EKSKLUZIVE/ Longo kthehet në Itali, reagon drejtori Ferko: Ja e vërteta me trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 0:00

EKSKLUZIVE/ Longo kthehet në Itali, reagon drejtori Ferko: Ja e vërteta me trajnerin

Diego Longo largohet drejt Italisë. Men jëherë pas humbjes me Tomorin, trajneri italian i Flamurtarit ka marrë valixhet dhe ka fluturuar nga Rinasi. Longo u largua direkt pa takuar lojtarët dhe kjo gjë u përkthye në një meditim për dorëheqje, madje edhe brenda skuadrës. Por drejtori i klubit vlonjat, Alfred Ferko, ka sqaruar situatën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ferko thotë se trajneri është larguar drejt Italisë për arsye personale dhe pritet të rikthehet. Drejtori shpreh keqardhjen që skuadra nuk u ngjit direkt në Superiore, por thekson se do të luftohet deri në fund për objektivin, duke shpresuar tashmë te faza “play off” dhe ndeshja shtesë me ekipin e vendit të tetë në Superiore. Ferko pohoi se në ditët në vijim do të analizohet humbja me Tomorin, që shoi shpresat për dy vendet e para.

ferko longo

Zoti Ferko, trajneri Longo u largua menjëherë pas ndeshjes me Tomorin. Çfarë ndodhi?

Trajneri Diego Longo ka udhëtuar drejt Italisë për arsye personale. Kishte prerë biletën dhe pas ndeshjes po nxitonte për të kapur avionin. Nuk kemi ndonjë gjë tjetër. E presim të vijë në ditët në vazhdim.

Kur do të kthehet Longo në Vlorë?

Nuk fola shumë me trajnerin, pasi po nxitonte për të ikur.

Kush do ta drejtojë skuadrën në stërvitje këto ditë?

Besoj se trajneri do të vijë dhe skuadra do të përgatitet nga vetë Longo për ndeshjen e radhës dhe vazhdimësinë në kampionat.

Flamurtari nuk arriti dot që të ngjitet direkt në Superiore. Si është situata në klub dhe a besoni se mund të arrini këtë me “play off”?

Matematikisht jemi jashtë ngjitjes direkt në elitë. Por, mos harroni që do t’i shkojmë deri në fund. Është një moment shumë i vështirë për të gjithë ne, nga presidenti e deri te stafi, lojtarët dhe tifozët. Megjithatë, do ta kemi luftë deri në fund. Nuk kemi rrugë tjetër.

Si e shpjegoni atë humbje përballë Tomorit?

Nuk di të them se çfarë nuk shkoi në këtë ndeshje. Është e nevojshme që të bëjmë një analizë të thellë të të gjithë asaj që ndodhi. Do të flasim me trajnerin dhe lojtarët. Nuk mund të flas më tepër për momentin. Më vjen shumë keq që shkoi kështu.

Dinamo humbi me Lushnjën dhe nëse Flamurtari nuk do të kishte bërë këtë hap fals, mund të ishim në një tjetër situatë. Keni një koment?

Nuk na intereson më. Gjërat me hipotezë nuk bëhen. Duhet ta mbajmë kokën lart dhe të punojmë fort që sa më shpejt të ringrihemi. Rruga e vetme është të luftojmë deri në fund.

Tashmë ju mbetet të luani në “play off” për të përcaktuar ngjitjen. Një rrugë e vështirë për të shkuar te përballja me ekipin e vendit të tetë në Superiore?

Patjetër që nuk do të jetë e lehtë. Por, tashmë duhet të përballemi me këtë realitet. Nuk kemi se çfarë të bëjmë, do të shikojmë ndeshjet e “play off”. Është e vetmja mundësi për realizimin e objektivit.

Keni ndonjë preferencë se cilin ekip do të donit në “play off”?

Jo, nuk kam ndonjë preferencë. Në këtë moment duhet të shikojmë përpara.

Ka presion në ekip?

Absolutisht asnjë lloj presioni. Skuadra ka punuar e qetë gjatë gjithë kohës. Duhet ta zgjidhim në mënyrë urgjente këtë situatë.

Mendoni se tashmë vendoset në rrezik arritja e objektivit?

Ne jemi përgatitur vetëm për t’u ngjitur në Superiore dhe do të provojmë gjithçka. Më vjen keq që nuk shkuam direkt.

Ju ka mërzitur kjo situatë?

Të jem i sinqertë, jam shumë i mërzitur. Më vjen keq për të gjithë ambientin vlonjat dhe tifozët si dhe për ata që kanë punuar dhe punojnë për Flamurtarin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"