EKSKLUZIVE/ “Me fjalë do ishe Lionel Mesi”, Osmani zbulon batutën me Takajn, flet dhe për Halilin: Kam detyrim ndaj tij (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2020 | 0:08

EKSKLUZIVE/ “Me fjalë do ishe Lionel Mesi”, Osmani zbulon batutën me Takajn, flet dhe për Halilin: Kam detyrim ndaj tij (E PLOTË)

Tefik Osmani lëshon sfidën. Mbrojtësi njihet si një nga ata që dinë të flasin në fushë dhe jashtë saj. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i bardhebluve tregon se ç’do të thotë për sportistin, dy muaj pushim. Dy fjalë për ditët e vështira, stërvitjen, titullin kampion dhe çmendurinë që ka bërë gjatë izolimit.

tefik osmani

Tefik, futbolli nisi zyrtarisht. Mund të themi se është një vendim i vonuar për të gjithë dhe futbollin në veçanti?

Për mua është shumë i vonuar, duke parë situatën në Shqipëri. Stërvitja dhe loja duhet të nisnin më shpejt, pasi futbolli është jo vetëm për ne lojtarët, por edhe për tifozët. Një lloj argëtimi.

Është dhe do të jetë e vështirë pas dy muajsh pushim që të jesh në stërvitje dhe të luash në mes të vapës?

Normal. Çdo futbollist e di çfarë do të thotë të rrish dy muaj pushim. Është shumë e vështirë. Megjithatë, unë kam besim se mbas dy ndeshjeve të para gjithçka do të jetë dhe do të shkojë shumë mirë. Në Shqipëri janë kushtet në të gjitha stadiumet dhe mund të luash edhe në orën 22:00.

Tirana ishte në ato pozita që mund të thoshte të mos luajmë, por të shohim shëndetin?

Unë di të them që asnjëri, nga presidenti te punëtori i fushës, kanë dashur që të luhet futboll dhe Tirana ta fitojë titullin në stadium. Kjo është ajo që veçon Tiranën dhe e bën skuadër të madhe. Tirana, me sa e njoh unë, nuk do të kënaqej asnjëherë me titullin në tavolinë.

Çfarë i keni thënë vetes këta dy muaj?

Kanë qenë ditë të vështira për këdo. Normal. E kam thënë edhe për gazetën tuaj. Për ne futbollistët thonë që vdesim dy herë. Njëherë kur lë sportin dhe njëherë kur të vjen nga Zoti. Mendoj që ky moment tani është sikur na ka rënë parainfarkt, por ne nuk jemi dorëzuar. Për një futbollist është shumë e vështirë ndalesa.

tefik osmani

Cila është gjëja apo veprimi më i çmendur që keni bërë gjatë këtyre javëve izolim?

Nuk është se kam bërë ndonjë gjë të çmendur. Kam kujtuar gjëra të bukura me djemtë e mi në shtëpi. Siç kemi luajtur edhe vetë, ato kemi bërë gjatë gjithë kohës. Gjëja e çmendur që kam bërë është që kam rrezikuar. Duhet ta pranojnë edhe ata që thonë se s’kanë bërë stërvitje, pasi thonë që jo Tirana, jo kështu, jo ashtu. Të gjithë kanë dalë, dikush më shumë e dikush më pak, me biçikletë, vrap apo diçka tjetër. Kjo është çmenduri për një futbollist në momentin kur e bën në një kohë të tillë.

Batuta më e bukur që keni thënë apo që ju kanë thënë në karrierë dhe tani?

Të them të vërtetën, mbahem që them shumë batuta, por më e bukura që më kanë thënë është e presidentit të Skënderbeut, Takaj. Ishim ulur e po diskutonim. Po i thosha: “Të fitojmë këtu, ata të munden. Të marrim kaq pikë, të marrim aq pikë. Ata të mos marrin pikë, ne shkojmë në krye|. Fjalë të kësaj natyre. Kur ai ia pret: “Po mo Osman, po. Me fjalë thua ti. Me fjalë, ti do të ishe Mesi, po lëri këto”.

Grenti tha fjalë të mëdha për një miqësi që paçka moshës është dhe do të jetë e fortë edhe në të ardhmen…

Grenti është djalë shumë i mirë dhe nga ata që të dëgjon, ashtu siç e dëgjoj edhe unë. Miqësia e tillë është. Në njëfarë mënyre është një miqësi ku unë mundohem që t’i jap eksperiencën time. Është një miqësi e fortë, por edhe detyrim moral ndaj presidentit Refik Halili. Kur isha 24 vjeç, kalova te Tirana dhe presidenti Halili më ndihmoi shumë nga ana njerëzore.

tefik osmani

Orges Shehi javë më parë tha se nëse fiton me Tiranën, përmbysja do të ndodhë…

I kuptoj të gjitha këto fjalë. Janë deklarata ku ne nuk duhet të përzihemi. Duhet të shohim veten tonë. Çdo trajner tjetër motivon ekipin e tij. Ama ne le të shohim punën tonë. Dhe duke parë punën tonë nuk llogarisim asnjë nga kundërshtarët.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"