EKSKLUZIVE/ Malota: Qesharake të na reduktohen pagat, bashkia e Shkodrës të gjejë zgjidhje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2020 | 19:49

EKSKLUZIVE/ Malota: Qesharake të na reduktohen pagat, bashkia e Shkodrës të gjejë zgjidhje

Renato Malota është një nga lojtarët e Vllaznisë që në këtë periudhë stërvitet buzë detit për të ruajtur formën, në mënyrë që t’i përgjigjet sa më mirë teknikut Jonuz, kur të thirret në “apel”. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, lezhjani i skuadrës shkodrane tregon rreth situatës që po kalon sot sporti shqiptar. Sipas tij, qeveria po bën pak për sa i përket sportit e në veçanti futbollit. Malota është i mendimit se FSHF-ja duhet të ndërhyjë për të rikthyer sa më shpejt kampionatin, ndërkohë që flet edhe për çështjen e pagesave të këtyre muajve, duke apeluar që bashkia të lëvrojë sa më shpejt fondin.
Malota
Renato, futbolli duket sikur është lënë i fundit në këtë situatë, a është e drejtë kjo?
Mendoj se nuk është e drejtë, pasi futbolli është një nga sportet më popullore dhe me të ndjekura në botë. Futbolli duhet ndihmuar me patjetër për ta kaluar këtë krizë. Kosova apo vendet e tjera janë një shembull që duhet ndjekur nga qeveria shqiptare.
Kategoria-Superiore-2018

Po flitet për kampionat në tavolinë. A është e logjikshme apo duhet të përfundojë?
Nëse federata vendos të fillojë kampionati, do të na duhen rreth dy javë përgatitje që ta marrim veten sadopak nga ana fizike. Uroj që kampionati të fillojë sa më shpejt, në të kundërt do të ishte një humbje e madhe për të gjithë, si nga ana financiare, ashtu edhe ajo psikologjike. Nuk më duket aspak e drejtë ta mbyllin kampionatin para kohe. Uroj të mos ndodhë kjo gjë. Jam dakord deri diku që të luhen ndeshjet pa tifozë, por të paktën kampionati do vendosej në fushë, jo në tavolinë.
fshf
FSHF ka dhënë një fond për pagesat e lojtarëve. Po ju, a keni ndonjë sinjal për pagat tuaja që do të akordohen nga bashkia?
Më vjen mirë që FSHF-ja u qëndroi afër lojtareve në këtë kohë të vështirë dhe gjej rastin ta përgëzoj. Dua të përmend dhe të përgëzoj Sindikatën e Futbollistëve që ka ndihmuar shumë lojtarë të kategorive inferiore në këto kohëra të vështira, si me ushqime dhe gjëra të tjera. Sa u përket pagave te Vllaznia, nuk kam asnjë sinjal dhe nuk e kam idenë çfarë po bëhet. Të gjithë jemi në një situatë shumë të vështirë financiare dhe uroj që bashkia ta mendojë seriozisht këtë problem, sepse 99% e futbollistëve mbajnë familjet me këto paga. Uroj të ketë një zgjidhje sa më shpejt.
Vllaznia-Bylis
A keni marrë garanci nga drejtuesit e klubit?
E thashë edhe më lart, nuk kam kontaktuar me asnjë nga drejtuesit dhe presim një SMS apo telefonatë për zgjidhjen e këtij problemi. Nuk e kemi mundësinë të veprojmë si ekipet apo lojtarët e huaj që po reduktojnë pagat e tyre, pasi dihen pagat që marrin futbollistët në Shqipëri. Është qesharake ta krahasosh pagën tonë me atë që marrin lojtarët në Europë. Po të na mbanin pagat apo të na bënin ndonjë reduktim, do të ishte humbje shumë e madhe për ne. Do të respektojmë kampionatin deri në fund, prandaj nuk shoh arsye pse të na mbajnë rrogat apo të na reduktojnë ato.
Ngo-Malota
Si është gjendja juaj fizike, sa ndikon kjo situatë?
Kjo situatë ndikon shumë te ne. Po mundohem të mbaj gjendjen fizike sadopak, bëj vrapime çdo ditë. E quaj veten deri diku me fat, pasi shtëpinë e kam afër Shëngjinit dhe çdo pasdite kam vrapuar buzë detit. Pjesën tjetër e kaloj duke luajtur “Play Station” deri në orët e vona, apo duke luajtur domino me të afërmit, gjithmonë duke mbajtur distancën.

A janë të mjaftueshme pas kësaj ndërprerjeje 10 ditë stërvitje për t’u kthyer në fushë?
Mendoj se do të na duhen të paktën dy javë kohë para ndeshjes së radhës, pasi janë bërë 5 javë ndërprerje dhe s’dihet sa të tjera do të jenë. Di që afro 80-90% e tyre kanë qenë aktivë këto kohë, duke u stërvitur individualisht në mënyra të ndryshme, por është më ndryshe kur je në grup dhe stërvitesh me trajner. Mendoj që dy javë do të ishin të mjaftueshme.

Admir Uruçi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"