EKSKLUZIVE/ Më i shtrenjti në Superiore, Shkurtaj: Kam oferta, dua të shënoj mbi 20 gola. Ja e vërteta e incidentit me tifozët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 22:15

EKSKLUZIVE/ Më i shtrenjti në Superiore, Shkurtaj: Kam oferta, dua të shënoj mbi 20 gola. Ja e vërteta e incidentit me tifozët (E PLOTË)

Vasil Shkurtaj është pa dyshim lideri i Kukësit. Forma e tij ka ardhur në rritje dhe me 11 gola në 14 ndeshje, vlonjati ka treguar se është një “artileri” e rëndë për sulmin. E megjithatë, nuk ka në plan që ta lërë me kaq. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 26-vjeçari rrëfen se dëshiron të kalojë kuotën e 20 golave deri në mbyllje të këtij sezoni. Pohon se në drejtim të tij ka pasur oferta, ndërsa për të parën herë komenton edhe incidentin me tifozët, që i kushtoi trajnerit Shpëtim Duro edhe gjobë. Nuk kishte si të mos fliste edhe për ekipin, ditët turke dhe objektivat.

Shkurtaj

14 ndeshje 11 gola, shifër e mirë për një sulmues. Sa e vështirë është të shënosh gola në kampionatin shqiptar?

Kampionati shqiptar është i fortë dhe shumë konkurrues, megjithatë deri tani kam shkuar mirë. Dua të vazhdoj kështu, jam në rrugën e duhur për objektivin që i kam vendosur vetes.

I keni vendosur ndonjë objektiv vetes, sa gola dëshironi të shënoni deri në fund? 

Nuk mund të them numrin e golave, sepse ato i mbeten vetëm fushës. Por do isha i kënaqur nëse do të kaloja shifrën e 20 golave. Është shifër konkurruese dhe mund t’ia dal. Kam ambicie dhe formë të mirë, por mbi të gjitha një skuadër dhe staf në krahë që më ndihmon. Kjo ma shton edhe më shumë besimin te vetja.

Po të shohësh “Transfermarkt”, Shkurtaj është lojtari më i shtrenjtë i krejt Kategorisë Superiore. Jua ngacmon sedrën kjo gjë?

Normalisht që për mua është një vlerësim dhe kënaqësi, por edhe një stimul për të punuar akoma më shumë në të ardhmen dhe të jap maksimumin në arritjen e objektivave ekipore, por dhe personale.

Shkurtaj5

Kukësi shtoi “marshin” në 5 javët e fundit dhe e mbylli vitin në krye. Cilat ishin sekretet? 

Sekreti është vetëm puna. Nëse një skuadër punon seriozisht, çdo gjë arrihet. Normalisht pak është edhe çështje fati, sepse në futboll çdo gjë është e ndërthurur dhe komplekse. Nuk është e prerë me thikë. Ne kemi një grup kompetitiv futbollistësh, një trajner dhe staf profesionist që dinë çfarë kërkojnë.

Gjatë ndeshjes me Skënderbeun patët një incident me tifozët, episod që solli edhe gjobitjen e trajnerit Shpëtim Duro. Çfarë ndodhi realisht? 

E vërteta është se unë pas ndeshjes mësova për incidentin. Kam qenë shumë i përqendruar në fushë. Profesor Duro gjithmonë po mundohet të na mbrojë dhe është gjithmonë krah nesh, pavarësisht nëse jemi duke luajtur mirë apo jo. Kemi një klimë të mirë dhe ngritje në lojën tonë dhe është normale që nuk duhet dhe nuk do lejohet të prishet kjo atmosferë. Natyrisht që respektojmë shumë çdo tifoz tonin, e jam i bindur që çdo gjë nuk ka qenë me të keq, thjesht secili në mënyrën e vet kërkon më të mirën për skuadrën e Kukësit.

Si po shkoni në fazën përgatitore dhe prisni të shënoni në dy takimet miqësore? 

Faza po shkon shumë mirë. Për momentin nuk më intereson aq shumë të shënoj, por të stërvitem sa më mirë për të arritur gjendjen e duhur fizike.

Keni informacione nëse do të ndiqeni nga agjentë turk në këto dy miqësore? 

Nuk kam asnjë informacion, por me siguri do të ketë shumë sy në këto ndeshje miqësore.

Jemi në kohë merkatoje, ndaj edhe ofertat nuk mungojnë. Ka pasur zhvillime në këtë drejtim?

Interes ka pasur mjaft, por asgjë e prekshme deri më tani. Ekipi sigurisht di më shumë.

Mund të na zbuloni ndonjë emër? 

Është diçka që i takon klubit, unë e kam punën vetëm në fushë. Natyrisht që do të doja të luaja në një kampionat tjetër jashtë Shqipërisë, nëse ai ekip plotëson ambiciet e mia.

Cilat janë dëshirat dhe pritshmëritë për vitin 2020? 

E para një herë të kem shëndetin tim pa lëndime dhe pastaj dëshira ime e madhe është të fitoj kampionatin me Kukësin.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"