EKSKLUZIVE/ Maliqi rrëfen shkaqet e “divorcit” me Kukësin: U largova prej… shokëve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2020 | 23:46

EKSKLUZIVE/ Maliqi rrëfen shkaqet e “divorcit” me Kukësin: U largova prej… shokëve (E PLOTË)

Edis Maliqi la Kukësin për t’iu bashkuar “kolonisë” së shqiptarëve te Lokomotiva e Zagrebit. Mbrojtësi ruan kujtimet më të mira nga aventura 2-vjeçare me verilindorët, por mendon se kishte ardhur koha që të hidhte hapin e madh në karrierë.

Edis-Maliqi

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 24-vjeçari tregon arsyet pse refuzoi rinovimin me nënkampionët e Shqipërisë, ndonëse negociatat gjatë kësaj vere nuk kanë munguar. Lojtari i linjës së djathtë e pranon se rrjedhjet e shumta të verës ndikuan jo pak në vendimin e tij. Edhe pse kuksianët kanë pësuar “revolucion”, ai është i bindur se afrimet e reja kanë cilësi dhe objektivat do të jenë madhorë.

Dy vite shumë të mira te Kukësi dhe Maliqi kalon te Lokomotiva e Zagrebit. A ishte ky rrugëtim një “trampolinë” për ju?

Janë dy vite shumë të mira. Ruaj plot kujtime e momente të bukura nga kjo eksperiencë që kalova te Kukësi. Një përvojë që më ka rritur dhe më bëri që të hedh këtë hap të madh, duke kaluar në kampionatin kroat. Ndaj, është e vërtetë dhe nuk kam pse ta fsheh: Ky rrugëtim ishte “trampolina” ime.

Maliqi

Gjithkush dëshiron një aventurë jashtë vendit, por duam të dimë shkaqet që sollën “divorcin” me verilindorët?

Unë mendoj që Kukësin e kam respektuar jashtëzakonisht shumë dhe jo më kot kam qenë 2-3 herë në takim me drejtuesit e klubit për të folur për një rinovim të mundshëm. Në fund nuk e kemi gjetur marrëveshjen për bashkëpunim, ndaj edhe vendosa që të largohesha.

Pas një morie largimesh, ju ishit i fundit që shpallët “divorc” me Kukësin. Fakti që shihnit shokët e ekipit që të iknin, a ndikoi te vendimmarrja e Edisit?

Nuk është ndjenjë e mirë, kur sheh që të largohen bashkëlojtarët. Unë me ta kam kaluar një kohë të gjatë dhe shumicën prej tyre madje unë i kam pasur edhe shokë të ngushtë. Është më shumë se normale që ka pasur ndikim te vendimi im për t’u larguar nga klubi.

Si e shikoni ekipin e Kukësit tani, do të jetë në një nivel si sezonin e shkuar?

Kukësi çdo merkato largon dhe afron shumë lojtarë, por gjithmonë ka pasur e krijuar ekip të fortë. Mendoj që do të duhet pak kohë, por jam i sigurt që do të dalin në rrugën e duhur. U uroj të gjithë ish-bashkëlojtarëve të mi, stafit dhe klubit që të kenë shumë suksese këtë sezon. U dëshiroj gjithë të mirat!

maliqi

Pse zgjodhët pikërisht Kroacinë, çfarë ju bindi?

Pas dy viteve të mira në Shqipëri, mendoj se është koha e duhur që ta provoj veten në një kampionat më të fortë dhe mendoj që Kroacia është vendi i duhur për të ndërtuar karrierën time.

U bë pak kohë që i jeni bashkuar Lokomotivës, si ju duket ambienti?

Unë akoma s’kam pasur mundësi që të luaj ndeshje zyrtare, por ne të gjithë e dimë dhe e njohim se çfarë kampionati është. Më duket goxha i fortë dhe konkurrent. Pastaj, sa për pozitën gjeografike, klimën dhe vendin, janë shumë të mira.

Jeni i kënaqur që në klubin tuaj ka kaq shumë lojtarë shqiptarë?

Jam i kënaqur që kam gjetur shumë djem të mirë këtu, të cilët më kanë afruar dhe pritur jashtëzakonisht mirë. Disa nga ata i njoh që më herët dhe kam luajtur kundër tyre, janë futbollistë të mirë dhe janë shumë të respektuar këtu. Shpresoj që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën dhe në fund të arrijmë sukses.

Cilat janë synimet e Maliqit?

Tani që jam këtu normal që i kam vendosur vetes qëllime të reja. Shpresoj që do të kem mundësi të tregoj kualitetin tim dhe, pse jo, të bëj një hap më të madh në një kampionat akoma më të fortë, por së pari të përshtatem dhe të luaj te Lokomotiva e Zagrebit. Kam besim të plotë se gjithçka do të shkojë mirë. I druheni konkurrencës? Konkurrenca të bën që të rritesh e të punosh më shumë, ndaj nuk kam pse t’i druhem. I respektoj të gjithë e së bashku do të na duhet të bëjmë më të mirën. Kam besim në vetvete e në atë çka unë si futbollist përfaqësoj. Nuk më pengon asgjë që të tregoj cilësitë e mia.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"