EKSKLUZIVE/ Mbërrin shkresa në FSHF, tatimet kontrolle institucionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2018 | 23:13

EKSKLUZIVE/ Mbërrin shkresa në FSHF, tatimet kontrolle institucionit

Tatimet mësyjnë në FSHF për kontroll. Një shkresë e mbërritur së fundmi në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit zbardh urdhrin për kryerjen e kontrollit dhe mban firmën e drejtorit rajonal, Dionis Imeraj. “Panorama Sport” ka siguruar ekskluzivisht shkresën e datës 3 prill 2018, që ka mbërritur në federatë këtë javë dhe ndër të tjera në objektin e kontrollit specifikohen dy pika të kontrollit: 1) Listën e personave të kontraktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit nga viti 2010 deri në janar të vitit 2018. 2) Tatimi në burim për të ardhurat nga paga, shpërblimet, bonuset, honoraret për secilin si të ardhura të tatueshme nga viti 2010 deri në janar të vitit 2018.

fshf-logo-standartizim

FSHF NJOFTON UEFA-n

Ende pa mbërritur dy inspektorët e caktuar për kontroll nga Drejtoria e Tatimeve, Emilio Manoku dhe Lisjana Halilaj, FSHF e ka konsideruar këtë si një sulm nga ana e qeverisë pas fitores së Dukës më 7 shkurt përballë deputetit të maxhorancës, Bashkim Fino. Burime zyrtare pranë federatës bëjnë me dije se shkresa e mbërritur së fundmi është referuar menjëherë në organizmat ndërkombëtarë, FIFA dhe UEFA.

KËRKESË NGA KUVENDI

Mjafton të lexosh shkresën që ka mbërritur ditët e fundit në FSHF, për të kuptuar se kërkesa për kontrollin e tatimorëve në federatë është bërë pas një shkrese që ka mbërritur nga kuvendi. Në objektin e kontrollit thuhet se: tërheqja e dokumentacionit të kërkuar sipas shkresës së ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë…

ÇFARË NDODHI PARA ZGJEDHJEVE

Ditët e fushatës zgjedhore për postin e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit u shoqëruan edhe me debate politike. Madje, edhe me lëvizje të vetë organeve shtetërore. Disa ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve ishte një urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme e TatimTaksave, për të zhvilluar kontroll mbi një sërë klubesh, të cilat ishin edhe anëtarë të Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së. Kjo lëvizje u cilësua nga anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të mandatit të shkuar në FSHF si manovër politike dhe presion politik, për të ndikuar mbi procesin ku merrte pjesë edhe deputeti i PS-së, z. Bashkim Fino. Mirëpo, ky urdhër u pezullua nga ministri Arben Ahmetaj, i cili vendosi që asnjë veprim të mos ndërmerrej gjatë periudhës zgjedhore, por të bëhej pas saj.

PRECEDENTI

Afro dhjetë vite më parë, kur Shqipëria qeverisej nga maxhoranca e djathtë, u krijua një situatë disi e ngjashme. Asokohe ministria e sporteve me në krye Ylli Pangon, pati kërkuar auditimin e fondeve që jepte qeveria shqiptare për futbollin. FSHF e pati refuzuar me pretendimin se auditimin e fondeve e bënte një kompani private, e njohur edhe nga UEFA dhe se raporti u shkonte direkt organizmave ndërkombëtarë për mënyrën se si ishin menaxhuar fondet. Për këtë pati një përplasje të fortë dhe në fund ndërhyri UEFA, e cila e konsideroi si cenim të pavarësisë në punë e FSHF. Tani objekti i kontrollit nga tatimorët është ndryshe, por mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"