EKSKLUZIVE/ “Luajmë në një orar me Superioren, mundohem të ndjek Teutën”, Kombëtarja dhe Roshi, Bregu: Ja plani im në Turqi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2021 | 14:37

EKSKLUZIVE/ “Luajmë në një orar me Superioren, mundohem të ndjek Teutën”, Kombëtarja dhe Roshi, Bregu: Ja plani im në Turqi (E PLOTË)

Ai është një lojtar punëtor, që nuk i ndihet zëri në fushën e lojës, por flet më së miri kur ka topin në zotërim. Dejvi Bregu ka luajtur në Superiore me ekipe si Luftëtari, Skënderbeu, Flamurtari dhe së fundmi Teuta, ndërsa këtë sezon po shkëlqen me golat e tij në Turqi, teksa e kemi parë si lojtarin vendimtar të ekipit të Bolusporit në ligën e dytë turke. Bregu po luan sezonin e tij të parë në një kampionat të huaj dhe deri tani e ka treguar që talenti në këmbët e tij nuk mungon duke shënuar pesë gola në gjashtë ndeshjet e fundit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, vlonjati tregon për ambientin te skuadra e tij, përshtatjen në një kampionat më të fortë, si dhe shanset për të veshur një ditë fanellën e Kombëtares shqiptare.

DEJVI BREGU

Si po shkon aventura juaj në Turqi?

Aventura po shkon mirë deri tani. Madje, në javët e fundit ekipi po luan mirë dhe kemi arritur rezultate pozitive, dhe duke fituar me skuadra goxha të forta në këtë ligë. Jemi në një rrugë të mbarë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu.

Jeni ambientuar shpejt te skuadra e Bolusporit, nga se ka ardhur kjo?

Kur ndërron ekip normalisht fillon çdo gjë nga e para. Në rastin tim, unë vij nga një shtet tjetër për herë të parë këtu dhe fillimi gjithmonë ka vështirësitë e veta, por jam i kënaqur pasi më kanë pritur shumë mirë dhe janë të gjithë të respektueshëm

Pesë gola në 6 ndeshjet e fundit janë një ecuri e shkëlqyer, a është ky momenti më i mirë që po kalon Bregu deri tani?

Nuk e di a është ky momenti im më i mirë apo jo. Mendoj se këtë gjë do ta tregojë koha në vazhdimësi, por më vjen mirë që golat e mi i kanë shërbyer ekipit për të fituar pikë.

Cili është objektivi juaj personal këtë sezon, si dhe objektivat me klubin?

Objektivi im është të vazhdoj kështu duke treguar vlerat e mia në fushë sa herë që jam në 100% të formës sime. Ndërsa objektivi me klubin është që të gjendemi mes pesë ekipeve të para në fund të sezonit.

Keni Roshin dhe Selmanin në skuadër, kur do të udhëtoni të tre për në grumbullimin e Kombëtares?

Roshin dhe Selmanin i kam shokë shumë të mirë dhe më bëhet qejfi që jemi këtu bashkë sepse jemi gjithmonë një mbështetje për njëri-tjetrin.

Çfarë duhet të bëjë Bregu për t’u thirrur në Kombëtare?

Nuk dua të jap koment për këtë pasi nuk më takon mua, por siç e kam thënë edhe më përpara që unë thjesht duhet të punoj që të përmirësohem akoma edhe më shumë si lojtar.

A do e bënte më të lehtë këtë gjë aktivizimi juaj në të ardhmen në Superligen turke?

Çdo gjë varet nga këmbët e mia edhe nga performanca që do të tregoj në vazhdim pasi në futboll gjërat ndryshojnë shumë shpejt.

Një koment të shkurtër për Superioren e këtij sezoni…

Nuk kam pasur shumë mundësi ta ndjek rregullisht pasi i kemi luajtur ndeshjet pothuajse në të njëjtin orar me ndeshjet e Superiores. Jam munduar të ndjek Teutën meqenëse aty kalova një sezon fantastik duke u kurorëzuar me titullin kampion në fund. I uroj klubit të Teutës më të mirat sepse kam respekt për të gjithë aty.

Tani që keni ikur nga Superiorja, për kë ju merr malli më shumë: Flamurtarin, Luftëtarin, Skënderbeun apo Teutën?

Besoj se kam dhënë kontributin tim te secili nga këto klube, kështu që ruaj kujtimet më të bukura kudo që kam luajtur.

Si ju duk shorti i Shqipërisë në Ligën e Kombeve?

Short disi i vështirë, por të gjithë shqiptarët jemi në mbështetje të ekipit kombëtar.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"