EKSKLUZIVE/ “Lojtarët nuk sëmuren po morën lekë”, rrëfimi i Sinan Idrizit: Klubet e Superiores u treguan lypsare, në Vlorë s’ka tigra prej letre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2020 | 0:30

EKSKLUZIVE/ “Lojtarët nuk sëmuren po morën lekë”, rrëfimi i Sinan Idrizit: Klubet e Superiores u treguan lypsare, në Vlorë s’ka tigra prej letre

Sinan Idrizi ka rreth dy muaj jashtë “skenës mediatike”. Në fakt ai është një personazh që nuk ngurron të përgjigjet për çfarëdo që e pyet, por që përpara se të ndërpritej kampionati dhe tashmë në këtë periudhë pandemie, kishte vendosur të qëndronte larg prononcimeve apo polemikave.

Sinan-Idrizi

Megjithatë, javët e fundit ka pasur disa zhvillime edhe për futbollin, kështu që “Panorama Sport” kontaktkoi administratorin e Flamurtarit për të diskutuar disa nga temat më të nxehta. Si zakonisht, Idrizi përpiqet të dalë kundër rrymës, edhe pse këtë e pranon vetë se nuk e bën me një qëllim. Sipas tij, futbolli duhet të jetë i fundit në këtë situatë emergjente që duhet të kërkojë nga qeveria.

Ai kritikon edhe lojtarët që marrin nga 5 milionë dhe 10 milionë lekë të vjetër rroga në muaj, ndërsa i kujton komunitetit të futbollit se duhet t’i lërë radhën e ankesave fillimisht minatorëve, blegtorëve dhe peshkatarëve. Në intervistën ekskluzive për “Panoramasport.al”, Idrizi ka nga një ngacmim për të gjithë…

idrizi

Zoti Idrizi, si po i kaloni këto ditë në izolim?

Si të gjithë, edhe unë dalë nga shtëpia me leje. Shkoj dy herë në javë te kompania që shikoj ecurinë e punës dhe pjesën tjetër e kam të gjithë të mbyllur në shtëpi. Për këtë situatë do të them një gjë të bukur, që ua tregoj gjithnjë miqve të mi kur ma bëjnë si pyetje.

Çfarë doni të thoni?

Është një grup muzikor që quhet “Status Quo” dhe ata kanë një këngë shumë të bukur “In The Army Now”, që do të thotë “Ju jeni në ushtri tani”. Te pjesa e refrenit është rreshteri kur del dhe thotë “stand up”, pra “çohuni”. Tani edhe ne presim urdhërin nga rreshteri të na thotë: “çohuni”.

Në dijeninë tuaj, a ka pasur probleme në këtë periudhë ndonjë pjestar i Flamurtarit?

Janë mirë të gjithë. Kështu mirë thonë këta… Po morën lekë, janë mirë, po nuk morën, pastaj janë të gjithë të sëmurë. Ju e dini historinë si është. Në telefon kam folur vetëm me trajnerin, ndërsa nga lojtarët me Andi Ribajn dhe Xhevahir Sukajn. Me pjesën tjetër nuk kam kontakte.

Pak ditë më parë policia gjeti disa persona duke luajtur futboll në fushën e Pyllit të Sodës. Ju bëri përshtypje kjo…?

Ajo ngjarja e atyre djemëve te Pylli i Sodës, falë gazetës tuaj u bë publike dhe pati ndërgjegjësim. Është çudi e madhe që duhet t’u shpjegojmë këtyre djemëve tanë, që e drejta ose dëshira për futbollin nuk është mbi të drejtën dhe dëshirën për jetën e tyre.

Të kalojmë pak tek disa çështje që janë diskutuar shumë këtë periudhë. Qeveria nuk e përfshiu futbollin në paketën e kompensimit të dëmeve nga koronavirusi. Keni një koment për këtë?

Nuk dua të jem kundër të tjerëve, apo kundër rrymës, por futbolli duhet që të jetë i fundit që të kërkojë nga qeveria. Duhet të jetë i fundit, pasi nëse kërkon futbolli i pari, çdo të thonë zejtarët, blektorët dhe bujqit. Çdo të bëjnë peshkatarët dhe minatorët…?! I dini ju minierat e Shqipërisë, ata që rropaten nga mëngjesi deri në darkë dhe futen në galeritë e nëndheshme, çfarë do të thonë? Po peshkatarët që dalin natë e ditë në ujëra?

idrizi gjika rama

OK, por edhe futbollistët paguajnë taksa dhe sakrifikojnë në profesionin e tyre…

Futbollistët tanë të mos e hapin gojën fare. Kanë dhjamë të tepërt, kanë rroga nga 5 milionë dhe nga 10 milionë lekë në muaj. Të hanë ato dhe t’i lënë pretendimet. Kjo është histori koti tani. Ne si klube nuk duam lekë, por ligjet.

Por, edhe Ligjin për Sportin qeveria e ka zvarritur ama…

Qeveria urgjentisht të bëj ligjin dhe të privatizojë sportin. Atë ligj që ka lënë tani për shkak të koronavirusit, urgjentisht ta kalojë një orë e më parë dhe t’i lëmë këto historitë. Ne nuk bëhemi Britania, nuk jemi anglezët që do të jemi ne që do të financojmë luftën kundër koronavirusit. T’i lëmë këto histori “për bukën e përditshme që falna o Zot’. Çështë kjo mo! Ka më shumë nga ne që duhet të kërkojnë. Kur e thotë këtë një klub fukarenjsh që përfaqësoj unë, llogarit këto klubet e të pasurve. Këta nuk kanë pse ndihen. Një rrogë futbollisti te klubet e mëdha të Shqipërisë është minimumi 5 mijë euro. Tani rroga mesatare në Shqiqëri nuk i kalon 300 euro. Nuk u dalin këtyre këto lekë? Nuk kanë lekë akoma këta? Apo kalojnë një muaj pa u paguar dhe u tund dynjaja, apo tre, katër, pesë apo gjashtë muaj?. I kanë lekët, aty i kanë.

Gjithsesi, ka pasur jo pak polemika së fundmi nga FSHF dhe klubet për faktin se kryeministri nuk i mbështeti në këtë situatë, madje duke thënë se injoroi futbollin…

Nuk është puna tani për të ndarë. Nuk jemi ne etaloni i drejtësisë. Unë nuk e di se çfarë kërkojnë klubet më shumë nga Edvin Libohova. Përpara kësaj na sollën neve një letër për të kërkuar, që ta firmosim për qeverinë, për të kërkuar për ndihmat. Fjala që unë pashë që realisht nuk e kuptova, se unë nuk e firmosa, jo pse nuk dua ndihmat, por më duket një histori lypsare nga këto të llojit “varja”. E dini çfarë kërkonin? Për shkak të ndërprerjes së kampionatit thoshin se kemi humbje në të ardhurat e marketingut, të shitjes të së drejtës televizive dhe biletave.

edi rama sinan idrizi

OK. Po sikur të dalë qeveria nesër dhe të thotë: Në rregull zotëri, të gjitha humbjet që keni ju nga marketingu, nga shitja e biletave dhe e drejta televizive, po ua rimbursojmë në bazë të bilanceve që keni deklaruar vitin e kaluar, të muajit mars-prill. Te më tregojë mua një klub i vetëm shqiptar, që në deklaratat vjetore të tij ka bilancin e muajve mars dhe prill, e pastaj t’i kërkojmë qeverisë.

Ta nisim nga ju si Flamurtar, e keni këtë bilanc?

Unë vetë si klub nuk kam dhe nuk kam çfarë t’i kërkojë. Unë nuk kam humbje nga marketingu, as nga shitja e biletave, as nga e drejta televizive. E drejta TV për mua në një muaj kthehet në shqip në 5 mijë euro. Kaq. Nëse ka klube që kanë zëra të tjera, atëherë le t’i kërkojnë. Është pak e përgjithshme kjo. Unë nuk e di se çfarë prodhon ky kampionat. Është problemi kësaj që t’i kërkon nga një bidon uji që është bosh. Ne nuk e kemi mbushur kurrë këtë arkë. Unë nuk po flas për ekonomi legale apo ekonomi ilegale, as më intereson fare. Por unë nuk e di se çfarë kërkojnë.

Ah, nëse do të dalim ne të gjithë si klube dhe do të kërkojmë borxh te qeveria nga garancia sovrane, kjo është histori tjetër. Të mblidhen drejtuesit e klubeve dhe të thonë. Zotëri, ne kemi nevojë si klube nga X shumë dhe si garanci për këtë lëmë asetet tona pranë qeverisë shqiptare. Kjo është histori tjetër. Por ne i themi më jep lekë. Për çfarë të të japë lekë, ku do t’i gjejë lekët qeveria? Cfarë është kjo histori: “më jep lekë”.

Si e gjykon fondin që FSHF akordoi për të ndihmuar klubet?

Është një fond emergjence dhe bujarie. Realisht është një gjest bujarie e FSHF-së. Por, largqoftë nëse kjo situate zgjatë tre, katër, gjashtë muaj, po FSHF ku do i gjejë këto lekë të tjera. Ka edhe ca argumentime të tipit bolshevik, që kanë bërë ndërtesë milionshe. Po shumë bukur mo, ku doni ju ta ketë godinën FSHF, te kasollja e Ganigatit. Ju e dini që unë jam opozitar me FSHF-në, jam nga ata që kanë qenë bardhezi, por nëse ka dy gjëra që këtyre duhet hequr kapelja është stadiumi, që këta e kanë bërë me qeverinë dhe ajo godinë e mrekullueshme që është bërë atje.

Sinan Idrizi

Nëse t’i do të përfaqësosh veten kush je, është pamja e dukshme, pastaj në brendësi hajde të flasim. Nuk mund të thuash ti tani që kanë bërë një ndërtesë ata. Po patjetër, pse ku do jetojnë këta, ku ka gjë më të mirë. Ne kalojmë në ekstreme të tipit që paskan lekë këta për të bërë këtë dhe në vend t’u thuash që bravo të qoftë se ke bërë një kompkels të mrekullueshëm, thua që lekët e kësaj jepua këtyre. Këto janë histori koti. Histori bolshevizmash, “vdekje fashizimit, liri e popullit”.

Si do të jetë e ardhmja e Flamurtarit, do të vazhdoni në krye të klubit apo do të largoheni?

Deri në datën që kam detyrën do të vazhdoj të qëndroj. Nëse  do të vazhdojë Ligji i Sportit deri në këtë datë, patjetër që do të qëndroj, nëse jo, do të zeroj të gjitha detyrimet e mia dhe do të largohem. Nëse deri më 31 korrik ka dalë ligji, do të pretendoj të jem te Flamurtari, sepse mund të ketë edhe të interesuar të tjerë. Do të garojmë, pasi gjatë kësaj kohe ka patur shumë që kanë dashur të qëndrojnë të Flamurtari, kanë shprehur dëshirën. Dikush thoshte që ne mbledhim në Vlorë 1 miliardë lekë, dikush thoshte tjetër gjë. Nëse në datën 31 korrik është gati, hajde futu në garë.

Mendoni se mund të ndodhë një mrekulli nëse zgjerohet Superiorja dhe të shpëtoni edhe këtë sezon?

Po jo mo, jo. Nuk ka nevojë Flamurtari. Mos i ngatërroni këto histori. Ki parasysh një gjë, që në Vlorë nuk ka tigra prej letrash. Nuk ka nevojë Flamurtari për gjynaqarë që të ndodhë mrekullia. Flamurtari atë që humbet në fushë nuk e kërkon kurrë në tavolinë. Nuk ka në Vlorë dhe vlonjat asnjë, që të jetë nga këta zvarranikët, që të pres ndonjë mrekulli.

Idrizi-750x430

Nuk pres asnjë lloj mrekullie dhe nuk dua asnjë mrekulli. Atë që kam humbur në fushë, nuk ka shanse ta kërkoj më në tavolinë. Çfarë do që të ndodhë, sido që të vejë situata, ato që kemi humbur në fushë nuk i dua në tavoilinë. Do të vazhdojmë, ka edhe 10 javë. Aq sa mundësi të kemi, do të luajmë. Do të ndërrohet skema, do të rri skema, ky është problem tjetër. Unë e kam thënë edhe herë tjetër që kjo skemë nuk është për kampionatet shqiptare.

Atëherë prisni edhe ju një ndryshim të strukturës…?

Jo këtë vit, meqë duket se jemi ne të fundit. Vitin tjetër le ta ndërrojnë këta, ta bëjnë me 14 skuadra. Nuk shtyhet ky futboll o burrë. Të shkojë të bëjë katër ndeshje me Kukësin, katër me Durrësin, katër me këtë, katër me atë, çfarë kuptimi ka?! Nuk e di nëse e dini këtë historinë e krushqve ju… Edhe krushqit po të erdhën në shtëpi dy herë në vit, të mërziten. Kështu është edhe kjo histori. Unë jam për ndryshimin e skemës. Mos e ndryshoni këtë vit, po vitin tjetër dhe bëheni me 14 ekipe. Nuk ka nevojë Flamurtari të shpëtojë nga tavolina.

Si mendoni ju se duhet të vijojë ky kampionat pas rikthimit në normalitet?

Thonë çfarë do të ndodhë, çfarë do të bëhet me kampionatin shqiptar. Të gjithë flasin kot. Bëjmë sikur japim mendje kot ne këtu. U fitua lufta me kornavirusin, do të fillojë kampionati. Nuk u fitua, të bëjnë çfarë të duan ata ustallarët e mëdhenj që vendosin. Ne thjeshtë ngremë dorën dhe kaq…

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"