EKSKLUZIVE/ Lojtarët e Vllaznisë ngrenë zërin për pagat, zbulohet premtimi i bërë nga klubi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2020 | 9:07

EKSKLUZIVE/ Lojtarët e Vllaznisë ngrenë zërin për pagat, zbulohet premtimi i bërë nga klubi

Vllaznia e mbylli me sukses minifazën përgatitore në Ohër, por fillimi i punës në Shkodër i ka trazuar ujërat, ku në skenë ka dalë problemi i detyrimeve të pashlyera. “Panorama Sport” ka mësuar se para fillimit të përgatitjeve për ndeshjen me Flamurtarin, lojtarët kanë qenë të shqetësuar për mosshlyerjen në kohë të rrogave dhe këtë ankesë ata ia kanë paraqitur trajnerit Mirsad Jonuz.Vllaznia Jonuz

Lojtarët i kanë kërkuar trajnerit që janari bëhet muaji i tretë që ata nuk janë shlyer, kështu që duan një përgjigje për dy pagat e pamarra ose përndryshe gjithsecili do të shikojë variantin e tij, duke mos përjashtuar edhe largimin. Mësohet se Jonuz u ka deklaruar lojtarëve se nuk është ai njeri kompetent për t’u dhënë një përgjigje për rrogat e pamarra, ndonëse i mirëkupton për shqetësimin që kanë. Trajneri u ka thënë lojtarëve se shqetësimin e tyre t’ia paraqesin administratorit Lici, pasi ai është përgjegjës te Vllaznia vetëm sa i përket aspektit teknik të ekipit.

Edhe pas kësaj përgjigjeje, lojtarët i kanë kërkuar trajnerit që shqetësimin e tyre t’ia përcjellin administratorit, por Lici për momentin nuk ndodhet në Shkodër. Gjithsesi, pas ngritjes së këtij shqetësimi, mësohet se lojtarët janë njoftuar se vonesat vijnë nga procedurat burokratike të buxhetit, të cilat e kanë shoqëruar thuajse çdo vit Vllazninë në këtë periudhë. vllaznia

Kështu që, fondi i pagave pritet të lëvrohet nga bashkia në shkurt, kohë në të cilën lojtarët mund t’i marrin detyrimet. Gazeta u mundua të merrte një sqarim nga administratori Suad Lici për këtë çështje, por ai është përgjigjur shkurtimisht: “Jam jashtë shtetit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"