EKSKLUZIVE/ Lushnja shpenzon 86 milionë lekë për dy muaj, në qershor “kursehet” me lojtarët dhe stafin që i mbaron kontrata (Tabela e plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2022 | 12:31

EKSKLUZIVE/ Lushnja shpenzon 86 milionë lekë për dy muaj, në qershor “kursehet” me lojtarët dhe stafin që i mbaron kontrata (Tabela e plotë)

Lushnja nuk do të vuajë për financa. Buxheti i parashikuar për 2022-shin është më i larti që bashkia ka miratuar në dekadën e fundit. Janë 575 milionë lekë të lëvruar, që do të shfrytëzohen për pagat, premiot, grumbullimet dhe shërbime të tjera operative. Çështja është se si do të jetë e ardhmja. Klubi vazhdon të jetë 100% në varësinë e institucionit vendor dhe ende nuk është hedhur asnjë hap për privatizimin.

lushnja

Shumë flitet në qytet se biznesmenë të mëdhenj mund të afrohen, por ishte Eriselda Sefa që shoi çdo zë. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ajo qartazi tha: “Procedurat nuk kanë filluar akoma dhe deri tani nuk kemi pasur ndonjë biznes të interesuar. Unë kam kontaktuar me një ekspert, të cilit i kam kërkuar që të njihet me detyrimet ligjore që ne kemi, duke qenë se faza e parë është që një ekspert duhet të jetë për të bërë vlerësimet. Kur ta fillojmë këtë proces, patjetër që do të merret miratimi nga ana juaj. Pastaj do të vazhdojmë me fazat e tjera të procesit”. E megjithatë, situata mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Hapa të mëdhenj janë hedhur në fakt. Verdhejeshilët nuk janë më ekipi që stërvitej në llucë e dhe, tashmë kanë disa fusha cilësore në dispozicion. Shumë shpejt do të ndërhyhet edhe në stadiumin “Roza Haxhiu”, terreni i të cilit është degraduar.

SHPENZIMET

Gazeta “Panorama Sport” siguron të detajuara shpenzimet që klubi ka për muajt maj dhe qershor. Nëse ky që mbyllet pikërisht nesër përfshin pagat dhe premiot për lojtarët dhe stafin teknik, i radhës nuk ka detyrime të tilla. Kostoja për majin shkon në 50 milionë lekë të vjetër, ndërsa për të riun 14 milionë më pak. Të dy muajt bashkë bëjnë diçka rreth 86 milionë lekë… jo pak për një klub që thjesht shpëtoi nga rënia. Futbollistëve dhe trajnerëve u mbaron kontrata më 31 maj dhe automatikisht ndërpresin bashkëpunimin me Bashkinë Lushnjë. Për t’u paguar është vetëm personeli, por sigurisht janë edhe shërbimet e tjera operative apo ato që vijnë nga investimet në infrastrukturë.

SITUATA

Flasim për buxhet që është i ngjashëm edhe me ekipe të cilat luajnë në mesin e tabelës së elitës, por Lushnja që nga viti 2006 është në krizë. Nga ajo kohë e deri më sot numëron vetëm 3 pjesëmarrjeje në Kategorinë Superiore dhe plot 14 herë në Kategorinë Parën. Por, jo vetëm kaq! Në dy sezonet e fundit jo vetëm që nuk kanë pretenduar, por verdhejeshilët kanë rrezikuar të bien më poshtë. Kampionatin e fundit ia hodhën në limite dhe kjo falë ndërhyrjes së bashkisë në mesin e janarit. U ndryshua stafi teknik dhe u bënë disa afrime cilësore në merkato. Pas një faze të parë për t’u harruar, në të dytën u transformuan. E megjithatë, tifozët presin që klubi në sezonin 2022-2023 të kërkojë diçka më shumë sesa shpëtimi.

TABELA E SHPENZIMEVE:

5455

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"