Ekskluzive/ Lushnja nxjerr blof Federatën, ja çfarë thotë për shtyrjen e ndeshjes me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2017 | 11:09

Ekskluzive/ Lushnja nxjerr blof Federatën, ja çfarë thotë për shtyrjen e ndeshjes me Vllazninë

Lajmi për shtyrjen e ndeshjes Vllaznia-Lushnja ka shkaktuar jo pak habi në kampin verdhejeshil. Sekretari i klubit, Irakli Zaka, në një prononcim për “Panorama Sport” është shprehur:

lushnja vllaznia jorgji

“Ne mendojmë se nuk ka arsye për të shtyrë ndeshjen Vllaznia-Lushnja. Në javën e parë, ne nuk kishim stadiumin gati dhe luajtëm në Fier. Për shkakun që pretendohet, Flamurtari e zgjidhi një situatë të tillë duke luajtur me ne në Ballsh. Ne mendojmë se ndeshja mund të luhet në një fushë asnjanëse. Mund të luhet edhe në stadiumin e Lushnjës dhe Vllaznia mund të veprojë me ne siç veproi me Skënderbeun.

Shtyrja e një ndeshje të vetme do të krijojë probleme me kalendarin. Nuk ka arsye për të shtyrë ndeshjen dhe kjo vetëm dëmton garën. FSHF-ja ka vendosur të pranojë kërkesën e Vllaznisë për të shtyrë ndeshjen, por duket qartë që është një vendim i njëanshëm. Aq më tepër kaq pranë zhvillimit shtyrja e ndeshjes nuk mund të pranohet.

Mbi të gjitha shtyrja e një ndeshjeje duhet të bazohet në rregulloret e FSHF-së dhe po flasim për një ndeshje të Kategorisë Superiore. Është e qartë që shtyrja bëhet për t’i bërë mirë Vllaznisë. Ne nuk e pranojmë këtë shtyrje, por nuk kemi çfarë të bëjmë sepse është vendim zyrtar i FSHF-së”, ka thënë Zaka, në lidhje me vendimin e marrë gjatë ditës së djeshme nga FSHF.

TRAJNERI

Lushnjarët nuk i kanë lënë asnjë çast përgatitjet e tyre, por tashmë ata duhet të fokusohen te Flamurtari. Trajneri i Lushnjës, Hysen Dedja, tha se ai e kishte përgatitur skuadrën për ndeshjen me Vllazninë. Duke u mbështetur te kalendari kishte ndërtuar një program pune dhe këtë e kishte shprehur për “Panorama Sport”. Tashmë teknikut shkodran të Lushnjës i duhet të ndryshojë destinacion, pasi do të përqendrohet te ndeshja e radhës me Flamurtarin.

“Është një vendim zyrtar i FSHFsë. U gjendëm në një situatë të papritur sepse ishim duke punuar për ndeshjen me Vllazninë. Bashkë me stafin po përgatisim ndeshjen si gjithë të tjerët. U njoftuam me këtë vendim të papritur. Tani do të shohim situatën e re duke vijuar punën tonë në situatë të ndryshuar. Kemi përpara sfidën me Flamurtarin. Do të mendojmë, do të përgatisim ndeshjen me ta”, tha trajneri Dedja, i cili do të ketë kohë në dispozicion për të përgatitur ekipin e tij.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"