EKSKLUZIVE/ “Lushnja u shit ndaj Egnatias”, akuzon presidenti i Besës: Nuk e prisja, u turpëruan për pesë para të pista

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2021 | 10:30

EKSKLUZIVE/ “Lushnja u shit ndaj Egnatias”, akuzon presidenti i Besës: Nuk e prisja, u turpëruan për pesë para të pista

 Humbja në Pogradec “ka nxjerrë nga shinat” presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili, të cilit duket se i ka sosur durimi. Sipas presidentit verdhezi, përgjegjësia bie nga Mërgjyshi i pari, deri te rezerva e fundit. Ai ndalet të shpjegojë kujdesin e tij për ekipin dhe faktin se shpenzon më shumë se çdo ekip i Ligës së Parë. Fillimisht, për “Panorama Sport”, Bizhdili u shpreh: “E dini ju se nuk i kam borxh asnjë qindarkë askujt nga futbollistet? E dini ju që aq sa kanë kërkuar kur kanë ardhur, ua kam likuiduar në dorë? E dini ju që, si askush, Besa trajton me akomodim, ushqim e fjetje 15 futbollistë? Çfarë duhet të bëjë më tepër një president në shërbim të ekipit? Nuk po flas këtu për trajtimin njerëzor që i kam afruar secilit prej tyre, që nga dita e parë. Edhe atëherë kur kanë merituar penalitete, i kam toleruar. Të mos presin që të hyj në fushë të luaj e t’i bëj golat unë”.

Bizhdili-2

ANALIZA– Pas këtyre fakteve, Bizhdili ndalet te thelbi, ajo që e ka irrituar së tepërmi: “Pas Lushnjës i kritikova dhe besova se ndaj Pogradecit do të reagonin, por pashë një Besë pa grintë, pa shpirt. Që në start Peqini pati rast shënimi, por gaboi. Ndërsa kundërshtari i tij me katër mbrojtës, në pozicion më të vështirë shënoi. Një gol i dhuruar kur tërë prapavija dështon me një top të vetëm të pasuar. E njëjta situatë edhe te goli i dytë kur u la i lirë sikur po i dhurohej kundërshtarit. Si mundet të godasë i vetëm me kokë sulmuesi mik te goli i dytë, i vetëm fare i qetë, i pambuluar? Në futboll nuk krijohen 100 raste, prandaj lojtarët e mi i shpërdoruan si pa të keq dhe e pësuan. Nuk pashë luftë sportive, këmbëngulje, dëshirë, ego pas pësimit të golave. Përgjegjësia fillon me Mërgjyshin e stafin i pari, deri te lojtarët rezervë. Nuk është kjo Besa që formova, besova e dua. Janë 2 ndeshje: ajo me Lushnjën e Pogradecin, që i vunë një minë ambicies sonë. Do ndalem gjerë e gjatë sot me ekipin. Nuk mundet dhe s’do ta lejoj që stafi e lojtarët të sillen si amatorë në fushë”.

Bizhdili

LUSHNJA – Përtej ekipit të tij, Bizhdili ndihet “i tradhtuar” edhe nga skuadra e Lushnjës. Sipas tij, kavajasit gjithnjë e kanë respektuar Lushnjën, madje duke zhvilluar miqësore e pa folur për kampionatin. Sipas Bizhdilit, lagunarët bënë “namin” për të fituar me Besën dhe u shitën për 5 para të pista ndaj Egnatias. “Me Lushnjën gjithnjë kemi shkuar shkëlqyer. Kemi respektuar stafin, lojtarët e mbi të gjitha tifozët e tyre të mrekullueshëm. Ndaj nesh, vetëm 2 javë më parë, lanë ‘zemrën’ në fushë për të na mundur. Pas ndeshjes thjesht i respektova, i urova për ‘Fair Play’-n. Ndërsa me Egnatian pashë një ekip, jo Lushnja, që u shit për 5 para të pista. Vetëm 1 karton i verdhë dhe një ekip përpara të cilit Egnatia ndihej si në stërvitje. Lushnja na detyrohet shumë, shumë moralisht dhe këtë që bëri nuk e prisja dhe nuk e pranoj”, përfundon Bizhdili për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"