EKSKLUZIVE/ “Luajtëm dobët, të gjithë të marrim më shumë përgjegjësi”, Ibraimi i sinqertë: Një ndeshje që duhet harruar!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 10:43

EKSKLUZIVE/ “Luajtëm dobët, të gjithë të marrim më shumë përgjegjësi”, Ibraimi i sinqertë: Një ndeshje që duhet harruar!

Dinamo vuajti shumë për të kaluar në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. “Shpërdoroi” fitoren 2-0 të ndeshjes së parë, pësoi 2 gola në 90 minutat e kohës së rregullt dhe bëri një lojë përgjithësisht të dobët. Blutë përmirësuan diçka në 30 minutat e shtesës, ndërsa te penalltitë gjithë merita i takon portierit Edvan Bakaj. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm për paraqitjen jo të mirë dhe pothuajse askush nuk e manifestonte gëzimin e një kualifikimi aq dramatik. Vetë kapiteni i Dinamos, Agim Ibraimi, pas ndeshjes theksoi ekskluzivisht për “Panorama Sport” se duhet harruar sa më parë niveli i lojës në këtë derbi të fundit dhe secili duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë.

AGIM IBRAIMI EDVAN BAKAJ

“Kualifikimi është shumë i rëndësishëm për ne në këtë moment, na ndihmon jo pak, ndërsa si ndeshje duhet ta harrojmë sa më parë, sepse kemi luajtur dobët. Është ajo që kam thënë gjithmonë, se duhen marrë më shumë përgjegjësi nga të gjithë. Dhe të marrësh përgjegjësi do të thotë ta drejtosh fillimisht gishtin nga vetja.

Duhet të reagojmë dhe të bëjmë këtë që përmenda më lart, që në ndeshjen e radhës, në të kundërt do të thotë se nuk jemi në rrugën e duhur”, u shpreh fillimisht Ibraimi, i cili e nisi ndeshjen si mesfushori i fundit dhe e përfundoi në majë të sulmit.

“Kishim menduar atë skemë, që unë të luaja prapa për të tërhequr lojtarët e Tiranës dhe kështu do të krijoheshin hapësira për dy sulmuesit, Çinedun dhe Skukën, por kjo mënyrë loje nuk shkoi ashtu si duhet. Pastaj ndryshuam dhe kalova në sulm. E përsëris, kualifikimi është OK, por është një ndeshje që duhet harruar sa më parë të jetë e mundur”, përfundoi kapiteni i bluve.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"