EKSKLUZIVE/ Lojtarët e Vllaznisë në protestë, Jonuz i shqetësuar: Futbollistëve u skadon kontrata për 10 ditë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2020 | 21:31

EKSKLUZIVE/ Lojtarët e Vllaznisë në protestë, Jonuz i shqetësuar: Futbollistëve u skadon kontrata për 10 ditë (E PLOTË)

Mirsad Jonuz nuk është ndierë mirë kur sapo mbërriti në Shkodër pas dy muajve në Maqedoni, gjeti në ekip lojtarë të pezmatuar. Trajneri i Vllaznisë nuk kërkon të fshihet për situatën që po kalon klubi, teksa tregon gjithçka po ndodh te shkodranët në këto ditë të para të rifillimit të përgatitjeve.

JONUZ VLLAZNIA

Ai foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” menjëherë pas diskutimit me ekipin për problematikën e rrogave, por jo vetëm. Jonuz u bëri thirrje drejtuesve të klubit që të zgjidhin sa më shpejt këtë situatë. Trajneri ka shprehur rezervat e tij për punën e klubit edhe sa u përket lojtarëve që nuk kanë ardhur ende nga Maqedonia e Veriut, si Efremov, Adili dhe Hristov.

Menjëherë sapo erdhët nga Maqedonia, hasët probleme me skuadrën, e cila nuk donte të dilte as në stërvitje pa takuar më parë administratorin Lici. E prisnit diçka të tillë?
Po, kemi shumë probleme tani pas dy muajsh ndërprerje. Së pari, nuk kemi punuar me ekipin dhe tashmë duhet të mendojmë të bëjmë sa më mirë stërvitje për të mos patur dëmtime. Së dyti dhe ç’është më kryesorja në këtë situatë, skuadra ka 3-4 muaj që nuk paguhet nga klubi. Përtej këtyre dy problemeve, kemi edhe të tjera, që natyrisht mund të duken normale në këtë moment.

Çfarë do të bëni në këtë situatë, pasi lojtarët kërkojnë garanci financiare nga klubi?
Do të flasim menjëherë me drejtuesit e klubit. Problemet duhet të zgjidhen një nga një brenda kësaj jave, sa më shpejt të jetë e mundur.

Ju keni diskutuar personalisht me administratorin Lici?
Kam folur sot (dje) vetëm kur kam qenë në doganë. E kemi lënë që kur të vija në Shkodër, të flisnim për të gjitha problemet që kishim. Kemi një problem madhor edhe me kontratat, që duhen zgjidhur sa më shpejt.

E keni fjalën për kontratat në skadencë të lojtarëve?
Po, sigurisht. Për 10 ditë u përfundon kontrata të gjithëve. Lojtarët duan të flasin me administratorin dhe federatën për situatën me kontratat.
Jonuz
Keni thënë se kur të vini në Shqipëri nuk do të bëni karantinë. U zgjidh ky problem tashmë?
Po, po u zgjidh. Për mua s’ka asnjë problem, pasi kam leje qëndrimi në Shqipëri. Jam rezident dhe qytetar i Shkodrës dhe para se të vija këtu, kam marrë mesazhin e autoriteteve të të dyja vendeve. E njëjta gjë edhe me Gligorov.

Po për tre lojtarët e tjerë që nuk kanë ardhur, cila është situata?
Ky është një problem i klubit, administrata nuk po punon… Nuk jam kompetent për të folur në lidhje me mungesën e Adilit, Efremovit dhe Hristovit. Me sa di nuk kanë lejen si rezident në Shkodër, por besoj se brenda kësaj jave do të zgjidhet edhe kjo çështje.

Vetëm dy javë kohë për stërvitje, mjafton në këtë situatë?
Vijmë nga një periudhë e gjatë pushimi dhe të stërvitësh vetëm 10 ditë ekipin, është shumë e vështirë për të rifilluar aty ku ne dëshirojmë. Kjo është situata dhe duhet të ambientohemi. Të luhet dhe ta mbyllim këtë kampionat. E mira është që tashmë do të kemi të drejtë të bëjmë pesë zëvendësime gjatë ndeshjes. Të shtunën ndoshta organizojmë një takim miqësor për të parë se ku jemi.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"