasur marrëdhënie perfekte. Madje, jemi takuar dhe tani që jemi në drejtime të ndryshme.

Për çfarë e shqetësonit trajnerin dhe çfarë debatesh keni bërë?

E thashë edhe më sipër, ndoshta presidenti është bazuar tek ajo java e derbit me Partizanin. Ndoshta ka qenë gabim imi ai moment, pasi isha nervoz se doja me çdo kusht të luaja në atë takim. Mendoj se kjo është një ego personale. E mirë apo e keqe, nuk e di, por personalisht mendoj: “Shyqyr që e kam, se pa atë, më mirë të mos luaj futboll fare”.

Mos ndoshta një arsye e fortë e largimit nga Tirana ka qenë kjo përplasje?

Nuk e di, të them të drejtën. Kam dyshimet e mia se mund të ketë qenë kjo, por që më mirë këtë fakt e di presidenti dhe trajneri që pasoi profesor Memën te Tirana. Unë e kam kërkuar vetë largimin në momentin që përfundova në stol, sepse në kokën time e dija që nuk isha për t’u kaluar si lojtar stoli. Një gjë të tillë e tregoi dhe koha. Besoj se po më jep të drejtë mua, pasi po e shikoni të gjithë çfarë arritjesh po bëjmë me Skënderbeun. Jam shumë i lumtur me këtë kalim dhe për fat të mirë jam përshtatur shpejt me grupin këtu në Korçë.eni imami

Si e shpjegoni këtë formë të mirë që po kalon ekipi? Gjashtë fitore radhazi janë tregues i qartë i formës suaj. Cili është çelësi i suksesit?

Besoj se kryesore në këtë moment të mirë që po kalojmë është harmonia që kemi në ekip. Jemi një grup shumë i bashkuar, plus dhe një trajner që është shumë kërkues dhe nuk të lë të qetë në kuptimin e mirë të fjalës. Të mban të karikuar gjatë gjithë kohës. Mendoj se këto janë çelësi i suksesit që unë uroj ta vazhdojmë deri në fund.

Çfarë ju ka thënë Ilir Daja pas rifillimit të sezonit?

Të them të drejtën në fillim kur u rikthyem ishim të gjithë pak skeptikë për vijimësinë. Kjo, pasi vinim nga dy muaj pauzë dhe normalisht forma nuk ishte ajo e dikurshmja. Profesor Daja më pas na ngriti moralin mjaft me besimin që kishte te ne që të stërviteshim sa më mirë, të kujdesemi për veten jashtë fushe dhe mbi të gjitha të kapim ritmin që kishim sa më shpejt.imami

Vendi i dytë është vetëm tri pikë larg. A është i arritshëm?

Sigurisht që po, është i arritshëm, pasi janë edhe 8 javë të mbetura dhe shumë pikë në lojë. Uroj të vazhdojmë me këtë ritëm, pasi jemi me të vërtetë në formë të mrekullueshme.

Kupa mbetet objektiv. A i ka mundësitë Skënderbeu për t’i shkuar deri në fund?

Sigurisht që po, është objektiv sezonal dhe rruga më e shkurtër për të shkuar në Europë. Gjithmonë, në varësi të gjyqit që ka Skënderbeu në Gjykatën Federale. Kjo është temë që s’na përket neve futbollistëve.

Si ndiheni në Korçë? Do të vijoni të qëndroni apo jo…?

Ndihem me të vërtetë shumë mirë. E kam thënë dhe më parë që kam gjetur një ambient super. Uroj që gjërat të shkojnë mirë për këtë klub, sepse pothuajse të gjithë varemi nga ai gjyq.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"