EKSKLUZIVE/ Marrin fund dilemat për vizën, futbollisti largohet nga Skënderbeu: Jam gati për këtë aventurë, e arrita falë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 14:42

EKSKLUZIVE/ Marrin fund dilemat për vizën, futbollisti largohet nga Skënderbeu: Jam gati për këtë aventurë, e arrita falë…

Merr zgjidhje çështja “Dumfur”. Prej javësh nuk dihej fati i mesfushorit, por tashmë nuk ka më paqartësi.

dumfur

Skënderbeu dhe Randi Dumfur ndajnë përfundimisht rrugët, që i lidhnin prej tri sezonesh të plota.

Pas një dileme të gjatë që vijoi përgjatë gjithë verës, është mbyllur me sukses kalimi i ganezit në kampionatin grek.

Vetëm dy ditë më parë është zyrtarizuar transferimi i 21-vjeçarit tek Episkopi, ekip i ligës së dytë helene.

Ai ka siguruar që të gjitha dokumentet përkatëse dhe tashmë nuk i mbetet tjetër veçse të lërë përfundimisht Shqipërinë. Atij i mungonte viza e punës, që tashmë e ka marrë.

Nga ky kalim nuk mbetet “thatë” as klubi korçar. Ata do të përfitojnë afro 30 mijë euro, si tarifë për rritjen e afrikanit. E megjithatë, edhe kjo pjesë mbetet për t’u diskutuar dhe përllogaritur.

DUMFUR – I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Randi Dumfur ka folur rreth mundësisë për të treguar veten në një tjetër kampionat.

Ai është i lumtur që më në fund u plotësua dokumentacioni dhe do të jetë gati për të nisur kampionatin me Episkopin.

Nuk ka harruar të falënderojë Skënderbeun për kontributin e dhënë në këto vite dhe mbi të gjitha që e pranoi të stërvitej gjatë fazës përgatitore. “Gjithçka duket se ka marrë fund dhe prej disa ditësh jam pajisur me dokumentacionin përkatës.

Kjo më jep mundësinë të përmbyll transferimin tek ekipi i Episkopit, me të cilin do të vijoj sezonin e ri.

Jam i lumtur për këtë kalim dhe shpresoj që të rritem akoma edhe më shumë si dhe të fitoj një eksperiencë të re. Jam gati për startin e kampionatit që do të nisë në 16 tetor dhe gjithçka falë Skënderbeut.

E falënderoj presidentin Ardjan Takaj për mundësinë që më dha dhe mbi të gjitha për marrëveshjen e arritur, që të zhvilloja fazë me ta. Kam kaluar tri sezone mjaft të mira te Skënderbeu dhe jam rritur shumë aty.

Është mëkat që ky sezon u mbyll me rënie nga kategoria, por jam i bindur se ai klub do të ringrihet shpejt.

Uroj gjithë lojtarët dhe stafin të kenë sa më shumë suksese dhe të bëjnë realitet objektivin”, përfundoi Randi, që u aktivizua plot 70 ndeshje zyrtare me Skënderbeun.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"