EKSKLUZIVE/ Lushnja me ide të qarta në merkato, akord me mesfushorin e Egnatias dhe rikthimi i…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2023 | 12:36

EKSKLUZIVE/ Lushnja me ide të qarta në merkato, akord me mesfushorin e Egnatias dhe rikthimi i…

Pas sulmuesit Xhona tan Hila, një tjetër lojtar del në stërvitje me Lushnjën. Këtë herë bëhet fjalë për një mesfushor, konkretisht Fabian Blakçorin, që pjesën e parë të sezonit e mbylli te Turbina. E megjithatë, verdhejeshilët nuk e kanë lënë me kaq.

LUSHNJA

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se klubi po e orienton merkaton në elitë. Dhe “pazarin” e ka nisur pikërisht në Rrogozhinë.

Skerdilajd Levendi pritet të vihet nën urdhrat e Klevis Dalipit. Burime thanë për gazetën se gjithçka është mbyllur mes palëve dhe mesfushori i Egnatias pritet këto ditë që t’i bashkohet grupit.

levendi

LARGIMET – Lushnja i ka idetë e qarta në merkato. Këtë herë do të përpiqen që të evitojnë gabimet e së shkuarës, pasojat e të cilave janë ende të freskëta.

Rrezikojnë seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë dhe ndërhyrjet janë emergjente. Ishte ky shkaku që drejtuesit kanë nisur prej ditës së parë të fazës përgatitore operacionin “fshesa” dhe kanë larguar gjashtë lojtarë (Marjus Koreshi, Fadil Meta, Jurgen Përvataj, Ardit Ziaj, Mal Mehmeti dhe Ali Llacja).

Ky është vetëm fillimi ama, pasi në këtë listë mund të përfshihen edhe të tjera. Klubi pretendon që të ketë 25 lojtarë në kontratë dhe me këtë formulë, është i detyruar që të lirojë vende dhe kanë zgjedhur këtë formë.

KLUBI – Emrat “big” mungojnë, e megjithatë po punohet vrullshëm. Gjë që e konfirmon edhe sekretari i klubit, Mario Sula për gazetën: “Çdo ditë po punojmë për të marrë lojtarë dhe forcojmë organikën”.

Plani është i qartë, të afrojnë elementë nga Superiorja, ndoshta edhe në formë huazimi. Dhe jo sa për të plotësuar numrin, por futbollistë që të bëjnë diferencën dhe japin tjetër impuls verdhejeshilëve.

Shpresohet sigurisht edhe te ndonjë “okazion” merkatoje, ndonëse janari nuk ofron shumë opsione. Më të mirët janë të angazhuar dhe mbi të gjitha nuk joshen pa “kesh” dhe dihet që në Lushnjë nuk aplikohen këstet.

Nëse kjo gjë do të ndryshojë tani, mbetet për t’u parë. Ajo që dihet me siguri deri më tani është që Klevis Dalipi ka nisur punën me shumë vrull dhe po i merr maksimumin organikës që ka në dispozicion.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"