EKSKLUZIVE/ “Me Atvidabergun na surprizuan shkodranët e arratisur”, Sabah Bizi: Si e humbëm shansin të luanim kundër Realit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2020 | 21:45

EKSKLUZIVE/ “Me Atvidabergun na surprizuan shkodranët e arratisur”, Sabah Bizi: Si e humbëm shansin të luanim kundër Realit

Po ai Sabah, ai zë, i gatshëm, i edukuar, gjithmonë me humorin që e shoqëron në kaq vite e dekada që e njoh e komunikoj. Në ato përballje ka qenë protagonist: Organizator, shënues, një lider i padiskutueshëm i grupit partizanas.

Sabah Bizi

Sabah, do e nisim me Atvidabergun?

Takimi u zhvillua në një fushë sportive me shkallë e tribuna prej dërrase. Golin e kam realizuar në fillim të takimit. Përfitova nga një situatë konfuze brenda zonës. Topi nga Pano më erdhi mua, që shënova. Në fund të lojës, i lodhur jam afruar te stoli dhe kam kërkuar zëvendësim.

Kam informacion se keni qenë lojtari më i mirë në fushë?

Isha në formë në atë kohë, por jo në atë ndeshje. Në Krajovë, ndaj Universitateas në Kupën Ballkanike, pas takimit kujtoj kur Loro Boriçi, që nuk përgëzonte lojtarët, m’u afrua, më përqafoi e më tha: “Je Kashei i pavdekshëm”!

Shkodranë të arratisur që ju “presin” në Atvidaberg… si është kjo histori?

Nga autobusi, kur po shkonim në stadium, shoh dy shkodranë, Jahuz Kuçin dhe vëllain e mjekut Sikti Bushati, të arratisur me varkë, me shumë bujë në shtatorin e 1961 nga Zogaj për në Malin e Zi. Qëndronin pak larg. Me Jahuzin isha shumë i njohur, djalë i pashëm, zeshkan. Ndërsa unë i ri. Në Shkodër më mbante pranë, dinte gjithçka që kisha në shtëpi.

I takuat, apo ishte e pamundur?

Në nxemje, por edhe gjatë lojës i shihja, qëndronin pas stolit tonë. Me ta ishte edhe një grua. Kur u zëvendësova, u ula dhe ata më ngacmonin. Ktheja kokën, më bënë me shenjë se donin të më takonin. Në ato rrethana, për kohën, ishte e rrezikshme dhe ata e dinin. Pas ndeshjes Jahuzi hyri në autobus. Me lot në sy, na tha mua e Rragamit: “Sabah, Zan pse nuk na flisni? O shkodrani Loro Boriçi”, e pa thënë asnjë fjalë tjetër u largua i nervozuar.

Shkuat në Insbruk, çfarë ndodhi aty ?

Në Insbruk, ku luhej për herë të parë me drita, Partizani ka bërë një ndeshje spaktakolare. Kur ishim 2- 0, Pano humbi rastin e golit të tretë, duhet të pasonte te Janku. Në fundin e pjesës së parë, arbitri dha një penallti të paqenë. Ai ishte nga Jugosllavia, miq me trajnerin e një lojtar të Vakerit edhe ata jugosllavë.

Sabah, vijmë te takimi i “munguar” me Realin e Madridit. Çfarë llogarish bënit ju në atë kohë?

Pas humbjes në Tiranë, qarkullonin fjalë se Partizani kishte toleruar. Kjo, pasi në rast kualifikimi mund t’i binte të ndesheshim me Realin, si edhe vijoi në fakt, ku Vaker luajti vërtet me Realin. Flitej se qeveria do e refuzonte përballjen me spanjollët e më pas klubi do dënohej nga UEFA. Por nuk është e vërtetë, pasi Vakeri luajti mjaft mirë taktikisht. Sidoqoftë do ishte një shans i madh për t’u ndeshur me Realin në “Bernabeu”. Më mirë që u eliminuam, apo jo? (qesh) Do ishte një peng i madh që rrallë të vjen në karrierë. Sepse nuk do luanim!

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Partizani-Atvidaberg, kualifikimi historik i të kuqve në Europë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"