EKSKLUZIVE/ “Më jepni lejen e kalimit, nuk ju kthehem më”, mesfushori bëhet sërish çështje te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2020 | 10:44

EKSKLUZIVE/ “Më jepni lejen e kalimit, nuk ju kthehem më”, mesfushori bëhet sërish çështje te Kukësi

Besar Musolli bëhet sërish çështje te Kukësi. Kur dukej se palët kishin gjetur dakordësi që kapiteni historik të largohej pas 8 vitesh nga skuadra, ka sërish një “deja vu” të ngjarjeve të ndodhura një vit më parë. Mesfushori njoftoi zyrtarisht largimin të premten e kaluar përmes një postimi në faqen e tij në “Facebook”, pikërisht një ditë pas ndeshjes ndaj Volfsburgut. Kur Musolli lajmëroi “divorcin” e pritshëm, në të njëjtën ditë iku nga skuadra edhe Eduart Rroca, por klubi i Kukësit zgjodhi të bënte njoftim në faqen zyrtare vetëm për fantazistin dhe jo për kosovarin, i cili ishte lojtari i vetëm që kishte mbetur që nga ngjitja për herë të parë në Superiore e ekipit. Mesazhi i klubit për të lajmëruar largimin e kapitenit mungon ende dhe natyrisht kjo nuk mund të quhet aspak rastësi.

besar musolli

“Panorama Sport” ka arritur të zbulojë nga burime të sigurta pranë klubit dhe vetë futbollistit se ende ky i fundit nuk ka marrë lejen e kalimit nga Kukësi. Pra, edhe pse nga lojtari pretendohet se kontrata ka skaduar në momentin që skuadra përfundon angazhimin në Europë, duket se te klubi verilindor kanë ide të tjera. Për momentin zyrtarisht nga klubi nuk ka një qëndrim për çështjen “Musolli”, por e kaluara ka treguar se kontratat te Kukësi janë një histori më vete dhe shpesh lojtarët janë përplasur me klubin dhe kanë përfunduar në gjyq.

BISEDIMET – “Më jepni lejen e kalimit, pasi nuk kthehem më te Kukësi. Ju kam thënë që dua të vazhdoj karrierën në Kosovë për të qëndruar pranë familjes. Kjo është diçka që nuk zhbëhet, prandaj kërkoj mirëkuptimin tuaj”.

Kështu mësohet të ketë thënë Musolli në një nga bisedat që ka pasur me drejtuesit ditët e fundit, teksa ka kërkuar që klubi të konfirmojë në sistemin e regjistrimit të lojtarëve dhënien e leje kalimit, në mënyrë që palët të mos kenë më asnjë detyrim ndaj njëra-tjetrës. Por, te Kukësi janë të vendosur, me sa duket, për të insistuar që lojtari nuk mund të ikë pa diskutuar më parë një rinovim të kontratës me klubin.

besar musolli

Nga ana tjetër, Musolli e ka vendosur që do të vazhdojë karrierën në Superligën e Kosovës, aty ku ka firmosur një parakontratë me klubin e Gjilanit. Madje, këta të fundit e kanë regjistruar në Federatën e Kosovës emrin e lojtarit, por hezitojnë ta zyrtarizojnë si afrim duke marrë shkas edhe nga raste të tjera të lojtarëve të Kukësit, veçanërisht Ethemit, që klubi verilindor i bllokoi kalimin në Poloni.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"