EKSKLUZIVE/ “Më dënuan 1 vit, por u stërvita si kafshë”, Kola: Tirana e persekutuar, Musta më tha që u dënua prej Nallbanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2020 | 21:55

EKSKLUZIVE/ “Më dënuan 1 vit, por u stërvita si kafshë”, Kola: Tirana e persekutuar, Musta më tha që u dënua prej Nallbanit (E PLOTË)

Agustin Kola është një furi e vërtetë këtë herë. Ashtu si në kohët e arta kur çante mbrojtjet rrëmbimthi, tani nuk i driblon më ata me të cilët bën replikë për titullin e vitit 1989. I përmend me emra dhe i sfidon edhe në një përballje “live” se çfarë ka ndodhur ato kohë. Deklarata e fundit e Perlat Mustës ia ka trazuar disi shpirtin dhe, ndryshe nga hera e fundit, thotë se Tirana ka qenë e persekutuara e atij sistemi. Ish-futbollisti i shquar i bardhebluve i përgjigjet Mustës, duke i thënë se ia bënë puçin vetë njerëzit e Partizanit.musta-kola

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, Kola thotë se u dënua nga i ati i Hasan Likës, Petriti, që asokohe ishte shef i arbitrave. “Jua them me bindje që atë sistem nuk e kam dashur, por ama na kanë respektuar. Nëse ka pasur një klub të persekutuar, ai ka qenë Tirana. Sukseset nuk kanë të bëjnë fare me mënyrën se si trajtoheshim. Po, e vërtetë që Perlatin e takova në rrugë, por duhet ta thotë publikisht atë që më tha mua: u dënua sepse duhet të luante Blendi Nallbani”, deklaron Kola për gazetën.

Kola, çfarë biseduat me Mustën kur u takuat pas debatit të fundit për vitin 1989?

Shikoni, unë me Perlatin kam ngrënë bukë. Por, jo vetëm me të, edhe me shumë të tjerë. Me Targajn, me Mingën, me Lamen e shumë të tjerë. Për mua ata janë njerëzit e shtëpisë dhe disa gjëra që i themi privatisht, nuk kemi pse i nxjerrim në media. Por, meqenëse Perlati thotë se e kanë dënuar enkas më 1989, atëherë duhet të flasë burrërisht dhe ta thotë troç atë që më tha mua kur u takuam.

Çfarë ju tha?

Më tha që një nga arsyet e dënimit ishte që të luante Blendi Nallbani. Perlati ishte i dënuar nga UEFA pas ngjarjeve të Benfikës. Këtë e dinë të gjithë. Nëse e kanë dënuar, këtë ia kanë bërë vetë ata të Partizanit. Nuk ka lidhje Tirana.

Kush të Partizanit?

Drejtuesit, ata që kishin influencë në klubin e tyre. Mua më ka thënë që gjithçka është bërë me urdhrin e ish-zv.ministrit të Mbrojtjes Maliq Sadushi. Plus pastaj, edhe personi që udhëhiqte normat. Kanë qenë të Partizanit, jo të Tiranës. Tirana ka qenë e persekutuar në atë kohë. Të mos flasim kot tani.

Pse ka qenë e persekutuar Tirana?

Ore zotërinj, po lojtarët kush i merrte si ushtarë? Partizani apo Tirana? I merrte nga gjithë Shqipëria… Po Ali Memën kush e merrte te Partizani? Po Gëzim Kasmin kush e dënonte dhe e çonte në Skrapar? Ja, pra, që të gjitha këto i bënte Partizani dhe i vuante Tirana, por kam edhe një shembull timin personal.kola

Për çfarë bëhet fjalë?

Mua më dënuan 1 vit. Më dënuan sepse djali i xhaxhait tim u arratis në vitin 1985, pasi vdiq Enver Hoxha. Edhe ky persekutim ishte, sepse unë isha titullar i Tiranës dhe i Kombëtares. Po dreqi e mori, unë nuk kam dalë të them se meqë më dënuan mua atë vit dhe Partizani mori titullin, atëherë është dëmtuar Tirana enkas. Nuk kam dalë ta them këtë. E kam deklaruar disa herë: Atë sistem nuk e kam dashur kurrë, por ne futbollistët na kanë respektuar. Të gjithëve. Edhe unë që isha rebel dhe i papërkulur, më kanë respektuar pa masë.

Kush ju dënoi 1 vit dhe pse?

Më ka dënuar babai i Hasan Likës, Petriti. Ishte shef i arbitrave asokohe. Për saktësim, kush merrte tre kartonë të kuq gjatë një sezoni, pezullohej gjashtë muaj. Unë mora të tretin me urdhër të Petrit Likës dhe më mohuan të shkoja të luaja në Gjermani. Duhet të shkonte i biri i tij, Hasani.

Cila ndeshje ka qenë dhe çfarë ndodhi saktësisht?

Tirana duhet të luante një ndeshje me Besëlidhjen, por Lezha ishte përmbytur e tëra. U vendos që të luhej në Fier. Unë e mora vesh më pas që Petrit Lika, ish-shefi i arbitrave, i kishte thënë gjyqtarit të asaj ndeshjeje, Astrit Cane, nga Shijaku: “Po i dhe kartonin e kuq të tretë Agustinit, do të bëj arbitër ndërkombëtar”. Ma dha të kuqin, ndërkohë që pak ditë më vonë unë duhet të udhëtoja me Kombëtaren në Gjermani. Nuk shkova unë dhe përfitonte Hasani (Lika), por as ai nuk shkoi në Gjermani.

Pse?

Sepse edhe Partizani bëri një sherr në Berat dhe u dogj edhe Hasani. Nuk shkoi fare as ai. Por, Hasani nuk u dënua sa unë, sepse ishte djali i një oficeri, kurse unë isha i biri i një shoferi.

Po me ju çfarë ndodhi më pas?

Jo vetëm që nuk shkova, por më pezulluan 6 muaj dhe më pas ma bënë një vit dënimin. I gjithë plani ishte që unë të demoralizohesha edhe ta lija futbollin. Por, unë jo vetëm që nuk u tërhoqa, por jam stërvitur si kafshë atë një vit dhe u ktheva shumë më i fortë. Më besoni, u ktheva realisht shumë më i fortë.

Pse mendoni që jua kanë bërë kastile dënimin dhe nuk e keni merituar për shkak se rregullorja ishte e tillë…?

Sepse ishte i planifikuar dënimi im. Unë nuk bëra asgjë në krahasim me çfarë bëri Mujo Targaj në Korçë kundër arbitrit. Por, mua më dënuan një vit, Mujon jo.

Çfarë bëri Targaj në Korçë?

Ia theu shkopin në Korçë “gardalinës” (anësorit) dhe nuk u dënua sepse ishte i Dinamos. Por, për Mujo Targajn kam respekt, sepse është njeri i jashtëzakonshëm. Merreni dhe pyeteni. Ai njeri nuk di as të gënjejë dhe as të bëjë poshtërsi. Nëse ka një lojtar kalibri që ka qenë edhe njeri për së mbari, unë them se ka qenë Mujo Targaj. Merreni dhe pyeteni nëse unë po gënjej…agustin-kola-te-konica

Musta, Pano dhe Lame thonë që normat u shpikën enkas për të dënuar disa lojtarë të Partizanit më 1989…

E pavërtetë. Normat ishin për të gjithë dhe Musta ka ngelur në norma. Nëse ia kanë bërë me hile, ia kanë bërë vetë ata të Partizanit. Ore atëherë komandonte Enver Hoxha. Njerëzit që rrethonin Enverin ishin ushtarakë dhe normalisht të gjithë ushtarakët ishin tifozë e mbështetës të Partizanit. Nuk ka pikë dyshimi kjo. Por, diferenca është që ne të Tiranës e pranojmë që na kanë respektuar. Nuk e doja atë sistem, por Mehdi Bushati, që ishte dhëndëri i Hysni Kapos dhe drejtonte asokohe sportet, sot gëzon respektin tim maksimal. Pse? Sepse më ndihmoi mua dhe shumë të tjerë që të bëheshim futbollistë profesionistë. Sepse, ne lojtarët të gjithë jemi trajtuar më së miri. Me një respekt të jashtëzakonshëm nga të gjithë.

Neptun Bajko, ish-trajner i Partizanit atë sezon, dyshon se dënimi i katër lojtarëve titullarë prej normave mund të ketë pasur lidhje edhe me faktin që të kuqtë ishin të dënuar prej Benfikës. Ju si mendoni?

E lexova intervistën e Bajkos, por nuk më erdhi mirë që ai ta cilësojë Tiranën si skuadra e Partisë. Neptuni është dhëndri i një gjenerali… E di mirë historinë ai së bashku me Perlatin, Lamen dhe shumë të tjerë. Nëse duan të flasin, le t’i bien drejt. Ta thonë hapur se çfarë ndodhi, kush favorizohej, kush merrte lojtarët si ushtarë dhe kush i merrte lojtarët në kryeqytet: Tirana ia merrte Partizanit apo e kundërta? Mua më duket se lojtarët që donte i merrte Partizani… E di edhe Neptuni këtë. E di ai edhe se si mua më nxirrnin me të kuq në derbi me Partizanin dhe thoshin nga tribuna: “Këtij është për t’ia vënë prangat…”.

Kur ka ndodhur kjo?

Nuk e mbaj mend vitin, por kam dalë një herë me të kuq në derbi dhe pas një përplasjeje me disa në tribunën qendrore. Arbitri mbante Partizanin, dihej ajo punë. Më pas u përhap lajmi se unë u zura me djalin e Enver Hoxhës, Ilirin.

Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Unë u ndëshkova me të kuq dhe po dilja gjithë nerva nga fusha. Poshtë tribunës rrinin fëmijët e parisë, aty quhej “zona e kolltuqeve”. Kur po dilja, dëgjova vëllain e Klement Kolonecit, rahmet pastë, që tha: “Këtij është për t’ia vënë prangat”. Nuk më mbajtën nervat edhe i thashë: “Të më rr…ash tr…pin”. Aty situata u tensionua dhe afër tij ishte edhe Ilir Hoxha. Iliri, në fakt, më mbrojti për hir të së vërtetës, por u hap lajmi që unë u zura me Ilir Hoxhën. Vazhdoi ca kjo histori…agustin kola

Dhe si u mbyll?

U mor vesh e vërteta, unë nuk kisha asgjë me Ilir Hoxhën. Përkundrazi, gëzoj respekt. Por, ama për këta që dalin dhe ankohen tani, e kam një kërkesë.

Çfarë kërkese?

I ftoj të dalim në një debat publik. Të ulemi në tapetin e fushës dhe të përballemi si dikur ose në ndonjë studio. Dhe jam gati t’i sqaroj të gjithë një për një. Perlatin që e dënuan se, sipas tij, duhet të luante Blendi Nallbani. Neptuni, ish-dhëndri i gjeneralit, që thotë se Tirana ishte klubi i Partisë. Ilir Lame që thotë se Tirana i bënte hile… I ftoj të gjithë more, të dalim në debat dhe të shohim. Ta mësojnë njerëzit të vërtetën. Duan të flasin, bujrum! Fati im që luajta te Shkëndija që 17 vjeç.

Pse?

Kam arritur kolosët e futbollit si Mehdin Zhegën, Iljaz Çeçon, Përnaskën, Zëren. E njoha që aty ambientin dhe se si funksiononin gjërat. E dija shumë mirë si funksiononte. E nisa me këta futbollin dhe e kam lënë futbollin kur nisën të luanin disa bixhozxhinj…

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"