EKSKLUZIVE/ Mbrojtësi i Skënderbeut drejt Partizanit, por klubi korçar do… dëmshpërblim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 14:44

EKSKLUZIVE/ Mbrojtësi i Skënderbeut drejt Partizanit, por klubi korçar do… dëmshpërblim

Në fundin e kampionatit dhe me mendjen te Kategoria e Parë për sezonin e ardhshëm, Skënderbeu duket se ka filluar të mendojë për bërthamën e ekipit që do të tentojë rikthimin e shpejtë në ligën e më të mirëve.

Leonat Vitija

Pas zyrtarizimit të rënies një kategori më poshtë, ndeshjet e mbetura në Kategorinë Superiore duket se kanë shërbyer vetëm për të parë se cili do të jetë boshti i skuadrës dhe sa të rëndësishëm janë lojtarët që kanë momentalisht në kontratë bardhekuqtë për sezonin e ri.

Njëfarë bilanci ky që do të vijojë edhe në ndeshjen e fundit në shtëpi përballë Teutës. E ndërsa flasim për planet e sezonit të ri, nuk mund të rrinë jashtë vëmendjes edhe lojtarët që janë nën “lupën” e ekipeve të tjera për sezonin e ardhshëm.

I tillë është rasti i mbrojtësit kosovar, Leonat Vitija. 22-vjeçari nga Kosova ka qenë një pjesë e rëndësishme e Skënderbeut në këto vitet e fundit, duke rritur ndjeshëm performancën e tij për t’u bërë kështu një pikë stabël në formacionin e korçarëve.

Por duket se interesimi i madh i Partizanit mund të sjellë edhe ndonjë zhvillim për sa i përket merkatos.

Nga ana tjetër, klubi nuk ka dëshirë të lirohet me parametër zero nga djaloshi kosovar që ka koleksionuar edhe një numër pjesëmarrjesh me përfaqësuesen e Kosovës U21.

Për këtë arsye duket se korçarët janë lidhur fort pas kontratës së Vitijës i cili nga sa bëjnë me dije burimet në klub, ka të paktën edhe gjashtë muaj kontratë me Skënderbeun, deri në janarin e vitit 2023.

Kjo bën që Skënderbeu të mos lëshojë terren dhe e vetmja mënyrë me të cilën Partizani mund të marrë shërbimet e lojtarit është blerja e kartonit.

Nuk dihet ende se sa është vlera që klubi bardhekuq i ka vendosur kartonit të lojtarit, por që të paktën deri në janar duket e vështirë që Vitija të ndryshojë ambient.

RINOVIMET – Në kushtet kur këtë javë mbyllet sipari i Kategorisë Superiore për këtë sezon, Skënderbeu pritet që pas disa ditëve pushimi dhe qetësie të rikthehet sërish të mendojë për ndërtimin e ekipit. Gjithçka do të nisë nga rinovimet me lojtarët aktualë.

Nga sa bëhet me dije, puna paraprake pritet që të nisë me grupin aktual të futbollistëve, aq sa të gjithë do të kontaktohen për të parë mundësinë e qëndrimit në Korçë edhe një kategori më poshtë.

Më pas do të bisedohet edhe me lojtarët që janë drejt skadimit të kontratës në gjashtë muajt e ardhshëm, me të cilët do të bisedohet për zgjatje të mëtejshme të bashkëpunimit.

Por e gjithë kjo pritet të fillojë në fund të muajit qershor atëherë kur edhe plani për Skënderbeun e ri do të jetë më i qartë.

LLAZI SARO – PANORMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"