EKSKLUZIVE/ “Më janë afruar disa klube”, Batha: Nuk mendoj për golat, kemi 10 finale deri në fund (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2020 | 0:11

EKSKLUZIVE/ “Më janë afruar disa klube”, Batha: Nuk mendoj për golat, kemi 10 finale deri në fund (E PLOTË)

Idriz Batha pranon se e josh një aventurë jash të vendit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i bardhebluve pranon se do të ulet me klubin për të ardhmen. Batha rrëfen ditët në karantinë, por edhe të fshehtat e sezonit, kush e lumturon dhe çfarë mendon për këtë situatë delikate që kaluan të gjithë.

batha

Më në fund nis stërvitja. Të gjithë në fushë dhe nuk ka më përgatitje fshehurazi?
Më vjen mirë që kampionati do të fillojë, sepse një pushim kaq i gjatë na dëmton shumë, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Ky është pasioni ynë dhe pa futbollin jeta jonë është shumë e vakët.

Si është gjendja e Bathës dhe lojtarëve në përgjithësi, pas dy muajsh izolim dhe pa mundësi stërvitjeje?
Gjendja jonë mendoj se është njësoj, që do të thotë si në momentin kur ekipi mblidhet për të bërë fazën përgatitore.

Tiranën e kanë akuzuar që është stërvitur gjithë kohën. E vërteta si qëndron?
Tirana nuk është stërvitur si ekipet e tjera që kanë bërë grup. Te Tirana lojtarët janë stërvitur në mënyrë individuale me grupe 2-3 veta. Pa trajner.

Në mes është edhe zilia e kreut?
Sa për zili nuk e di, por kur je në vend të parë, normalisht ti je ai që do të sulmohesh më shumë.
tirana-12-770x470
Jeni shumë pranë titullit me Tiranën, por duhet të luani edhe jo pak ndeshje, paçka diferencës?
Jemi shumë pranë kanë mbetur vetëm dhjetë finale që duhet të japim shpirtin në fushë për të shkuar drejt objektivit.

Jeni lojtari i cili keni statistikat më të larta në skuadër. Ç’do të thotë për ju?
Ndihem mirë me veten që po jap kontribut dhe që ekipi po ecën mirë. Sigurisht është kënaqësi kur shënon dhe ndihmon ekipin të jetë aty ku duhet.
Batha
Keni shënuar tetë gola këtë sezon, por mund të jeni golashënuesi i skuadrës…
Nuk e mendoj fare golashënuesin. Unë jam mesfushor dhe kur futem në fushë, futem me qëllimin e vetëm për të dhënë maksimumin për të fituar. Ama kur goli vjen, atëherë edhe fitorja bëhet më e bukur

Është folur për merkato, për Turqinë. Emri juaj del në disa skuadra. Cila është e vërteta?Të them të drejtën më janë afruar disa ekipe, por që mbeten thjesht zëra. Them kështu, sepse asnjë gjë konkrete deri tani. Për të ardhmen është shpejt për të folur. Dëshira është për të provuar veten diku. Kudo qoftë, por që sigurisht do të ulem dhe me klubin shumë shpejt për të folur, sepse ky ishte një vit që u ndjeva shumë mirë dhe i vlerësuar këtu te Tirana.

Ndeshja më e bukur e karrierës dhe e këtij sezoni, gjithmonë nëse mund të na i zbuloni?
Ndeshja e karrierës sime është sfida me Shpresat kundër Spanjës. Them se do të jetë gjithmonë në mendjen time për vetë faktin që ekipi spanjoll kishte në përbërje lojtarët aktualë të Barcelonës, Realit apo Liverpulit. Ndërsa për sa i përket ndeshjes së këtij sezoni, derbi është gjithmonë vitrina e kampionatit shqiptar. Ndeshja që më ka shijuar më shumë, fitorja, ishte triumfi në Laç në një fushë shumë të rënduar, duke kthyer rezultatin. E konsideroj një ndeshje sakrifice. Kështu do të them.

Batuta më e bukur në dhomat e zhveshjeve. Mund të zbuloni ndonjë prej tyre?
Batuta të them të drejtën nuk është se i mbaj mend të gjitha, sepse Osmani thotë përditë ndonjë batutë.

Si mund ta etiketoni këtë periudhë izolimi që askush nuk e kishte provuar në kurriz?
Kjo ka qenë një periudhë që ka pasur dy anë të medaljes, sepse në rastin e keq na largoi nga futbolli dhe në rastin e mirë në bashkoi më shumë me familjen. Personalisht kalova shumë kohë me vajzën time dhe kur jam me të, ditët bëhen më të bukura

Gjëja më e çmendur që ju ka ndodhur në futboll dhe këto ditë të gjata izolimi? Gjëja më e çmendur?

Mendoj se ndeshja me Kukësin ishte për t’u çmendur. Ajo lloj përmbysjeje kundër rivalit direkt mendoj se ndodh shumë rrallë në futboll, për 3-4 minuta kthyem rezultatin. Ishte vërtet çmenduri në fushë, ndërsa me izolim të gjitha ditët e para ishin çmenduri. Nuk po merrnim vesh se çfarë bëhej dhe sa do të zgjaste.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"