EKSKLUZIVE/ “Më i vështiri në derbi”, Bakaj replika Jeminit: Fiton Tirana se s’është Lenci, e nxorën në penion se… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 23:19

EKSKLUZIVE/ “Më i vështiri në derbi”, Bakaj replika Jeminit: Fiton Tirana se s’është Lenci, e nxorën në penion se… (E PLOTË)

Dy miq, por me men dime të ndryshme rreth së njëjtës çështje. Lorenc Jemini dhe Elis Bakaj janë vendosur shpesh përballë njëri-tjetrit, jo vetëm në fushën e lojës si arbitër-lojtar, por edhe si komshinj. Mirëpo, në një intervistë për “Panorama Sport”, ai që është etiketuar shpesh si më problematiku dhe që bie shpesh pre e provokimeve, deklaron se Jemini dhe arbitrat shqiptarë janë bërë protagonistë me emrin e tij.

“Unë luaj akoma dhe kam bërë mirë punën time në çdo vend ku kam shkuar, kurse Jemini po të ishte aq i mirë, do ishte akoma në punë. Por, besoj se nuk ka qenë aq korrekt sa duhet që doli në pension para kohe”, thotë ndër të tjera mesfushori me tipare sulmuese që aktualisht vijon karrierën në Bjellorusi me Shahtjor Soligorsk. Parashikimi? Bakaj thumbon sërish ish-ndërkombëtarin e FIFA-s.

bakaj jemini

Elis, si po shkon karriera në Bjellorusi?

Çdo gjë po shkon shumë mirë dhe jemi në vend të tretë. Pretendojmë që të arrijmë një vend më tepër, pasi Bate është e shkëputur dhe besoj se do të jetë e vështirë që t’i kapim.

Java derbi në Shqipëri, cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend?

Hmmm… Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe për hir të së vërtetës i ka munguar futbollit shqiptar.

Sa e keni ndjekur kampionatin shqiptar dhe si i shihni Tiranën dhe Partizanin në këtë start kampionati, në raport edhe me të tjerat?

Në fakt, nuk e kam ndjekur shumë për shkak se ndodh shpesh të mos kem mundësi prej angazhimeve që kam në fundjavë. Sa i përket derbit, pa dashur të jap atë përgjigjen e zakontë, por kjo është vërtetë një ndeshje e veçantë dhe vështirë të parashikohet.

Bakaj

Si e shihni Tiranën në raport me periudhën kur keni qenë pjesë e saj?

Duke i qëndruar asaj që thashë më lart, nuk i kam ndjekur rregullisht që të marr informacione të plota me çfarë ndodh në Shqipëri. Mirëpo, Tirana futet çdo vit me pretendime dhe në çdo sezon ka të mirat dhe të këqijat e saj. Të jem i sinqertë, mua nuk më pëlqen as të bëj rolin e një trajneri për të bërë analiza (qesh…).

Jemini ka deklaruar se ju ka ndëshkuar shpesh me të kuq, pasi ju e ngatërronit raportin personal në fushën e lojës dhe ai nuk mund të pranonte tolerime. Si i kujtoni derbet me Jeminin arbitër?

Jemini dhe arbitrat e tjerë në Shqipëri thjesht kanë dashur të bëhen protagonistë me Bakajn dhe unë e kam thënë këtë gjë më përpara. Mjaft të shihni statistikat e Bakajt jashtë Shqipërisë dhe po të gjeni ndonjë të kuq, atëherë do t’i jepja të drejtë Jeminit dhe të tjerëve që ma kanë nxjerrë kartonin e kuq.

Nuk keni gabuar në asnjë ndeshje kur jeni ndëshkuar?

Unë luaj akoma dhe kam bërë mirë punën time në çdo vend ku kam shkuar, kurse Jemini po të ishte aq i mirë, do ishte akoma në punë. Por, besoj se nuk ka qenë aq korrekt sa duhet që doli në pension para kohe.

13 ndeshje pa fitore për Tiranën. Çfarë ka munguar sipas jush për ta thyer tersin ndaj Partizanit në këto vitet e fundit?

Tani që nuk është më Jemini, do fitojnë (qesh…).

Nuk ka asnjë arsye tjetër sipas jush, përveç gjykimit?

Në fakt, kështu është futbolli. Ka momente që fiton në derbi, por ka edhe momente që nuk fiton. E prandaj e thashë edhe më sipër që derbi është i paparashikueshëm. Sipas meje, e rëndësishme është që të bëhet spektakël që të kënaqen tifozët, si dhe të jetë një reklamë e mirë për futbollin shqiptar. Pastaj të fitojë më i miri.

Trajneri Ze Maria e ka ulur Karabecin në stol dhe një arsyetim i dhënë prej tij është se nuk është më tepër në formë në krahasim me të tjerët. Si ju duket kjo zgjedhje, duke qene se është kapiteni prej shumë vitesh te Tirana?

Trajneri Ze Maria duhet të kuptojë që Karabeci është lideri i ekipit dhe lojtari më me eksperiencë i ekipit. Trajneri duhet të kuptojë se në qoftë se kërkon të fitojë derbin, duhet të mbështetet tek eksperienca e Karabecit se është nga të paktit lojtarë aty që e di çfarë është derbi.

Nëse bëni një parashikim për derbin?

Unë mendoj se do të fitojë Tirana.

Një rezultat të mundshëm?

1-0.

Cili mendoni se do ta vendosë këtë përballje të premten?

Këtë nuk di ta them. Nuk po shkoj kaq larg (qesh…).

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"