EKSKLUZIVE/ Luiza Gega rrëfen momentin e vështirë: Si tentuan të na vidhnin në Kenia, roja i kompleksit na u fut në dhomë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 23:12

EKSKLUZIVE/ Luiza Gega rrëfen momentin e vështirë: Si tentuan të na vidhnin në Kenia, roja i kompleksit na u fut në dhomë

Luiza Gega zhvilloi fazën përgatitore më të gjatë të karrierës së saj, teksa për më shumë se tre muaj qëndroi në Kenia. Ndonëse atletja kuqezi u nis me objektiva të mëdhenj, gjithçka u venit me shtyrjen e Lojërave Olimpike dhe anulimin e Kampionatit Europian. Disa ditë pas kthimit në Shqipëri, në një intervistë për “Panorama Sport”, mbretëresha e atletikës tregon për ditët në shtetin afrikan, si dhe objektivat e mbetur të sezonit. 31-vjeçarja gjithashtu rrëfen momentin kur tentuan ta vidhnin në kompleksin ku qëndronte. Ndërsa shpjegon edhe gjestin e madh të bamirësisë, duke i ardhur në ndihmë një familjeje në nevojë.luiza gega me femijet ne kenia

Si do ta përshkruani eksperiencën në Kenia?

Ka qenë një nga eksperiencat e mia më të gjata, më të çuditshme dhe sigurisht më e vështira. Kjo për shkak të situatës së pandemisë që goditi të gjithë botën. Shkuam për t’u përgatitur për aktivitetin më të madh siç është Olimpiada, por pasi mbërritëm në Kenia, çdo gjë ndryshoi dhe ky aktivitet u shty për vitin 2021. Të them të drejtën u mërzita shumë sepse po bëja punë shumë të lodhshme me sakrifica të mëdha që në dimër. Çdo gjë po shkonte më së miri, ku vendosa rekord të ri kombëtar, u shpalla sportistja më e mirë e muajit në Europë, d.m.th. ishin disa rezultate radhazi që më bënin të kisha një motivim të jashtëzakonshëm dhe të isha shumë optimiste për Olimpiadën. Por gjithçka u shua. Më erdhi vërtet keq sepse kisha shumë besim që do të arrija rezultate të mira, ku synoja të futesha në gjashtë vendet e para në Lojërat Olimpike, që do të ishte një arritje shumë e madhe. Një tjetër goditje ishte edhe anulimi i Kampionatit Europian, për të cilin u mërzita shumë. Më pas ka qenë shumë e vështirë për mua që të gjej motivimin, duke qenë se nga kalendari u hoqën dy eventet më të rëndësishme.

Sa do të ndikojë një fazë e tillë përgatitore në performancën tuaj sportive?

Ndonëse u anuluan garat më të rëndësishme, unë nuk e kam ndalur për asnjë ditë stërvitjen, me fokus vitin që vjen. Kemi pasur një stërvitje me shumë volum, sepse tashmë kam filluar të përqendrohem në garën e 3000 metrave me pengesa, një disiplinë të cilën nuk kam shumë vite që e bëj. Stadiumet ishin të mbyllura dhe më është dashur të stërvitem në distanca të gjata, pra volume, të cilat i bënim në rrugë, ose në ndonjë pistë dheu. Megjithatë, stërvitja ka vijuar çdo ditë me nga dy seanca, me 155-160 km në javë dhe mund të them se jam në formën time më të mirë.

Me shtyrjen e Olimpiadës dhe Europianit, këtë sezon garat më të rëndësishme kanë mbetur eventet “Diamond League”. Çfarë do të synoni në këto kompeticione?

Mendohet që nga mesit i gushtit do të jetë eventi i parë “Diamond League” dhe jam shumë optimiste, pasi ndihem më në formë se kurrë. Patjetër që do të bëj më mirë se çfarë kam bërë deri tani. Do të synoj thyerjen e rekordit kombëtar. Kjo do të bëjë që unë të jem më afër objektivave edhe për vitin tjetër.

Cilat do të jenë etapat e radhës stërvitore për ju?

Për 10 ditë do të qëndroj në Tiranë, me stërvitjet që do t’i bëj në Elbasan, ndërsa në fund të muajit do të nisem në Korçë. Sot duhej të bëja vrapim të gjatë dhe u stërvita te Liqeni Artificial, por të them të drejtën, e kam mbaruar distancën e 20 kilometrave me shumë stres psikologjik, duke u përplasur me njerëzit. Pra, është e pamundur që të përgatitem këtu për shkak të kushteve. Kështu që do të nisemi drejt Dardhës, kjo edhe për shkak të lartësisë që më duhet si sportiste distancash që jam. Do të qëndroj atje deri në pritje të garës së parë.

Si ndiheni kur mendoni se Tirana, qyteti ku ju jetoni, në vitin 2020 nuk ka ende një pistë atletike?

Çdo njeri që dëshiron ta ushtrojë këtë sport, ka të drejtë që të ketë një pistë atletike. Ne nuk kemi ende asnjë një projekt nga ministria, federata apo qeveria se kur mund të bëhet. Ndonjëherë më vjen të qaj për këtë pjesë, aq keq ndihem. Mundohem që t’ia ushqej si sport çdo të riu, por kur mungon baza që është infrastruktura, nuk ke çfarë të presësh. Kam vajzat e tezes, për të cilat jam e bindur që kanë një të ardhme të madhe në këtë sport, ndoshta edhe më mirë se unë, por më vjen kaq keq kur shikoj që nuk kanë ku të stërviten. Duke u kthyer edhe një herë te qëndrimi në shtetin afrikan.luiza gega

Si ka qenë një ditë e zakonshme e Luiza Gegës në Kenia?

Si gjithmonë, pra zgjohesha dhe haja mëngjesin, nga ora 10 dilja për stërvitjen e parë, që ishte edhe stërvitja ime kryesore e ditës. Më pas kthehesha në shtëpi. Isha e detyruar të gatuaja vetë, sepse në kampin ku ne qëndronim u mbyll edhe pjesa e shërbimit. Nga një anë më mirë që ndodhi kështu, sepse nuk jam shumë e dhënë pas ushqimit afrikan. Më pas është regjimi i drekës, ku unë duhet të pushoja. Nga ora 17:00 dilja për stërvitjen e pasdites, sepse në orën 19:00 në Kenia errësohet. Këto kanë qenë ditët e zakonshme atje. Për shkak të situatës u mbyllën edhe baret apo restorantet, kështu që nuk është se mund të bënim diçka ndryshe.

Keni pasur ndonjë histori apo episod të veçantë në Iten?

Ndërsa po veçoj një episod, i cili në fakt është edhe për të qarë edhe për të qeshur, ku kishte tri ditë që më kishte humbur çelësi dhe nuk mund ta mbyllja derën e dhomës. Shpeshherë shkoja te disa shoqe nga Ukraina, të cilat janë sportiste dhe kishin mbetur të bllokuara si ne në Kenia. Ato qëndronin në një kompleks më të madh dhe me shumë dhoma të lira. Në shumë raste vinte edhe trajneri, por një natë ai nuk erdhi. Siç duket roja i kompleksit ku ne qëndronim e kishte vënë re këtë gjë dhe nga mesi i natës kishte tentuar të futej te dhoma ime për të vjedhur.

Trajneri i cili qëndronte në një dhomë ngjitur me mua e kishte dëgjuar dhe kishte dalë direkt jashtë, ku kishte parë dikë që po vraponte dhe kishte dalluar bluzën me vija që mbanin personat e sigurisë, ndërkohë që shkoi edhe te dhoma e tij, por nuk e gjeti aty. Megjithatë, nuk e di nëse kishte vjedhur, pasi nuk vura re që të më mungonte ndonjë gjë. Por nuk e mendoja që mund të ndodhte diçka e tillë, aq më tepër me një person të sigurisë. Që prej atij momenti fillova të kem frikë, sigurisht që trajneri e hoqi këtë person, ku i bëri kërkesë pronarit, duke i thënë që nëse ai qëndron, ne do të largohemi. Një situatë si kjo s’më kishte ndodhur kurrë.

Kenia është një vend që ka gjithashtu edhe kafshë të egra… Keni pasur frikë në këtë aspekt?

Në fakt, zona ku ne qëndronim ishte 2400 metra nga niveli i detit dhe nuk ka rrezikshmëri në këtë aspekt. Por nëse zbret në zona më të ulëta, sigurisht që ka. Kur nuk lejohej që të ishe e shoqëruar dhe duhej të vrapoje gjatë gjithë kohës vetëm, mundohesha që të ndiqja rrugët kryesore.

Përveç pjesës sportive, ju bëtë një gjest të madh duke i ardhur në ndihmë një familjeje në nevojë… Na tregoni diçka më tepër.

Kur shikon fëmijët e vegjël që jetojnë në kushte të tilla, është një dhimbje shumë e madhe. Fillova duke shitur ca gjëra të vogla për t’u ardhur në ndihmë, ndërsa filluan të dhurojnë edhe familjarët e mi, të trajnerit apo edhe disa miq tanë. Përzgjodha një familje për t’i ndërtuar një shtëpi me dërrasa dhe llamarina, së bashku me një dush dhe një tualet. U bleva krevate dhe dyshekë. Përveç ushqimeve që u dërgonim vazhdimisht. Bëhej fjalë për një nënë me shtatë fëmijë të vegjël, e cila ishte braktisur nga i shoqi. Jetonin në një dhomë prej balte dhe kallamash dhe kur binte shiu, gjithçka futej brenda. Kur i kam parë nuk më zinte gjumi. Kështu që vendosa që t’u vij në ndihmë me aq mundësi sa kisha. Kam ndierë një lloj gëzimi mes gjithë atij hidhërimi, kur shikoja që ato lumturoheshin. Një përjetim shumë i veçantë dhe po shkova sërish, do mundohem të ndihmoj me mundësitë që kam edhe ndonjë familje tjetër.luiza gega

Si ndiheni kur mendoni që shteti shqiptar nuk bëri asgjë për riatdhesimin e atletes më të mirë të vendit?

Unë shkova në Kenia ndonëse situata nuk ishte e qetë, por shkova për të përfaqësuar veten time dhe sigurisht shtetin shqiptar në Lojërat Olimpike, duke qenë se isha sportiste e kualifikuar për në Olimpiadë. Ishte një sakrificë ekstra për shkak të situatës, por menjëherë pasi u vendos për shtyrjen e Olimpiadës, ne bëmë kërkesë ndaj institucioneve përkatëse për kthimin tonë në atdhe. Njoftuam federatën, Ministrinë e Sporteve, Ministrinë e Jashtme, ndërsa përgjigjja ishte: jeni në një kontinent të largët dhe ne nuk kemi mundësi që t’ju kthejmë. Na thanë që duhej të vini në Europë, por ne diçka e tillë ishte e pamundur. Kështu që riatdhesimi nuk ndodhi pavarësisht kërkesave të vazhdueshme. Unë nuk e di se sa përpjekje ka bërë vërtet vendi ynë, por që mendoj se ndoshta mund të ishte gjendur një zgjidhje, ashtu siç u gjet kur ne u kthyem pa ndihmën e shtetit shqiptar, por me ndihmën e një shteti tjetër si Korea e Jugut, për shtetasit e vet. U kthyem deri në Doha, e më pas për në Athinë.

Sa është shuma shtesë që keni paguar?

Ne kishim parashikuar që kthimi ynë duhet të ishte në datat 20-22 prill. Meqenëse kthimi ishte i pamundur për arsye të pamundësisë së shtetit shqiptar për të na riatdhesuar, pagesat shtese janë të konsiderueshme dhe të pamundura për t’u kryer personalisht nga unë. Pagesat shtesë përtej planit tonë të qëndrimit janë: Akomodim 4800$, biletat e reja vetëm rikthim përtej atyre që kishim blerë 5000$. Ndërsa 2500$ kanë shkuar për transportin në stërvitje, ujë, shtesa ushqimore bazuar në dietën e miratuar të atletit, fizioterapi, pagesa për palestër, stadiume e ‘pacemaker’. Kështu gjithsej janë 12300$. Ndërkohë që periudha janar-prill na ka shkuar 14.500$ si kosto shpenzimi. Pra në total deri më sot që flasim kostoja për grumbullime për stërvitjen për vitin 2020 (janar – 20 qershor) është 25 milionë lekë të vjetër.

Çfarë ju kanë thënë? Kush do t’jua mbulojë këto shpenzime?

Kemi pasur korrespondencë shkresash zyrtare për çështjen në fjalë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si dhe me Federatën e Atletikës. Por nuk na ka ardhur asnjë përgjigje zyrtare nëse do të mbulojnë shpenzimet shtesë. Vetëm verbalisht na është thënë që do të mbulojmë një pjesë të kostove, pasi të hapet dhe buxheti i federatës më 23 qershor kur të mbarojë gjendja e jashtëzakonshme, prej pandemisë. Tani jemi në pritje të ndihmës nga institucionet e sportit në vend, pasi pagesat që kemi bërë kanë qenë kaq të larta, sa s’kemi mundur t’i mbulojmë dot as vetë, por kemi marrë borxh te të afërmit.luiza-gega-840x440

Ju u ndihmuat nga disa persona për riatdhesimin në Shqipëri. Kush ishin këta?

Personi i parë që na ka dhënë shpresë se mund të riktheheshim në atdhe ka qenë Shpëtim Redo, një shqiptar me banim në Nairobi. Pavarësisht komunikimeve zyrtare që kemi pasur me Ministrinë e Jashtme për riatdhesimin tonë për dy muaj dërgime shkresash, asgjë nuk u bë. Desh fati që patëm kontakt me Shpëtimin dhe ai u angazhua maksimalisht duke gjetur kontakte me ambasadat e huaja në Nairobi të cilat bënin riatdhesime për nënshtetasit e tyre, duke i nxjerrë nga Kenia. Dua të përmend ndihmesën e vazhdueshme të ambasadorit tonë në Doha të Katarit, z. Kujtim Xhani, të cilin sapo e njoftuam se cila ambasadë po bënte listat e riatdhesimit, i kontaktoi urgjentisht ata verbalisht dhe me shkresë zyrtare brenda orës, sepse procesi ishte kaq i shpejtë duke qenë se vendet ishin të limituara.

Një tjetër person shumë i dashur me sportin, biznesmeni Kristo Naci ndihmoi financiarisht për një pjesë të biletave tona të rikthimit, duke parë pamundësinë tonë financiare për pagesa. Gjithashtu Erind Resuli menaxheri i ‘Aegean Airlines’ bëri të mundur konfirmimin nga ana e autoriteteve të “Qatar Airways” që ne mund të bënim tranzitin në Athinë, pasi pa këtë konfirmim s’do të mund të fluturonim. Çdo gjë ndodhi kaq shpejt dhe bllokimi në aeroport për mundësinë e konfirmimit që ne si shtetas shqiptarë mundeshim të bënim tranzit në Greqi përpara mbërritjes sonë e bënte nul procesin e riatdhesimit. U jam shumë mirënjohëse të gjithëve për kontributin, pasi pa ndihmën e të katërve, do të ishte e pamundur që të ktheheshim në atdhe.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"