EKSKLUZIVE/ “Më duhen afrime për çdo repart”, Ahmataj: Te Skënderbeu do bëhet revolucion, klubi më dha garanci për zhbllokimin e merkatos (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2020 | 23:30

EKSKLUZIVE/ “Më duhen afrime për çdo repart”, Ahmataj: Te Skënderbeu do bëhet revolucion, klubi më dha garanci për zhbllokimin e merkatos (E PLOTË)

Julian Ahmataj nuk heq dorë nga merkatoja, madje e thotë hapur që i duhen afrime në çdo repart. Pasi ka mbyllur tri javë përgatitjesh, trajneri e pranon që e ka pasur jo pak të vështirë. I është dashur që ta nisë thuajse nga zeroja, por kjo nuk e pengon që të besojë se do ndërtojë një ekip dinjitoz për sezonin 2020-2021. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri tregon muajin e parë në krye të korçarëve.
presor juli
FOTO: P.PASHOLLARI

U bënë tri javë në krye të Skënderbeut. I kënaqur me këtë grup?
Të them të drejtën, kanë qenë tri javë vërtet të vështira për ne. Kushtet në të cilat e nisëm punën, nuk ishin aspak të zakonshme. E megjithatë, më duhet të falënderoj lojtarët që kanë qenë kokulur dhe kanë punuar me dëshirë gjatë kësaj periudhe. Kjo na jep me të vërtetë shumë dorë.

Sa e vështirë ka qenë të ngrinit nga hiçi një ekip?
Shumë e vështirë, sepse ju e dini shumë mirë se si ishte fillimi i përgatitjeve për ne. Kemi përpara domosdoshmërinë për të ngritur një ekip në 90% të lojtarëve, me pak fjalë është revolucion i plotë. Gjithsesi, le të shpresojmë që gjithçka të shkojë sipas pritshmërive. Përtej cilësisë, ambienti që është këtu të bën të punosh qetë.
118948371_777505786125101_6110873206262438363_n
FOTO: P. PASHOLLARI 

Me Bicajn dhe Qaqin mund të themi se Skënderbeu e ka të sigurt prapavijën?
Të them të drejtën do të ketë edhe afrime të tjera në këtë repart, pasi është një pikë e rëndësishme për një ekip në një sezon të gjatë. Normalisht që mbrojtjen nuk mund t’ua linim në dorë lojtarëve të rinj sado që dëshirë dhe talent të kenë. E them këtë, pasi ky repart ka nevojë për eksperiencë dhe talent së bashku. Me Bicajn dhe Qaqin qendra e mbrojtjes është në rregull për momentin. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk do të ndërhyhet sërish.

Cili është reparti që ka ende nevojë për ndërhyrje ose më i keqndërtuari?
Nuk doja ta përdorja këtë term, por mund të them se kudo ne kemi nevojë për afrime. Po punojmë për të ndërtuar një ekip cilësor dhe jam i bindur se deri në fund do t’ia dalim.

Shumë lojtarë në provë, aq sa duket si “kantier ndërtimi”. Çfarë po kërkon Ahmataj?

Po, është e vërtetë. Po kërkojmë të gjejmë elementët e duhur që do të na bëjnë punë për sezonin e ri. Tashmë dihet se cila do të jetë politika e Skënderbeut dhe unë dua t’i qëndroj besnik asaj. Jemi duke kërkuar lojtarë të rinj të talentuar që të kenë dëshirë për të punuar dhe mbi të gjitha për t’u rritur dhe t’i shërbejnë klubit në të ardhmen.

Bojkotimi i kampionatit nga të gjitha klubet a ju jep më shumë kohë për t’u përgatitur?

Pa dyshim që po, ishte diçka që na u kthye në faktor pozitiv pasi na jep mundësinë që të kemi më shumë kohë për të vijuar provat tona dhe të gjejmë elementët e duhur për sezonin e ri. Jam i bindur që do t’ia dalim me sukses.

Gazeta mësoi se merkatoja e Skënderbeut është e bllokuar. Si do të veprohet në dijeninë tuaj, pasi nuk ka asnjë zyrtarizim për momentin?

Kjo është një çështje me të cilën merret klubi dhe drejtuesit e saj, janë duke punuar. Unë kam marrë sigurinë se nuk do të ketë asnjë problem dhe klubi do ta zgjidhë më së miri këtë çështje duke zhbllokuar merkaton. Jam i qetë në këtë pjesë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"