EKSKLUZIVE/ “Makinat pasioni im, vëllai nuk më xhelozon”, rrëfehet “bomberi” 21-vjeçar i Kategorisë së Parë: Dua “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2022 | 22:39

EKSKLUZIVE/ “Makinat pasioni im, vëllai nuk më xhelozon”, rrëfehet “bomberi” 21-vjeçar i Kategorisë së Parë: Dua “Këpucën e Artë”

Redon Danaj është “bomberi” më i ri i Besëlidhjes. Deri para pak javësh thjesht ëndërronte të arrinte të vëllain me gola, por tani e ka parakaluar. As që e mendon që Rubeni e xhelozon dhe rrëfen se as prindërit nuk bëjnë dot ndasi mes tyre.

Redoni

Me tripletën ndaj Maliqit, tashmë bashkëkryeson listën e shënuesve me Jasmin Raboshtën e Erzenit dhe Taulant Markun e Korabit. Misioni i mesfushorit tashmë është i qartë, të fitojë “Këpucën e Artë” dhe këtë e thotë me të madhe gjatë një interviste ndryshe të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

Është vetëm 21 vjeç dhe pasion ka makinat, e megjithatë jetën e bën në funksion të futbollit. Mundohet të ushqehet shëndetshëm dhe studion për sporte…

Një mesfushor të shënojë gola më shumë se sulmuesit… E prisnit?

Futbolli është aq sa i vështirë dhe magjik, ndaj dhe duhet shfrytëzuar çdo variant gjatë lojës. Pa dyshim, stërvitja është ajo që të kalibron, ndaj edhe nuk i shkëputem asnjë minutë. Madje, punoj edhe individualisht.

A u kushtoni shumë kohë gjuajtjeve në portë gjatë stërvitjes?

Në grup stërvitemi sipas programit të përpiluar nga stafi teknik, por pas mbylljes së seancave disa nga ne ushtrohemi me gjuajtje në portë. Ka shumë javë që “ligjin” te Besëlidhja po e bëni ju dhe Rubeni. Ndiheni mirë për këtë? Që kur kemi nisur rrugën e futbollit, pa dyshim që kemi menduar suksesin, ndaj jam mjaft i lumtur. Dyfish i lumtur ndihem kur edhe vëllai im vijon suksesin.

E latë pas Rubenin, a mendoni se është “mërzitur”?

Nuk e besoj. Rubeni është një futbollist shumë i mirë dhe njeri shumë i dashur për të gjithë, aq më shumë me mua. Prej tij kam mësuar shumë.

Brenda familjes kush merr më shumë vëmendje, ju apo Rubeni?

Familja për ne është gjithçka, ndaj këtu nuk shikoj ndonjë diferencë. Por një fjalë thotë që “gishtat e dorës nuk janë të gjithë njëlloj”, ndaj edhe ka ndonjë tolerim për më të vegjlit (qesh).

Përveç futbollit, cili është pasioni juaj më i madh?

Tani për tani vëmendjen kryesore e kam të përqendruar te futbolli, që është pasioni im që në fëmijërinë e hershme, por kam edhe një pasion tjetër, që e ka çdo i ri, makinat.

Cili është peng më i madh që ju ka mbetur në memorie, në karrierë ose jetë?

Fatmirësisht nuk kam pengje, pasi i kam arritur objektivat që i kam vënë vetes deri më tani. Fanella që mbaj veshur është gjithçka për mua dhe do të më mbetet peng nëse nuk ngjitemi në elitë dhe ia dal të marr “Këpucën e Artë”. Ekipi ynë e meriton të jetë në Superiore për cilësinë dhe nivelin që ka.

Beselidhja

A mendoni se nga treshja e kreut të goleadorëve të Kategorisë së Parë, që keni shënuar një numër të barabartë golash, ju jeni më i favorizuari për “Këpucën e Artë”?

Marrja e “Këpucës së Artë” për një futbollist është një ëndërr për shumë prej nesh, ndaj do të luftoj fort për këtë. Kemi në dispozicion edhe 5 ndeshje dhe shpresoj se do të shënoj përsëri gola, falë edhe solidaritetit që kemi krijuar në grup.

Për çfarë studion Redoni?

Edhe studimet ia kam kushtuar sportit, pasionit tim më të madh.

Duke iu rikthyer jetës suaj private, cili është ushqimi juaj i preferuar?

Jam një njeri që nuk kam ndonjë preferencë të madhe, mjafton që ushqimi të jetë cilësor, bio dhe i pasur me kalori. Kjo më ka ndihmuar që të kem qëndrueshmëri fizike.

Si e kaloni kohën e lirë?

Mosha ime e ka shumë të larmishme kohën e lirë, por mua profesioni si futbollist ma limiton atë, sepse njëkohësisht edhe arsimohem. Kështu që, atë pak kohë që më tepron e shfrytëzoj duke dalë me shoqërinë.

Ju jeni një futbollist që tashmë keni rënë në sy më shumë nga të gjithë te Besëlidhja. A ju ka ardhur ndonjë ofertë nga Superiorja?

Deri tani jo. Te Besëlidhja po e ndiej veten shumë mirë. Nëse do të kemi ndonjë surprizë të këndshme nga ndeshjet e “play off”-it, që shpresojmë shumë që t’i kapim, atëherë asnjë ofertë sado tunduese nuk më largon nga ekipi im.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"