EKSKLUZIVE/ Mbetet tifoz bardheblu, Taulant Seferi parashikon derbin: Partizani pritës? Fiton Tirana 1-3

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 22:08

EKSKLUZIVE/ Mbetet tifoz bardheblu, Taulant Seferi parashikon derbin: Partizani pritës? Fiton Tirana 1-3

Taulant Seferi nuk është një futbollist i Tiranës, por mbetet bardheblu. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, një nga dy golashënuesit e Superiores së sezonit të shkuar thotë se Tirana i mungon shumë. Seferi flet për Tiranën dhe derbin me Partizanin. Ai pranon se ka kontakte me shokët si dhe nuk ngurron të japë një rezultat të saktë.

Seferi Partizani-Tirana derbi

Sulmuesi nga Kumanova u dha lamtumirën bardhebluve pas një viti e tetë muajsh aventurë te Tirana, duke firmosur për 3 vite më Vorsklën dhe gjatë kësaj periudhe 25-vjeçari do të përfitojë 270 mijë euro në vit. Kujtojmë se sulmuesi te Tirana ishte më i miri në fushën e lojës gjatë sezonit të kaluar. Futbollisti sezonin e shkuar në 43 ndeshje koleksionoi: 19 gola, 10 asiste dhe 3814 minuta.

Tirana luan këtë të diel në ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit, derbin me Partizanin…
Derbin e shoh një ndeshje të luftuar shumë në fushën e lojës. Gjithsesi, e shoh sërish favorite dhe besoj se ka për të triumfuar patjetër në këtë ndeshje.

Ju mungon, do t’ju mungojë apo e keni harruar një ndeshje si ajo e derbit?
Po. Normalisht që më mungon gjithçka. Më mungojnë shokët e skuadrës. Më mungon atmosfera që bëjnë tifozët e Tiranës. Më mungon edhe derbi. Këtë ndeshje do të jem tifoz bashkë me të gjithë tifozët e Tiranës për bardheblutë.

Në takimin e fundit derbi ju shënuat golin e barazimit dhe fituat titullin matematikisht në sfidën me Partizanin…
Veç fitimit të titullit kampion që është diçka tjetër, unë në Superiore nuk i kisha shënuar vetëm Partizanit. Ishte kënaqësi e veçantë, sepse gol në derbi ndaj Partizanit dhe fitore derbi… ku ka më mirë. Realisht nuk kam fjalë të përshkruaj këtë sfidë. Një ngjarje që nuk do ta harroj kurrë. Do ta mbaj mend gjithë jetën time.

Ju mungon Tirana?
Sigurisht që po. Kam kaluar dy vite të shkëlqyera në kryeqytet. Më mungon qyteti, jeta që bëhet aty, më mungojnë shokët e Tiranës. Një vend ku ke kaluar mirë është normale që do të mungojë. Unë kam kaluar mirë dhe normale që është kjo ndjesi.

Flisni me djemtë e skuadrës për atë që ndodh në ekip?
Po flas shpesh me ta. Jam në kontakt të vazhdueshëm.

SEFERI

Ju tashmë luani në Ukrainë. Si po shkon aventura e re e Taulant Seferit?
Për mua personalisht është hap shumë i mirë që kam bërë. Po më pëlqen shumë kampionati. Kampionati është shumë i luftuar, agresiv ashtu siç më pëlqen mua. Për sa i përket gjithë ekipit, e kemi filluar pak keq dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Tej këtij fakti, kemi një ekip shumë të mirë, shumë kualitativ dhe besoj se sapo të lidhemi si skuadër do të kemi rezultate shumë të mira. Janë shumë lojtarë të rinj që kanë ardhur në fillim të sezonit dhe na duhet pak kohë.

Taulant ju thatë që ndeshjen derbi e fiton Tirana. Sa del derbi ose më jepni një rezultat të saktë?
Partizani është pritës apo jo? Del 1-3 për Tiranën.

Mund ta thoni kush shënon?
E them, e them. Shënon Xhixha 2(dy gola) dhe Limaj 1(një).

Në kombëtare kaluat dy ndeshje të vështira. Çfarë mendoni se ndodhi në fushë dhe jashtë?
Këtë herë u grumbullova në kombëtare me besimin e plotë se do të kishim rezultate të mira. Ne kemi një skuadër shumë të fortë. Jemi më të mirë se Izraeli dhe Islanda, por nuk e di çfarë ndodhi dhe jemi të mërzitur. Të dëshpëruar padyshim, por futbolli i ka këto dhe nuk e kthejmë asgjë pas. Futbolli i ka këto dhe duhet të jemi të gjithë së bashku për të pasur suksese Kombëtarja. Nëse nuk jemi të gjithë së bashku nuk do të ketë as suksese.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"