EKSKLUZIVE/ Lushkja, i bindur: S’ka më gabime, fillimisht të sigurojmë Europën dhe më pas të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 16:39

EKSKLUZIVE/ Lushkja, i bindur: S’ka më gabime, fillimisht të sigurojmë Europën dhe më pas të…

Mesfushori i Laçit, Regi Lushkja, i gëzohet pikës së marrë në fund të ndeshjes me Dinamon, duke parë edhe mënyrën se si rrodhën ngjarjet. Sipas tij, në fushë para ndeshjes hynë me synimin për të marrë tri pikët e para të këtij sezoni, por edhe një pikë mund të konsiderohet si rezultat i kënaqshëm.

Regi Lushkja

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 25-vjeçari është i bindur se Laçi do të ndërrojë “marsh” ashtu si sezonin e kaluar.

“Duke parë si shkoi kjo ndeshje, në fund edhe mund të kënaqemi me një pikë pasi ky është futbolli dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Pak a shumë duket sikur po përsërisim të njëjtën situatë si dy sezonet e fundit, ku kemi filluar jo mirë, por e kemi marrë veten rrugës. Tani na mbetet të shpresojmë që të bëjmë një start akoma më të mirë sesa vitin e kaluar”, u shpreh fillimisht një nga lojtarët më të spikatur të ekipit kurbinas.

OBJEKTIVAT – Në vijim të fjalës së tij, kavajasi pohon se objektivat e Laçit nuk ndryshojnë nga ata të sezoneve të kaluara, ku minimalisht do të synojnë Europën dhe më pas mbetet për t’u parë nëse do të arrijnë më lart.

“Objektivat nuk ndryshojnë, ne do të synojmë sa më lart në renditje. Fillimisht të sigurojmë Europën dhe më pas të shohim rrugës se deri ku mund të shkojmë. Çdo gjë do ta shohim ndeshje pas ndeshjeje, ku normalisht do të përpiqemi të marrim më të mirën”, u shpreh mesfushori i kurbinasve.

KUKËSI – Kalendari i ka rezervuar një tjetër përballje “zjarr” Laçit, pasi do të rivalizojë me Kukësin në shtëpi. Për Lushkjen, Kukësi është një kundërshtar si gjithë të tjerët, ka vështirësitë e veta, por synim mbetet patjetër fitorja e parë këtë kampionat.

“Çdo ndeshje është e vështirë dhe ka rëndësinë e vet. Ne do të futemi në fushë për të marrë maksimumin dhe shpresoj që të marrim rezultatin që na nevojitet”, përfundoi prononcimin e tij mesfushori 25-vjeçar i bardhezinjve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"