EKSKLUZIVE/ Lojtarët e huaj po “braktisin” Vllazninë, ja çfarë ka ndodhur para nisjes në Gjirokastër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2020 | 8:41

EKSKLUZIVE/ Lojtarët e huaj po “braktisin” Vllazninë, ja çfarë ka ndodhur para nisjes në Gjirokastër

Vllaznia ka udhëtuar dje drejt Gjirokastrës me mungesa të shumta. Gjatë ditëve të fundit është vërejtur një fenomen që po shqetëson jo pak stafin teknik kuqeblu. Lojtarët e huaj që ka në përbërje skuadra shkodrane po firojnë dita-ditës. Pas brazilianit Hygor Gonçalves, që pretendon se është i dëmtuar dhe e ka të pamundur të luajë, në ditët e fundit ka pasur të tjerë lojtarë të huaj që kanë “braktisur” skuadrën.
Vllaznia-Teuta 0-3
Bëhet fjalë për maqedonasin Filip Gligorov, që prej disa ditësh është larguar nga Shkodra, si dhe moldavin Eugenio Sidorenko, i cili dje nuk ka pranuar të udhëtoj drejt Gjirokastrës me ekipin.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin shkodran se lojtarët e huaj kanë justifikuar mosgrumbullimin me skuadrën për shkak të problemeve fizike. Mirëpo, në këtë mes fshihet fakti se kontratat e tyre me Vllazninë kanë përfunduar dhe në këtë moment një dëmtim i mundshëm i tyre mund t’u prishë punë për të ardhmen. Duke shtuar këtu edhe problemet financiare, Vllaznia e sheh veten të “braktisur” nga të huajt në këtë situatë delikate. Përveç brazilianit Silvio Zhunior, i cili ka pranuar të vazhdoj me këto kushte dhe të jetë i gatshëm për ndeshjen me Luftëtarin, të tjerët zor se luajnë më këtë sezon me fanellën kuqeblu.

Duke shtuar edhe mungesat e sigurta të mesfushorëve Ardit Krymi dhe Behar Ramadani (për 4 kartonë dhe dëmtim), trajneri Hysen Dedja duhet të hedhë në fushë sot në orën 17:45 një ekip ku mungon 50 për qind e titullarëve. Vllaznia e këtij sezoni thuajse po hipotekon pjesëmarrjen në “play out”, duke qenë larg pritshmërive dhe premtimeve që kanë bërë vitin e kaluar vetë drejtuesit e klubit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"