EKSKLUZIVE/ “Më kërkuan 60% e ekipeve të Superiores”, rrëfehet Besir Demiri: Dua Kombëtaren, te Kukësi jam prej Nexhipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 22:46

EKSKLUZIVE/ “Më kërkuan 60% e ekipeve të Superiores”, rrëfehet Besir Demiri: Dua Kombëtaren, te Kukësi jam prej Nexhipit

Besir Demiri mund të quhet një prej goditjeve të mëdha të Kukësit në merkaton e verës. Mbrojtësi i majtë nga Shkupi vjen pas eksperiencave në Ukrainë me Mariupolin dhe në Sllovaki me Zilinën. Emri i tij bëri bujë dy vite më parë, pasi vendosi të largohej nga kombëtarja e Maqedonisë për të zgjedhur Shqipërinë.

demiri

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, 26- vjeçari rrëfeu pse zgjodhi Kukësin për të vazhduar karrierën, njeriun që e bindi dhe synimet që ka si pjesë e verilindorëve. Demiri pritet të jetë titullar nesër ndaj Volfsburgut dhe ai shpreson që në debutimin e tij Kukësi të bëjë mrekullinë ndaj gjermanëve.

Besir, çfarë ju bindi për të pranuar ofertën e Kukësit?

Natyrisht objektivat në sezonin e ri ishin arsyeja kryesore që të pranoj ofertën e Kukësit, por duke mos lënë mënjanë kushtet me të cilat më ofroi klubi.

Cili nga klubet e kampionatit shqiptar ju ka kërkuar në të kaluarën?

Kam pasur oferta ndoshta nga 60% e klubeve të kampionatit shqiptar, por për respekt ndaj tyre, nuk po përmend emra konkretë.

Sa ka ndikuar Nderim Nexhipi në këtë transferim tuajin?

Njihemi prej kohësh me Nderimin, pasi kemi qenë bashkëlojtarë. Ai ka qenë njeriu që me çdo kusht dëshironte të më sillte te Kukësi. Nëse nuk do të ishte ai këtu, nuk mendoj se do të isha te Kukësi.

Cilat janë përshtypjet e para për skuadrën dhe sa e keni ndjekur më parë?

Të them të drejtën shumë pak e njoh skuadrën, por çdo ditë në stërvitje jam i fokusuar që të kuptoj stilin e lojës. Ka shumë gjëra të cilat më kanë pëlqyer në këto pak ditë.

Do të debutoni ndaj Volfsburgut, çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Është ndeshje e vështirë, por jo e pamundur. Luajmë në fushën tonë dhe besoj se do të japim më të mirën prej vetes që në fund të dalim me kokën lart. Por, siç e thashë, është ndeshje e vështirë kundër një ekipi me mjaft kualitet.

Sa shanse ka Kukësi të bëjë mrekullinë?

Derisa luajmë në të njëjtën fushë dhe kemi të njëjtat porta, edhe shanset ekzistojnë. Në ditët e sotme ka një dallim të vogël mes të gjitha skuadrave.

Cili është pozicioni juaj i preferuar në fushë?

Në klubet e mëparshme kam luajtur si mbrojtës anësor, si mesfushor qendre, por edhe sulmues krahu. Unë jam në dispozicion të ekipit dhe trajnerit, kudo që të ketë nevojë.

Demiri

Dy vite më parë latë Maqedoninë e Veriut për Shqipërinë. Ju vjen keq që nuk mundët të luanit asnjë ndeshje me kuqezinjtë dhe sa besoni se mund ta rikapni Kombëtaren tani si pjesë e Kukësit?

Natyrisht që më vjen keq, por shpresoj që mund ta rikap përsëri Kombëtaren me fanellën e Kukësit apo ndonjë ekip tjetër. Trajneri bën përzgjedhjet dhe deri tani asnjëherë nuk jam ankuar apo të them një fjalë. Çdo herë me shumë profesionalizëm e kam ndjekur dhe përkrahur Kombëtaren.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"